MEDITIMI I DITËS – SHIKONI KETË ZEMËR!
Written by Radio Maria on June 27, 2019
Zemra e shenjtërueshme e Jezu Krishtit – C
Lk 15, 3-7 SHIKONI KETË ZEMËR!
Kërkoj hirin: që të besoj se ekziston Hyji që ka Zemër që me do personalisht!
3 Atëherë Jezusi u tregoi këtë shëmbëlltyrë: 4 “Cili prej jush, po i pati njëqind dele dhe, nëse një prej tyre i humb, nuk i lë të nëntëdhjetenëntë të tjerat vetëm në kullosë e nuk shkon pas të humburës derisa ta gjejë?
Në mesin e të kremteve dhe festave të Zotit, kjo e kremte, me siguri është plotësisht e veçantë. Në të, në mënyrë të veçantë e nderojmë dashurinë e Hyjit që u shfaq ndaj nesh në Zemrën e shporuar të Jezusit. Burimi i kësaj përshpirtërie është në Kalvar, në kryq. Prandaj kjo festë është e themeluar thellësisht në Bibël dhe fillon që në fillimet e krishterimit. Në periudha të ndryshme pati hov të madh siç ishte në kohën e Shën Margaretës Maria Alacoque dhe Shën Klaudit de la Colombier në shekullin XVII, e sidomos në shekullin XIX dhe në gjysmën e dytë të këtij shekulli. Fatkeqësisht shekulli XX nuk tregoi interes të madh ndaj kësaj përshpirtërie edhe pse papët nxisnin dhe ftonin me enciklika dhe letra apostolike duke paraqitur domethënien e kësaj përshpirtërie.
Në të Zotëria na foli ashtu që shumë lehtë kemi mundësi ta kuptojmë dhe ta pranojmë. Në të dëshmoj se nuk është Hyj i largët, i panjohur dhe i palëvizshëm, por Hyj që ka zemër, që na do, që është afër nesh edhe pse ne këtë gjë e harrojmë dhe e lëmë pas dore. Prandaj me të drejtë Shën Margareta Maria Alacoque tha: E pamatshme është pasuria e hirit dhe bekimit që fshihet në këtë Zemër. Nuk e di që mund të ketë në jetën shpirtërore ndonjë ushtrim përshpirtërie që ka mundësi në kaq pak kohë, më mirë ta ngrisë shpirtin deri te përsosmëria më e lartë dhe t’i japë të ndjejë ëmbëlsitë që gjejmë në shërbim të Jezu Krishtit. Kjo përshpirtëri është gjithashtu përgjigje që dikur në luftë te Verduni, e ndoshta edhe sot në të gjitha luftërat në botë, një ushtar në çastin e vdekjes ia drejtoi meshtarit: “A është e vërtetë se ekziston një Hyj dhe ai me do?” Po, ekziston Hyji që lejoi t’ia shporojnë zemrën për dashuri ndaj nesh.
O Zot të falënderoj që u zbulove në këtë shenjë që e simbolizon dashurinë. Ti je Dashuri. Deshe përsëri të na dëshmosh sa dëshiron që ne ta kuptojmë bisedën tënde për dashurinë. A është kjo shenjë se kjo më së shumti na mungon? A mos është kjo shenjë që nuk e kuptojmë si duhet dhe se pikërisht në të mund të pësojmë plagë më së lehti? Të tilla janë dashuritë tona, sipërfaqësore, të paqëndrueshme dhe të dobëta. Te ti nuk është ashtu. Aq shpesh e ke theksuar këtë gjë në shëmbëlltyrat e tua dhe e ke treguar konkretisht me veprimet e tua kur shërove, ngushëllove, fale, predikove dhe pate kuptim pikërisht për ata që ishin më të braktisurit. Zemra jote është e ndjeshme dhe plot me dashuri. Edhe në këtë shëmbëlltyrë na paraqet figurën e Atit tonë qiellor. Po, i tillë është Hyji jonë. Ndryshe nga ai që e paramendojmë ne dhe nga ajo figurë që kemi për të. Askush nuk është i braktisur as i harruar. As atëherë kur vetë ndahet dhe shkon. Edhe në figurën e deles së humbur pas të cilës shkon zotëria i saj, na paraqet thelbin e dashurisë sate ndaj nesh. Të falënderoj, o Zot, që na kërkon kur kemi humbur dhe kur endemi andej e këndej. Të falënderoj që ke Zemër dhe dashuri pikërisht për këta njerëz. Edhe unë ndjehem shpesh herë i humbur dhe nuk di se ku as si të shkoj. Kështu janë edhe shumë të tjerë rreth meje, po të lutem për të gjithë ne. Na ndihmo që të jemi të vetëdijshëm se ti na do ne, na kërkon pikërisht pse kemi humbur në rrugët pa rrugë të jetës.
5 Kur e gjen, plot gëzim e vë në krah, 6 dhe, posa arrin në shtëpi, i thërret miqtë e fqinjët e u thotë: ‘Gëzohuni me mua se e gjeta delen time që më humbi.’ 7 Unë po ju them: në qiell do të ketë po kështu më shumë gëzim për një mëkatar që pendohet e kthehet se për nëntëdhjetenëntë të drejtë, që s’kanë nevojë të kthehen.”
Jezusi në shfaqjet e veta i tha Shën Margaretes Maria Alacoque: Ja zemra që aq fort i do njerëzit, e për dashurinë e vet nga shumica prej tyre merr mosmirënjohje… Dashuria me më shumë dhimbje është dashuria që nuk kthehet. Shën Françesku me dhimbje në zemër klithi: Dashuria nuk është dashur! Jezusi aq shumë na dha sa që në gjithpushtetësinë e vet nuk pati mundësi të na japë më shumë. Ne këtë gjë, duket, nuk e kuptojmë sa duhet. Prandaj Jezusi përsëri në shfaqjet e veta, në të cilat në qendër është dashuria e Zemrës së tij, deshi të nënvizojë sa na do dhe sa shumë i afrohet secilit. Njerëzit e veçantë të Hyjit këtë gjë e hetuan dhe i nxisin të tjerët për këtë gjë. Kështu bëri Kardinal Wyszynski kur shkroi: Nderimi Zemrës së Jezusit i ofron botës në fill të vdekjes atë gjë për të cilën ka më shumë nevojë: ia zbulon Hyjin e mëshirës. Nderimi i Jezusit të Mëshirshëm është vetëm një nuancë e kësaj përshpirtërie. I lumi Kardinali Alojzije Stepinac shkroi shumë predikime në nder të Zemrës së Krishtit derisa ishte i burgosur në Lepogllavë nga viti 1946 deri në vitin 1950. Besoj thellë dhe i nxiti njerëzit që më zellshëm të përpiqen rreth shpëtimit të shpirtrave. Prandaj për të, më e dashura, më e sigurta si edhe më përshpirtëria më frytdhënëse është përshpirtëria ndaj Zemrës së Krishtit. Të gjitha përshpirtëritë e tjera janë vetëm mënyra dhe rrugë që përmes tyre të vijmë te Zemra e Krishtit.
O Zot, sot në të kremten tënde lexojmë këtë shëmbëlltyrë të jashtëzakonshme të cilën nuk e tregove vetëm për brezninë tënde. Ajo është për të gjitha breznitë. Të falënderoj që në të zbuloj dashurinë tënde të jashtëzakonshme në qiell për shkak të një njeriu që kthehet te ti, të atij që e gjete në humbjet e veta. Mos lejo që të humbas përgjithmonë, por eja pas meje dhe më tërheq me dashurinë tënde që nuk ka mbarim.