MEDITIMI I DITËS – SHENJTËRIMI

Written by on May 15, 2018

Gjn 17, 11-19 SHENJTËRIMI

 

Kërkoj hirin që ta kuptoj se vetëm së bashku me Jezusin mund ta kundërshtoj të keqen.

 

«11 Unë nuk rri më në botë e ata janë në botë, e unë po vij te ti. O Atë i shenjtë! Ruaji në Emër tënd ata që ti m’i dhe që të jenë një sikurse ne! 12 Derisa unë isha me ta i ruajta në Emër tënd ata që m’i dhe, dhe vërtet i ruajta ‑ asnjë nuk u bor përveç birit të bjerrjes ‑ në mënyrë që të plotësohej Shkrimi i shenjtë.»

Nxënësit patën rastin ta shikonin Jezusin se si lutej, ndërsa shkonin pas Tij nëpër Palestinë. Nuk dinin se çfarë lutej Jezusi, por, gjithmonë, lutja e Tij i përfshinte thellësisht në brendi sa herë që e shihnin duke u lutur. Kjo gjë i nxiti që një herë t’i luteshin t’i mësonte se si të luteshin. Këtu, në dhomën e Darkës së fundit, Jezusi ia rezervoi lutjes çastet e fundit me nxënësit e vet. U lut para tyre dhe u lut për ta. E shpalosi para tyre shpirtin dhe zemrën e vet, duke menduar për ta dhe duke iu treguar se i mbart ata brenda vetes. U lut për ta që Ati t’i ruante, që të mbeteshin së bashku. Ndërmjetësoi tek Ati për t’i mbrojtur e për t’i ruajtur që të mos humbnin.

O Zot, nxënësit e Tu të dëgjuan duke u lutur për ta. Ia dorëzove Atit tënd dhe Atit të tyre. Si e ndjenin ata veten, ndërsa po e dëgjonin lutjen Tënde? Gëzimi, paqja, hareja dhe kënaqësia i mbushnin zemrat e tyre. Mësuesi dhe Zotëria mendonte dhe lutej për ta. Kështu i mësove se si edhe ata duhej të luteshin për njëri-tjetrin. Edhe neve na e le këtë shembull. Edhe ne kemi dëshirë të dëgjojmë se dikush lutet për ne. Shumë shpesh iu porositemi të tjerëve në lutje. Tani, mendoj për të gjithë ata që i kërkojnë lutjet e mia. Po t’i dorëzoj të gjithë, të gjitha nevojat, shpresat, gëzimet, dhimbjet dhe ankthet e tyre. Ndihmoju në ato gjëra që janë të mira për ta, edhe pse ndoshta në këtë çast nuk e kuptojnë se kjo gjë është e mirë.

Po të falënderoj për të gjithë ata që luten për mua. Ka aq shumë njerëz që në lutjet e veta mendojnë për mua dhe ta paraqesin lutjen për mua dhe nevojat e mia. E di se ata e dhurojnë kohën e vet çdo ditë për lutje, në të cilën janë të lidhur me Ty edhe për mua. Ndjehem mirë kur e di se në të gjitha punët dhe detyrat e mia më përcjell lutja e njerëzve të mirë. Të falënderoj për secilin prej tyre.

«13 Tani po vij tek Ti e këto po i them ndërsa ende jam në botë, që ata ta kenë në vetvete gëzimin tim të plotë. 14 Unë ua dorëzova fjalën tënde dhe bota i urreu, pse nuk janë të kësaj bote sikurse as unë nuk i përkas kësaj bote.»

Nxënësit e Tij i dëgjuan këto fjalë të Jezusit. Ai u lut që nxënësit të ishin të gëzueshëm me gëzimin e Tij, edhe pse bota do t’i urrente. Sigurisht, nxënësit nuk e kishin shumë të lehtë në shpirt, ndërsa po e dëgjonin këtë lutje që Jezusi po e bënte për ta. Ndoshta as që e kuptonin se çfarë domethënieje kishte kjo lutje për jetën e tyre të ardhshme.

«15 Nuk po të lutem t’i marrësh prej botës, por t’i ruash nga i Keqi. 16 Ata nuk i përkasin botës, sikurse as unë nuk i përkas botës.»

Si e përjetuan nxënësit e Tu, o Zot, gjatë lutjes Tënde, tensionin për të cilin po i bëje të vetëdijshëm: ata janë në botë, por nuk janë prej botës. A thua duhej të tërhiqeshin nga bota? Duhej të iknin prej saj? Jo. Ti nuk e deshe këtë gjë. Dëshirove që ata të mbeteshin në botë, sepse bota kishte nevojë për ta. U lute që Ati t’i ruante nga i keqi, nga e keqja, që është e pranishme në botë. Ti e pret këtë gjë edhe prej nesh. Nuk kërkon që të tërhiqemi dhe të shmangemi para botës. Përkundrazi, kërkon që të ndërmarrim veprime serioze për botën, që t’i marrim përgjegjësitë tona, që të rrimë në vendet tona. Thirrja jonë është që të dëshmojmë në botë, që të jemi njerëz «soditës nëpër rrugë». Na duhet që të jemi përplot me shpirtin e Ungjillit Tënd, sipas të cilit në sytë e botës do të dukemi se nuk jemi të kësaj bote. Na ruaj edhe neve nga i keqi, që dëshiron të na barazojë me këtë botë.

O Zot, më ndihmo që me guxim ta marr përsipër detyrën time si besimtar i krishterë. Më ndihmo që si meshtar, rregulltar, rregulltare ta kryej dërgimin tim në botë. Bëj që të jem i pranishëm në botë, por që të di të dalloj se çka i mungon që të jetë e jotja, që të jetë e Hyjit.

«17 Shenjtëroji në të vërtetën: fjala jote është e vërteta. 18 Sikurse ti më dërgove në botë, po ashtu edhe unë i dërgova në botë. 19 Për ta [unë] e kushtoj vetveten, që edhe ata të jenë të shenjtëruar në të vërtetën.»

Jezusi u lut për shenjtërimin e nxënësve të vet. Të jesh i shenjtëruar, do të thotë ta kesh rolin dhe qëllimin e veçantë. Kur shenjtërohet kelku, atëherë ai nuk përdoret më për të pirë me të në pijetore, në festa dhe dasma. Kur kisha shenjtërohet, atëherë ajo nuk mund të përdoret për çfarëdo mbledhjesh. Kur personi shenjtërohet, atëherë ai merr mbi vete përgjegjësinë e veçantë për shkak të shenjtërimit të vet.

Nuk jam i vetëdijshëm, o Zot, për shenjtërimin tim. Unë jam i shenjtëruar si besimtar, si meshtar, i kushtuar si rregulltar, rregulltare. Më fal, o Zot, që unë nuk mendoj fare për këtë gjë. Më fal që e kam profanizuar shenjtërimin tim. Më ndihmo që të mendoj më shumë për të. Më ndihmo që të mendoj për dërgimin tim, që themelohet në shenjtërimin që e mora.

 


Current track

Title

Artist

Send this to a friend