MEDITIMI I DITËS – SHKËMBIM I MREKULLUESHËM

Written by on November 30, 2019

ADHJA JAVA I

SHKËMBIM I MREKULLUESHËM

E DIEL

 

Kërkoj hirin: që të pranoj dhuratën e Hyjit.

 

Vetë Fjala e Hyjit, ai që është para shekujve, i padukshmi, i pakuptueshmi, ai që nuk ka trup, Fillimi që ka zanafillën prej Fillimit, ai që është Dritë që lind prej Dritës, ai që është burimi i jetës dhe i pavdekshmërisë, ai që është shprehja e arketipit hyjnor, ai që është vula që nuk ndryshon, shëmbëlltyra e pandryshueshme dhe e vërtetë e Hyjit, ai që është shprehja e Atit dhe Fjala e tij, i vjen në ndihmë shëmbëlltyrës së vet dhe bëhet njeri për dashuri të njeriut. Merr një trup për ta shëlbuar trupin dhe për dashuri ndaj shpirtit tim pranon të bashkohet me një shpirt të pajisur me inteligjencë njerëzore. Kështu e pastron njeriun me të cilin u bë i ngjashëm. Ja pse u bë njeri në gjithçka sikurse ne, përveçse në mëkat. U ngjiz në kraharorin e Virgjërës, të shenjtëruar prej Shpirtit Shenjt në trup dhe në shpirt për nder të Birit të saj dhe për lavdi të virgjërisë. Hyji, duke marrë natyrën tonë njerëzore, e plotësoi atë kur në veten e tij i bashkoi dy realitetet që ishin larg njëri-tjetrit, natyrën njerëzore dhe natyrën hyjnore. Kjo e fundit ia dha së parës hyjninë, dhe e para e pranoi.

Ai që u jep të tjerëve pasuri, bëhet vetë i varfër. Ai e kërkon si lëmoshë natyrën time njerëzore që unë të bëhem i pasur me natyrën e tij hyjnore. Ai që është vetë plotësia, zhvishet prej vetvetes deri në asgjësim. Heq dorë nga lavdia e tij, edhe pse për një kohë të shkurtër, që unë të marr pjesë në plotësinë e tij.

O pasuri e begatshme e mirësisë hyjnore!

Ç’kuptim ka për ne ky mister kaq i madh? Ja: unë e kam marrë shëmbëllesën e Hyjit, por nuk dita ta ruaj atë të pacenuar. Atëherë ai e mori mbi vete gjendjen time njerëzore për të më shëlbuar mua, që jam bërë në shëmbëllesën e tij dhe për të më dhuruar mua, që jam i vdekshëm, pavdekshmërinë e vet.

Ishte me të vërtetë e arsyeshme që natyra ime njerëzore të shenjtërohej nëpërmjet natyrës njerëzore që Hyji e mori mbi vete. Kështu ai me fuqinë e tij e mposhti fuqinë djallëzore, na e dhuroi sërish lirinë dhe na ktheu në shtëpinë e Atit nëpër ndërmjetësinë e Birit të vet. Krishti na i bëri të arritshme këto të mira dhe gjithçka veproi për lavdi të Atit.

Bariu i mirë, që e dha jetën për delet e veta, e kërkon delen e humbur nëpër male dhe kodra mbi të cilat u paraqiteshin fli idhujve. Pasi ta gjejë, e vë mbi supet e veta, të cilat do ta mbartin drurin e kryqit, dhe e kthen në jetën e amshueshme.

Pas dritës së parë të pasigurt të Paralajmëruesit, vjen vetë Drita, që është krejtësisht shkëlqim. Pas zërit, vjen Fjala,  pas mikut të Dhëndrit, vjen vetë Dhëndri.

Zoti vjen pas atij që i përgatiti një popull të zgjedhur dhe i bëri gati njerëzit për zbritjen e Shpirtit Shenjt nëpërmjet pastrimit me ujë. Hyji u bë njeri dhe vdiq që ne të fitonim jetën. Kështu edhe u ringjallëm me të, sepse bashkë me të vdiqëm; me të u lavdëruam sepse bashkë me të u ringjallëm.

(NGA “LIGJËRATAT” E SHËN GREGORIT NAZIANCENAS, IPESHKËV (OR 45, 9, 22. 26. 28: PG 36, 634-635. 654. 658-659. 662)

 


Current track

Title

Artist

Send this to a friend