MEDITIMI I DITËS – SHËRBIMI

Written by on April 12, 2017

Gjn 13, 1-15 SHËRBIMI

 

Kërkoj hirin që ta jetoj urdhrin e dashurisë së Jezusit duke ndjekur shembullin e tij.

 

1 Ishte para festës së Pashkëve. Jezusi, duke ditur se i erdhi koha të kalojë prej kësaj bote tek Ati, pasi i deshi të vetët ‑ ata që ishin në botë ‑ i deshi deri në pikën e fundit. 2 Dhe, gjatë darkës ‑ pasi djalli ia kishte mbushur mendjen Judës, birit të Simon Iskariotit, ta tradhtonte.

Kjo ishte nata e Mundimeve. Jezusi kremtonte për herë të fundit të kremten e Pashkëve, në këtë mënyrë, në mesin e nxënësve të vet. Ky ishte «kalimi» i Tij nga kjo botë. Në këtë mbrëmje, mbi Jezusin nisi të plotësohet profecia e fillimit të mundimeve të tmerrshme që i pëson Jezusi Hyj! Arsyeja e të gjitha këtyre ishte mëse e qartë: dashuria ndaj të vetëve, dashuria ndaj të gjithë njerëzve në botë. Dashuria që Jezusi ka për njerëzimin është i vetmi shpjegim që mund t’i bëhet kryqit dhe mundimeve të Tij. Vetëm dashuria e Jezusit për ne, deri në fund, mund të na e shpjegojë kryqin e Tij. Ky është shpjegimi i vetëm dhe i vërtetë i kryqit tonë, i kryqit tim dhe kryqit tënd. O Zot, më ndihmo që, kur të afrohet çasti im, të kujtohem se si Ti e pranove me dashuri «çastin» Tënd. Në këto çaste, për shkak të mëkateve të mia, le të derdhë lot zemra ime.

Juda ishte këtu. Ai tashmë e kishte marrë vendim: të të tradhtonte! Në të njëjtën tryezë ishin së bashku Dashuria dhe Urrejtja, Hyji dhe Satani. Ky është misteri i botës. Në të, pranë Hyjit është edhe Satani, pranë Dashurisë është edhe mohimi i dashurisë, pranë hirit është mëkati.

3 Jezusi, që e dinte se Ati i la gjithçka në dorë, se erdhi prej Hyjit dhe se tek Hyji po kthente – 4 u ngrit nga darka, hoqi petkun e sipërm, mori një peshqir dhe u ngjesh. 5 Qiti ujë në legen dhe filloi t’ua lajë këmbët nxënësve dhe t’ua fshijë me peshqirin, me të cilin ishte ngjeshur.

Jezusi ishte i vetëdijshëm për dërgimin e vet, për Hyjninë e vet. Ai ishte i vetëdijshëm se ishte prej Hyjit dhe se po kthehej te Hyji. Por, Ai pikërisht këtë gjë e mohoi, me qëllim që të mos mbetej në njëfarë bote të paarritshme. U ngrit nga Darka dhe filloi të bënte diçka që ia ndali frymën nxënësve. Në heshtje shikonin atë që po bënte Mësuesi i tyre. Shikonin dhe mbanin mend çdo gjest, që ishte njëkohësisht i jashtëzakonshëm dhe i tmerrshëm. Çdo lëvizje e Jezusit u ngulit thellë në kujtesën e tyre, çdo gjë u bë e paharrueshme në ta.

Shën Gjoni nuk flet për themelimin e Eukaristisë, mirëpo e përshkruan deri në imtësi larjen e këmbëve. Edhe në Eukaristi, ashtu si edhe kur i lan këmbët, Zotëria është «Shërbëtor». Këto dy gjëra nuk mund të ndahen njëra nga tjetra. Ai dhurohet në Eukaristi: «Ky është trupi im që flijohet për ju!» Ai dhurohet edhe kur shërben. A do ta kuptoj unë ndonjëherë mjaftueshëm këtë gjë? A do ta vlerësoj dhe a do ta zbatoj këtë në jetë?

6 Arriti kështu te Simon Pjetri. Ai i tha: “Zotëri, ti të m’i lash këmbët?” 7“Ç’po bëj unë ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ ti tani nuk e kupton, do ta kuptosh më vonë”. 8 Pjetri iu përgjigj: “Nuk do të m’i lash këmbët kurrë e për këtë jetë!”“Nëse nuk do të laj ‑ i tha Jezusi ‑ nuk do të kesh pjesë me mua”.

Derisa Jezusi arriti te Pjetri, ky ia doli të vinte në vete dhe ta kundërshtonte. Nuk mund të mos shpërthente nga ajo çka po shihte. Ai ishte i drejtpërdrejtë dhe i vendosur: Mësuesi t’ia lante këmbët, kjo gjë nuk do të ndodhte kurrë! Si e lejuan këtë gjë nxënësit e tjerë para tij? Nëse ata e lejuan një gjë të tillë, ky nuk do ta lejonte kurrë. Jezusi qetësisht e qortoi: «Nëse nuk do të laj nuk do të kesh pjesë me mua». Tani nuk ishte koha për diskutime të gjata. Pjetri pothuajse nuk e kuptoi aspak Mësuesin e as veprën që po e kryente Mësuesi i tij në atë çast.

O Zot, po kthehem prej rrugëve të shumta. Këmbët e mia janë të ndyra. A do ta bësh edhe një herë atë vepër që duhej ta bënte skllavi: që t’i lash edhe këmbët e mia? Kam turp dhe nuk kam guxim të të lutem! Por, unë nuk kam frikë nga fjala Jote: «Nëse nuk do të laj …»

9 Simon Pjetri iu përgjigj: “Atëherë, Zotëri, jo veç këmbët e mia, por edhe duart, edhe kokën!” 10 Jezusi i tha: “Kush është i larë, nuk i duhet të lajë tjetër përveç këmbët ‑ dhe është krejtësisht i pastër. Edhe ju jeni të pastër, por jo të gjithë”.

Pjetri vërtet nuk kuptoi asgjë. Nuk kishte kurrfarë shkathtësie, por shkonte nga njëri skaj në tjetrin. Zoti vazhdoi qetësisht dhe i tha: «Ç’po bëj unë, ti tani nuk e kupton, do ta kuptosh më vonë».

12 Pasi ua lau këmbët, mori petkun e sipërm të vetin, u ul prapë në tryezë dhe u tha: “A e kuptoni çka ju bëra? 13 Ju më quani: Mësues e Zotëri. Mirë thoni, sepse unë jam. 14 Nëse, pra, unë ‑ Zotëria dhe Mësuesi ‑ ju lava këmbët, duhet që edhe ju t’ia lani këmbët njëri‑tjetrit”.

Fjala vjen pas veprës. Zotëria pothuajse nuk pati nevojë as të fliste. Me vepra i tha dhe i tregoi të gjitha. Mirëpo, fjala mund të kuptohej vetëm pasi ua lau këmbët. Ky duhet të jetë qëndrimi i ftuarve në Eukaristi. Eukaristia formon bashkësinë në dashuri, sepse të gjithë bëhemi shërbëtorë të të gjithëve. O Zot, sa larg jemi ne!

15 “Ju dhashë shembull që, sikurse ju bëra unë juve, të bëni edhe ju”.

Të gjitha u thanë, çdo gjë ishte e qartë! Nëse Zotëria ynë e bëri këtë gjë, edhe ne duhet t’ia lajmë këmbët njëri-tjetrit. O Zot, më ndihmo që së paku këtë gjë të mos e harroj, nëse nuk e kam guximin që edhe ta zbatoj.

 


Current track

Title

Artist