MEDITIMI I DITËS – SHPËTIMI I JEZUSIT

Written by on August 7, 2017

Mt 14, 22-36 SHPËTIMI I JEZUSIT

 

Kërkoj hirin: që të besoj se Jezusi mi fal mëkatet në sakramentin e rrëfimit.

 

Në atë kohë, 22 pasi që e ngiu turmën Jezusi u urdhëroi nxënësve të hyjnë në barkë e të kalojnë para tij në anën tjetër derisa ai ta shpërndante popullin. 23 Jezusi, si e nisi popullin, u ngjit vetëm në mal për t’u lutur. Ishte bërë natë e ai ende gjendej aty vetëm.

Çast i pazakonshëm: Jezusi i detyron nxënësit që të nisen edhe pse është mbrëmje. Shën Gjoni në Ungjillin e vet shpjegon përse Jezusi vepron kështu. Turma është e entuziazmuar më mrekullitë e Jezusit e në mënyrë të veçantë më mrekullitë e shumëzimit të bukës më të cilën i ushqeu, prandaj dëshirojnë ta bëjnë mbret. Jezusi nuk dëshiron që kjo eufori t’i përfshij edhe nxënësit e tij prandaj ju urdhëron që menjëherë të nisen, kurse ai vetë do të kujdeset për njerëzit. Kemi mundësi ta paramendojmë diskutimin mes Jezusit dhe atyre nxënësve që nuk binden menjëherë. Jezusi ju shpjegon se nuk erdhi për arsye që t’i ushqente, sepse Mbretëria e tij nuk është e kësaj bote… Ata duhet të kujdesen vetë për bukën e vet të përditshme… Pasi që i nisi të shkojnë, tërhiqet në heshtje dhe në vetmi ku ishte tërhequr pas vdekjes së Gjon Pagëzuesit. Tani është përsëri në vetmi me Atin. Lutet dhe bisedon me të për të gjitha ato që në ato ditë ndodhen.

Vdekja e Gjonit… Përpjekja e njerëzve që ta bëjnë mbret dhe ta largojnë nga misioni të cilin Ati ia dha… Kjo lutje buronte nga jeta konkrete dhe i përkiste të përditshmes së tij. O Zot, më ndihmo që të di të bisedoj më ty me besim për çdo gjë që më mundon dhe që në jetën time më del përpara. Kjo bisedë le të jetë bisedë të cilën zemra ia thotë zemrës.

24 Barka, që tashmë ishte shumë stadje larg tokës, përplasej prej valëve, sepse frynte era kundërt. 25 Në rojën e katërt të natës erdhi Jezusi tek ata duke ecur përmbi det. 26 Kur nxënësit e hetuan duke ecur përmbi det, u frikësuan e thanë: “Diçka po na shtihet!” e prej frikës bërtitën.

Nxënësit tashmë janë larguar mirëpo nuk janë aq larg sa kishin menduar. Valët ishin të mëdha sepse po «frynte era e kundërt». Jezusi në mëngjes herët mes orës tre dhe gjashtë iu afrohet në mënyrë të jashtëzakonshme. Kjo gjë i turbulloi dhe i frikësoj shumë. Ata nuk e njohin. O Zot, ti e di se sa e shpeshtë është kjo ngjarje në Kishën dhe në jetën tonë. Gjërat nuk shkojnë ashtu siç kemi dëshiruar dhe i kemi planifikuar ne. Na kapi tmerri. Edhe praninë Tënde e përjetojmë si fantazmë dhe si diçka që na shtihet.

27 Por, menjëherë Jezusi u tha: “Zemër, jam unë, mos kini frikë!”  28 Pjetri u përgjigj: “Zotëri, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti përmbi ujë!” 29 “Eja!” i tha.

Fjalë ngushëllimi, sigurie dhe qetësimi: “Unë jam, mos kini frikë” a e dëgjoj duke më thënë: «Unë jam pranë teje! Përse ke frikë?!» Pjetri provon veten dhe Jezusin. Prova e cila aq shpesh është e pranishme në zemrat dhe në mendimet tona.

Atëherë Pjetri zbriti nga barka e po ecte nëpër ujë për të shkuar te Jezusi. 30 Porse, kur e pa erën e fortë, u frikësua, filloi të humbasë në ujë dhe bërtiti: “Më shpëto, o Zot!”

Jezusi menjëherë përgjigjet në lutjen e guximshme të Pjetrit. Në fillim, Pjetri tregon fenë e vërtetë. E dëgjoj zërin: «eja!» filloj të ecte në të panjohurën duke i besuar Jezusit. Mirëpo, u frikësua, «e humbi fenë» dhe çdo gjë ndryshoi. Mund të paramendojmë cilat ishin britmat e njeriut që po mbytej në uji. Pjetri e humbi Jezusin prej shikimit dhe ndjehej i vetmuar në errësirë dhe në rrezik prej erës dhe detit. A nuk është ky përngjasim i mrekullueshëm i jetës sime personale… O Zot, më ndihmo që të eci drejt teje edhe pranë dyshimeve dhe mosbesimit tim.

31 Jezusi përnjëherë shtriu dorën, e kapi dhe i tha: “Fepakët! Përse dyshove!” 32 Kur hynë në barkë, pushoi era. 33 Ata që ishin në barkë u përkulën me nderim para tij e thanë: “Me të vërtetë je Biri i Hyjit!”

A ishte Pjetri njeri që u ngut? Nuk e dimë. Mos ishte fe pakët? Gjithsesi. Njeriu në gjunjë më së miri e kupton se kush është Hyji për të! Këtë gjë më së miri e kuptojnë  nxënësit në barkë! O Zot, ma jep dorën dhe qetësoi shtrëngatat e mia! «Të adhuroj me përvujtëri»

34 Pasi kaluan detin, u kapën në breg në Gjenezaret. 35 Njerëzit e atij vendi, posa e njohën, e vunë në dijeni mbarë krahinën dhe ia sollën të gjithë të sëmurët. 36 I luteshin t’i lejonte t’i preknin vetëm kindin e petkut të tij. Ata që e prekën, u shëruan.

Shëroje mosbesimin tim! Besoj, edhe pse nuk kam mundësi ta prek kindin e petkave tua.

 


Current track

Title

Artist