MEDITIMI I DITËS – SHKANDULLI

Written by on February 23, 2022

Mk 9, 41-50 SHKANDULLI

 

Kërkoj hirin: që të ruhem prej shkandullit e të mos bëhem shkandull edhe për të tjerët, por që me shembullin tim, t’i afroj të tjerët te Krishti.

 

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve te vet: 41 Ai që do t’ju japë të pini një gotë ujë përse jeni të Krishtit, për të vërtetë po ju them: me siguri nuk do ta humbë shpërblimin e vet.«

Ungjilli na i paraqet disa gjëra të mrekullueshme që duhet t’i marrim shumë për zemër në mënyrë krejtësisht personale. Jezusi u thotë nxënësve: “Atij që do t’i japë një gotë ujë të freskët pse është i Krishtit, nuk do t’i harrohet shpërblimi.” Unë mund të them se në jetën time janë mijëra e mijëra njerëz, të cilët këtu mbi tokë, në këtë shekull, në këtë kohë, e kanë kuptuar këtë fjalë dhe e kanë kryer me jetën e tyre këtë fjalë të Krishtit. E kanë kuptuar ndaj meje personalisht, por e kanë kuptuar edhe ndaj shumë njerëzve të tjerë.

Duhet të mendoj unë tani vetëm për ju që e keni bërë këtë gjë? Apo ndoshta dikush e ka bërë edhe për ty këtë gjë? Ty dhe familjes sate ju ka ndihmuar vetëm e vetëm se Krishti e ka shtyrë drejt jush dhe e ka parë Krishtin në ju? A duhet të kënaqemi me këtë gjë që të tjerët e kanë bërë për ne? Jo. Shpërblimin e ka ai që e ka parë Krishtin në njeriun dhe i ka ndihmuar. Fjala e Zotit dëshiron që t’i çelë sytë e mi, sytë e tu, sytë e secilit prej nesh që ta shohim Krishtin në vëllezërit e motrat tona. Nëse nuk mundemi të bëjmë dot asgjë tjetër, të përpiqemi që t’ia japim tjetrit një gotë ujë të freskët, pasi nuk do të na humbasë shpërblimi.

 

»Porse, për atë që mëson ndonjërin prej këtyre të vegjëlve që besojnë në mua të mëkatojë, do t’ishte më mirë t’i varej rreth qafës guri i mullirit e të hidhej në det. 

Fjala e Zotit na e thotë dhe diçka tjetër: se ne nuk duhet të jemi shkandull. Çfarë është shkandulli? Shkandulli është pengesa që e vëmë mes njeriut dhe Zotit, muri që e ndërtojmë mes njeriut dhe Zotit. Shkandull është kur unë bëj diçka që dikush të largohet prej Zotit, kur ti bën diçka dhe e ndërton një pengesë mes atij njeriu dhe Zotit. Jezusi thotë se ky njeri, që i mëson të tjerët të mëkatojnë, është më mirë që ta marrë gurin e mullirit, ta lidhë në qafë dhe të shkojë e të hidhet në det. Mirëpo, mos harroni se nuk janë të gjithë shkandujt shkandull, sidomos në kohën e sotme. Të gjitha ato gjëra që ne i shohim në Facebook e në internet, sidomos për Kishën dhe për meshtarët, nuk janë shkanduj. Paraqiten në këtë mënyrë vetëm e vetëm për ta ndyrë fytyrën e Kishës, për ta zbehur besimin e besimtarëve. Ka besimtarë që janë aq të dobët në fe, saqë vetëm e vetëm pse dikush ia ka paraqitur një fotografi apo diçka të ngjashme, mendon se është ashtu.

Shpeshherë, këta nuk janë shkanduj. Duhet ta shqyrtojmë zemrën tonë për t’i parë shkandujt që na i paraqesin të tjerët. Pasi të tjerët, shpeshherë, përsa i përket shkandullit, kanë urrejtje. Pse e bëjnë shkandullin? Jo për të dëmtuar një person, por për të dëmtuar shumë persona. Për këtë arsye, ne duhet të jemi të urtë dhe nuk guxojmë t’i marrim gjërat ashtu si na ofrohen, por duhet t’i shqyrtojmë në zemrën tonë.

 

Prandaj, nëse dora jote të çon në mëkat, preje! Më mirë është për ty të hysh dorëcung në jetë se me të dy duart të shkosh në ferr – në zjarr që s’fiket kurrë. 45 E nëse këmba jote të çon në mëkat, preje! Më mirë është për ty të hysh në jetë i çalë se t’i kesh të dy këmbët e të hidhesh në ferr. 47 Po qe se edhe syri yt të çon në mëkat, nxirre! Më mirë është për ty të hysh në Mbretërinë e Hyjit me një sy se t’i kesh të dy e të hidhesh në ferr. 48 Ku ‘krimbi i tyre nuk cof e zjarri nuk fiket.’ 49Vërtet, gjithkush do të kripet me zjarr. 

50 Kripa është gjë e mirë, porse, po qe se kripa e humb njelmësinë e vet, me çka do të kripet? Kini kripë në vetvete e jetoni në paqe njëri me tjetrin!«

Të dashur vëllezër e motra, a jemi ne në mësimin e Krishtit për t’i gjykuar vëllezërit apo jemi për t’i falur? Kush duhet të ruhet prej shkandullit? Unë. Unë duhet të lidhem aq fort me Zotin, ti duhet të lidhesh aq fort me Zotin, saqë të mos e lejojmë vetveten që të japim shkandull, pasi shkandulli na rëndon neve. Krishti këtu nuk thotë që kur dikush jep shkandull, merreni gurin e mullirit dhe varjani në qafë e shkoni e mbyteni në det. Nuk e thotë këtë gjë. Po çfarë thotë? Ai që e ka bërë shkandullin. Shkandullin e bën vetëm ai që dëshiron të bëjë shkandull, që dëshiron ta bëjë të keqen dhe që dëshiron t’i shkatërrojë të tjerët me atë të keqe. Shkandulli del prej zemrës sime, prej zemrës sate, prej zemrës së secilit prej nesh.

Fjala e Zotit na thotë gjithashtu se nuk duhet të mendojmë siç mendojnë shpeshherë shumë njerëz të mjerë në botë se Zoti është i mëshirshëm, se Zoti fal, e nuk bëjnë asgjë për të dalë prej mëkateve të veta. Është e rrezikshme të thuhet se Zoti do të ketë dhimbje për mëkatet e mia të shumta. Pse është e rrezikshme? Njerëzit që janë të bindur për këtë gjë, ia lejojnë vetvetes të bëjnë çfarë të duan, ia lejojnë vetvetes që kurrë të mos dalin prej mëkatit, që më vonë i ka pasojat e veta. Nëse nuk e pranojmë mëkatin dhe nuk mbështetemi në të, nuk e duam mëkatin, atëherë nuk vonojmë që të kthehemi, nuk vonojmë që ta braktisim mëkatin dhe nuk e shtyjmë faljen e mëkatit që e ka përgatitur Zoti ditë pas dite.

Çfarë do të thotë kjo? Zoti nuk do që të na gjejë në mëkat. Zoti e ka falur mëkatin tonë. Kjo mund të jetë edhe në përfundimin e jetës. Dashtë Zoti që të gjithë njerëzit e kësaj toke, pa marrë parasysh se çfarë kanë bërë, ta gjejnë këtë gjë. Mirëpo, të dashur vëllezër e motra, një njeri që nuk është mësuar të jetojë me Zotin, a është i sigurt se, në një moment, do ta gjejë Zotin? Zotin që nuk e njeh? Zotin me të cilin s’ka jetuar? Zotin që nuk e ka dëgjuar? Zotin që kurrë s’ka mundur dot të ndërhyjë në jetën e tij?

Ta lusim Zotin që ta kuptojmë mirë këtë fjalë të Zotit. E të mos jemi njerëz që i largojmë të tjerët prej Zotit, por të jemi njerëz që me mirësinë tonë dhe me dashurinë tonë, i afrojmë vëllezërit dhe motrat tona te Zoti.

 


Current track

Title

Artist

Send this to a friend