MEDITIMI I DITËS – SHKATHTËSIA E BIJVE TË DRITËS

Written by on November 3, 2016

Lk 16, 1-8 SHKATHTËSIA E BIJVE TË DRITËS

 

Kërkoj hirin që, si «bir i dritës», të jem i shkathët në jetën shpirtërore siç janë «bijtë e botës» të shkathët në gjërat materiale.

 

Në atë kohë Jezusi, 1 u thoshte edhe nxënësve të vet: »Ishte një njeri i pasur, i cili kishte mbarështuesin që e paditën se ia shkapërderdhte pasurinë. 2 E thirri dhe i tha: ‘Ç’po dëgjoj kështu për ty? Jep llogari për mbarështimin tënd, sepse t’i s’mund të jesh më mbarështues.’

Krejt ky krahasim i drejtohet udhëheqjes. Jezusi jetoi i varfër, por e luftoi skamjen. Mësoi që njeriu të jetë zotërues mbi dëshirën për të pasur. Atë gjë që e ka, duhet ta shfrytëzojë si duhet. Të gjithë ne, përpara Hyjit, jemi vetëm mbarështues. Nuk jemi zotërues, sepse të gjitha i morëm dhuratë. Çdo gjë që e kam dhe që jam, të gjitha cilësitë e mia, aftësitë mendore, moralin dhe ndjeshmërinë, karakterin, të gjitha i mora që t’i përdor dhe t’i drejtoj. Një ditë, do të jap llogari për të gjitha. Nuk mund të sillem me pakujdesi, me papërgjegjësi, duke shkapërderdhur. Nuk kam të drejtë që t’i shpërdoroj dhuratat e marra. Do të përgjigjem për të gjitha pasuritë që nuk i kam mbarështuar. Më duhet të jem i shkathët me të mirat qiellore dhe deri diku duhet të jem i suksesshëm po aq sa janë bijtë e botës të suksesshëm me të mirat e kësaj bote. Një ditë do t’i dëgjoj fjalët serioze të Zotërisë: «Më jep llogari për mbarështimin tënd!»

3 Atëherë mbarështuesi tha në vetvete: ‘Çka të bëj mbasi zotëria po ma heq mbarështimin? Të mih…? Nuk mund! Të dal e të lyp…? Më vjen turp! 4 E di ç’do të bëj që njerëzit të më pranojnë në shtëpitë e veta kur të qitem prej mbarështimit.’

Mbarështuesi është në trishtim. Përpiqet që t’ia sigurojë vetvetes të ardhmen. E di se nuk është punëtor dhe se nuk ka mundësi të jetojë nga puna e sinqertë e duarve të veta. Është mendjemadh që të kërkojë lëmoshë. Kohën që i ka mbetur, do ta shfrytëzojë për ta përgatitur ardhmërinë e vet. Si do ta bëjë këtë gjë?

5 Atëherë thirri një nga një detorësit e zotërisë së vet. E pyeti të parin: ‘Sa i ke detyrë zotërisë tim?’ 6 Ai i përgjigji: ‘Një qind masë vaj.’ Mbarështuesi i tha: ‘Merre letrën tënde, ulu me të shpejtë e shkruaj pesëdhjetë!’ 7 Pastaj e pyeti të dytin: ‘Po ti sa ke detyrë?’ Ai i tha: ‘Një qind kora grurë.’ I tha mbarështuesi: ‘Merre letrën tënde e shkruaj tetëdhjetë!’

Gjithmonë ka pasur mbarështues që i vidhnin zotërinjtë e tyre. Këtu bëhet fjalë për një gënjeshtar të madh, që i shkapërderdhi të mirat e zotërisë. Prandaj, ai e thërret në përgjegjësi. Mirëpo, ky është shumë i zgjuar, i përdor me dinakëri dhe me guxim gënjeshtrat e veta. Logjikën e ka egoiste dhe dinake, por shumë të qartë: në qoftë se unë iu ndihmoj atyre, edhe ata do të më ndihmojnë. Nuk ka rëndësi që e ndërton të ardhmen në shpërdorimin e të mirave të zotërisë. Ky edhe ashtu nuk do të kujdeset më për to, prandaj me anë të tyre dëshiron që ta shpëtojë veten e tij dhe nuk ngurron që t’i shpërdorojë të gjitha.

8 E zotëria e lëvdoi mbarështuesin e padrejtë që punoi aq me shkathtësi. Dhe njëmend, bijtë e kësaj bote janë më të kujtueshëm në marrëdhënie të shoqishoqme se bijtë e dritës.

Zotëria është njeri i sinqertë dhe i drejtë. Kur dëgjoi se si sillet mbarështuesi i pasurisë së tij, nuk u befasua. Përkundrazi, e lavdëroi shkathtësinë e zgjuarsinë e tij. Po të mbeteshin vetëm në këtë gjë, do të mbeteshin të dëshpëruar. Çfarë do të na shërbente Ungjilli po t’u jepte të drejtë njerëzve të tillë? Mirëpo, Jezusi me tregimin e tij na drejton tek përfundimi që nxjerr në fund.

Është e vërtetë se disa njerëz janë shumë të zgjuar në punët e botës, ekonomisë dhe financave. Cilat gjëra nuk na i ofrojnë bankat, çfarë nuk shohim në bursat botërore, çfarë nuk bëjnë dhe nuk ndërmarrin tregtarët?!!! Njeriu i sotëm është veçanërisht i ndjeshëm për këto gjëra.

Jezusi na nxit që të jemi të zgjuar dhe të shkathët në përmasën shpirtërore, së paku aq sa janë njerëzit në atë materiale. Me siguri se ai nuk na nxit që të sillemi në të njëjtën mënyrë, mirëpo krahasimi i tij mund të na e hapë shikimin gjatë punës në fushën shpirtërore.

Mund ta bëjmë një pyetje: a i përdor unë të gjitha aftësitë dhe dhuratat në shërbim të Hyjit dhe për përhapjen e fesë? Zotëria na quan bijtë e dritës dhe kjo do të thotë se duhet të jemi të zgjuar dhe të shkathët. Drita jonë duhet të shndrisë. Na duhet që t’i vëmë në punë të gjitha fuqitë tona, ashtu siç të tjerët vënë në punë fuqitë e errësirës dhe të natës.

O Zot, bëj që të jem biri i dritës, më ndihmo që të luftoj për vlera të vërteta në botë. Nxite shpirtin tim që të jetë aktiv. Në qoftë se njerëzit luftojnë aq shumë për gjërat e kalueshme dhe të shkatërrueshme, sa më shumë duhet të luftoj unë për ato gjëra që janë të amshueshme dhe për të cilat vërtet duhet të luftoj gjithmonë.

 


Current track

Title

Artist