MEDITIMI I DITËS – SHËRBIMI ËSHTË DHURATË

Written by on February 20, 2017

Mk 9, 30-37 SHËRBIMI ËSHTË DHURATË

 

Kërkoj hirin: që ta kuptoj logjikën e Jezusit sipas së cilës shërbimi është dhuratë, dhe vendi i fundit është i pari.

 

30 Si u nisën prej andej, kaluan nëpër Galile, por nuk donte ta dinte kush, 31 sepse i mësonte nxënësit e vet. U thoshte: “Biri i njeriut do t’u dorëzohet njerëzve e ata do ta vrasin, por kur ta kenë vrarë, ai do të ngjallet pas tri ditësh” 32 Ata nuk e morën vesh këtë fjalë e kishin frikë ta pyesnin.

Jezusi përsëri ishte në mal. Këto janë gjithmonë çastet e privilegjuara të takimit me Atin, kjo është koha e lutjes së tij. Tani dëshiron të jetë vetëm me nxënësit e vet. Ndjen nevojën që t’i drejtojë përsëri në më të rëndësishmen e misionit të tyre. Më e rëndësishmja është që ata ta kuptojnë se si rruga e Mësuesit të tyre është edhe rruga e tyre. Kjo gjë shkon shumë lehtë dhe nxënësit shumë ngadalë do të hyjnë në mendimin e Jezusit.

Jezusi për të dytën herë tregon qartë se çfarë do të ndodh me të. Vdekja e tij do të jetë e dhunshme, gjykimi do të jetë i padrejtë, por kjo është rruga nëpër të cilën ai duhet të shkojë, sepse rrugë tjetër nuk ka në shpëtimin e njerëzve. Jezusi shkon në të njëjtën rrugë guximshëm dhe më vendosmëri. Ai dëshiron që edhe nxënësit e tij të jenë të guximshëm dhe të vendosur. Kjo është edhe rruga e tyre dhe duhet t’i përgatis në këtë rrugë. Koha kalon ngadalë dhe çastet e rëndësishme të jetës së Jezusit afrohen.

Nxënësit janë të frikësuar dhe të tmerruar. Kanë para syve skenën e lajmërimit të parë të mundimeve pas të cilës Pjetri përpiqet që ta largojë Jezusin nga kjo rrugë. Në veshë iu jehojnë fjalët e rrepta që ia drejtoi Jezusi. Prandaj heshtin. Kanë frikë. Shën Marku përsëri thekson moskuptimin e tyre. Ata janë nën peshën e përshtypjes së vdekjes, kryqit, mundimit dhe sikurse nuk e dëgjojnë aspak vazhdimin e fjalës së Jezusit. Nuk dëgjojnë se pas tri ditëve do të ngrihet, do të ngjallet.

Vërtetë, është vështirë të pranohet kryqi dhe vuajtja. Ky është gjithmonë guri në të cilin njeriu gjatë jetës vazhdimisht merr në. Sikurse lufta kundër të keqit nuk ka mundësi të mendohet pa lutje dhe pa pendesë, kështu as kryqi dhe vuajtja nuk mund të pranohen pa lutje dhe pendesë.

33 Arritën në Kafarnaum. Si hyri në shtëpi, i pyeti: “Mbi çka biseduat rrugës?” 34 Ata nuk bënë zë, sepse udhës kishin biseduar kush ishte më i madhi.

Përsëri e kemi distancën e madhe mes Jezusit dhe nxënësve të tij. Derisa Jezusi seriozisht flet për vdekjen e vet, nxënësit e tij mendojnë në gjëra të tjera. Ata flasin për vendet e para, pyesin kush është më i madhi mes tyre. Vërtetë, fjala e Jezusit nuk gjen jehonë në zemrat e tyre. Të gjitha këto duhet të ndodhin para se ata të fillojnë të kuptojnë. Për tani, Jezusi është i vetmuar. Edhe pse e rrethojnë nxënësit, Jezusi është i vetmuar në rrugën e vet. Ata fatkeqësisht as nuk dëgjojnë dhe as nuk kuptojnë.

O Zot, po përpiqem që ta përjetoj gjendjen tënde. As ata që i ke më afër, nxënësit e tu, nuk të kuptojnë kur ti u flet. Ata janë të interesuar për diçka tjetër. Si t’i kishin zemrat e bllokuara dhe të mbyllura. Ti i mëson me durim dhe i edukon. Shumë shpesh edhe unë jam i tillë. Kam planet e mia, dëshirat e mia dhe nuk përpiqem ta pyes vetën se cili është vullneti yt me mua dhe me jetën time.

 35 Jezusi u ul, i thirri rreth vetes të Dymbëdhjetët e u tha: “Kush dëshiron të jetë i pari, le të bëhet i sprasmi i të gjithëve dhe shërbëtori i të gjithëve.”

Ja kjo është logjika e Jezusit. Ai bëhet pjesë e bisedës të cilën nxënësit e tij e bëjnë gjatë rrugës për në Kafarnaum. I mëson ata. Shkalla e vlerësimit të tij është e ndryshme nga shkalla e vlerësimit që bëjnë nxënësit dhe bota. I pari duhet të jetë shërbëtori i fundit. Pikërisht ashtu siç bëri ai vet. Sa shumë guxim dhe fuqi na nevojitet që ta pranojmë logjikën e Jezusit dhe mënyrën e mendimit të tij. Sa e ndryshme është nga logjika ime dhe logjika e botës.

O Zot, më ndihmo që të lejojë të më përvetësojë Fjala jote që të kem mundësi të jetojë sipas saj.

36 Pastaj mori një fëmijë të vogël, e vuri në mes të tyre, e përqafoi dhe u tha: 37 “Kush e pranon një vogëlush si ky në Emrin tim, më pranon mua; e kush më pranon mua, nuk më pranon mua, por atë që më dërgoi mua.”

Jezusi shkon më tutje në mësimin e vet. Nuk e pengon fakti se nxënësit e tij nuk kuptojnë. Ai dëshiron të jetë shumë konkret. Foshnja është e dobët dhe e pafuqishme. Gjatë kësaj kohe lëndohet më së lehti. Prandaj e merr si shembull. Ta pranosh personin e tillë do të thotë ta pranosh Jezusin. Ai u njëjtësua me më të dobëtit dhe më të vegjlit, më me të pambrojturit. Përsëri nuk ka asgjë nga vendet e para, asgjë nuk ka nga dhuna dhe pushtetit, asgjë nuk ka nga shkëlqimi dhe pasuria. Udha e Jezusit është rrugë tjetër: e ngushtë, e mundimshme, kërkuese. Shumë pak njerëz marrin guxim të nisën në këtë rrugë. Mirëpo kjo është rruga më e sigurt që çon tek Ati, në qiell. Rrugë tjetër nuk ka për të shkuar pas Jezusit.

O Zot, dëshiroj të nisëm rrugës sate. Fuqitë po më përfundojnë. Më ndihmo që të kuptoj se ti je gjithmonë afër meje në këtë rrugë. Ti më përcjell dhe me ndihmon. Kështu do të ec më lehtë dhe do të jem i qëndrueshëm.

 


Current track

Title

Artist