MEDITIMI I DITËS – SHËRBIMI DHE KRYQI
Written by Radio Maria on March 13, 2017
Mt 20, 17-28 SHËRBIMI DHE KRYQI
Kërkoj hirin që të kem fuqi të shkoj pas Jezusit në shërbim dhe duke e mbartur kryqin.
17 Kur Jezusi po ngjitej në Jerusalem, i mori veçmas të dymbëdhjetët dhe udhës u tha: 18 “Ja, po ngjitemi në Jerusalem dhe Biri i njeriut do t’u dorëzohet kryepriftërinjve e skribëve. Ata do ta dënojnë me vdekje, 19 e do t’ua dorëzojnë paganëve për ta vënë në lojë, për ta frushkulluar e për ta kryqëzuar. Por ai të tretën ditë do të ngjallet”.
Udhëtimi për në Jerusalem ishte udhëtimi drejt mundimeve. Jezusi e dinte këtë gjë dhe dëshironte t’ua thoshte vetëm të Dymbëdhjetëve. Tani po fillonin ngjarjet e rëndësishme të jetës së Tij. Donte që t’ia besonte dikujt këtë gjë. E kujt do t’ia besonte përveç nxënësve të vet? U foli në imtësi për çdo gjë: u tha se si do t’u dorëzohej kryepriftërinjve dhe mësuesve të Ligjit, se do ta gjykonin, do ta dorëzonin, do ta rrihnin, do ta kryqëzonin e të tretën ditë do të ngjallej.
Do të ndalem përpara përshkrimit të mundimeve të Jezusit. Do të përpiqem që t’i përjetoj ndjenjat me të cilat e shpreh këtë gjë para apostujve. O Zot, Ti fole për dorëzimin e plotë, për dhurimin e jetës për ata që i do, për të gjithë ne. Për shkakun tim, Ti i pranove mundimet dhe vdekjen. Të falënderoj! Bëj që gjatë këtyre Kreshmëve të jem më i gatshëm për flijim dhe vdekje në ato gjëra që më ndajnë nga Ti. Bëj që të mos bëj asnjë pyetje për shkak të vuajtjes dhe kryqeve që i pranoj me aq vështirësi. Bëj që ta kuptoj se pas kryqit dhe vdekjes vjen gjithmonë fitorja e ngjalljes dhe se kuptimin e kryqit mund ta shikoj vetëm në dritën e mëngjesit të ngjalljes.
20 Atëherë iu afrua nëna e bijve të Zebedeut me të bijtë dhe e përshëndeti me fytyrë për dhe për t’i lypur diçka. 21 Jezusi i tha: “Çka dëshiron?” Ajo iu përgjigj: “Urdhëro që këta të dy, bijtë e mi, të rrinë në Mbretërinë tënde njëri në të djathtën e tjetri në të majtën tënde”.
Nëna e Gjonit dhe e Jakobit, nëna e vëllezërve që Jezusi i thirri në mesin e të parëve – dhe ata u përgjigjën me bujari – erdhi te Jezusi. Vallë, a ia mbushën ata mendjen nënës së tyre që ta pyeste Zotërinë apo ndoshta ajo e pyeti Atë për shkak të dashurisë së saj amnore që kishte për fëmijët dhe për të mirën e tyre? Nuk kishte aspak rëndësi se kush e mori nismën. Gjithsesi, u pa dallimi mes asaj çfarë dëshironte Jezusi për nxënësit e Tij dhe dëshirës që ata mbartnin në vetvete. Ndërsa Jezusi fliste për kryqin, për përvujtërimin dhe vdekjen, Gjoni e Jakobi kërkonin vendet e para. Jezusi nuk u hidhërua, nuk i qortoi as nënën e as bijtë e saj. Duket se të gjitha këto i mori me simpati: e çfarë duan tjetër njerëzit përveç vendeve të para, pranimit dhe përfitimit? I pranoi pyetjet dhe i drejtoi në drejtimin e duhur. «Nuk dini çka lypni».
22 Jezusi u përgjigj: “Nuk dini çka lypni. A mundeni ta pini ju kelkun që unë do ta pi?” “Mundemi!” ‑ iu përgjigjën. 23 Jezusi vijoi: “Me të vërtetë ju do ta pini kelkun tim, por të më rrini njëri në të djathtë e tjetri në të majtë, nuk është në dorë time t’jua japë, por do t’u jepet atyre, për të cilët u bë gati prej Atit tim”.
Vërtet, ata nuk e dinin çfarë kërkonin. Kjo ishte një kërkesë shumë, shumë e madhe. Të jesh i pari pranë Jezusit, do të thotë thjesht të ndash më Atë gjithçka që jeton Ai. Të jesh afër Tij, do të thotë të pish nga kelku i hidhërimit që piu Ai, do të thotë ta marrësh kryqin, ta mbartësh, të kryqëzohesh në të, të jesh i nëpërkëmbur dhe i refuzuar. Pasiqë Mësuesi iu premtoi se do ta pinin kelkun që do ta pinte Ai, për vendet në mbretëri nuk ishte fare e nevojshme që të flitej. Ati do t’ia japë secilit këtë gjë dhe secili do të jetë pafundësisht i kënaqur me dhuratën e Atit.
Por, që ta pimë kelkun, duhet që këtë gjë të dimë dhe të dëshirojmë ta bëjmë. Edhe kur vuaj, më duhet që të bëhem i vetëdijshëm se pi nga kelku i Jezusit. Ai e piu i pari këtë kelk me guxim dhe deri në fund.
24 Kur morën vesh dhjetë të tjerët, u zemëruan me dy vëllezërit. 25 Atëherë Jezusi i thirri pranë vetes e u tha: “Ju e dini se sunduesit zotërojnë mbi popujt e vet e princat e tyre i mbajnë nën pushtet. 26 Porse, ndërmjet jush nuk duhet të jetë ashtu! Përkundrazi, ai që prej jush do të bëhet i madh, le të bëhet shërbëtori juaj, 27 kurse ai që ndër ju dëshiron të jetë i pari, le të bëhet skllavi juaj”.
Nxënësit e tjerë u ndjenë të lënduar. Sigurisht, edhe ata, në zemrat e tyre, mbartnin të njëjtat dëshira dhe prisnin rastin që t’ia ofronin Jezusit. Dy vëllezërit ua morën radhën, dolën para tyre, prandaj të tjerët ishin xhelozë dhe të hidhëruar me ta. Porosia ishte gjithmonë e njëjtë, por vetëm në të tjera rrethana, me fjalë të reja e krahasime të tjera. Nxënësve iu nevojitej shumë kohë që ta kuptonin se më i madhi ndër ta duhej të shërbente dhe se ai që donte të ishte i pari, duhej të bëhej shërbëtor. Kjo është logjika e Jezusit. Të jesh afër Tij, do të thotë të shërbesh. Të jesh i pari pranë Tij, do të thotë t’u shërbesh të gjithëve.
28 “Sikurse edhe Biri i njeriut, që s’erdhi për të qenë shërbyer, por për të shërbyer e për të flijuar jetën e vet si shpërblim për të gjithë!”
Ja Mësuesi i shërbimit dhe i dhurimit të jetës. Askush tjetër nuk mësoi si Jezusi. Asnjë fe e besim tjetër nuk mësojnë se Hyji është bërë njeri, se e kaloi tokën duke shërbyer dhe se e dhuroi jetën e vet për shëlbimin e të gjithë njerëzve, ashtu siç mëson feja e krishterë. Të falënderoj, o Zot, për këtë mësim. Më ndihmo që të bëhem nxënës i mirë i yti.