MEDITIMI I DITËS – SHËLBIMI IM DHE I BOTËS

Written by on August 2, 2017

Mt 13, 47-52 SHËLBIMI IM DHE I BOTËS

 

Kërkoj hirin: që të bashkëpunoj me Zotërinë dhe ta pranoj shëlbimin tim dhe të botës.

 

Në atë kohë Jezusi i tha turmës: 47 Mbretëria e qiellit i ngjan rrjetës që hidhet në det dhe mbledh çdo lloj peshku.

Jezusi ndërron përngjasimin, por mbetet tek e njëjta temë. Në mesin e atyre që e dëgjojnë ishin njerëzit që jetonin në brigjet e liqenit të Tiberiadës. Nëpër të lundronin dhe gjuanin peshk. Liqeni ishte vend në të cilin e kalonin një pjesë të mirë të kohës së tyre. I njihnin mirë teket e tij por edhe butësinë që kishte. Aq shpesh përjetuan shtrëngata dhe i nxorën prej tij rrejtën e zbrazur pas peshkimit të pasuksesshëm. Kënaqeshin në bukurinë e lundrimit në kohë të mirë, si edhe i gëzoheshin rrjetës plot, pas peshkimit të bollshëm. Prandaj Jezusi ju flet në përngjasimin të cilin e merr nga jeta e tyre konkrete që ka mundësi shumë lehtë të aktualizohet në jetë. Mbretëria e Hyji i përngjan rrjetës të cilën aq shpesh e hodhën në det që mbledh çdo lloj peshku. Kjo është aq e qartë dhe e kuptueshme.

O Zot, ti në mësimet tua je aq afër me jetën e përditshme të njerëzve. Fshehtësinë e Mbretërisë së qiejve e lidh me pjesët konkrete të jetës sonë të përditshme që të kemi mundësi ta kuptojmë më lehtë çfarë dëshiron të na thuash. Kjo do të thotë se fenë të cilën e jetoj më duhet ta jetoj në jetën e përditshme. Më duhet ta jetoj dhe ta dëshmoj në vendin e punës dhe në thirrjen time. Më ndihmo që ta përjetoj në Fjalën tënde nëpër të cilin e pranoj. Më ndihmo që të mos ndaj asgjë që ti aq bukur ke bashkuar. Ma jep urtinë që të dijë të lutem në themelin e realiteteve konkrete të jetës sime që jeta ime të jetë konkrete dhe e jetuar mirë.

48 Kur mbushet, peshkatarët e qesin në breg, ulen dhe i mbledhin peshqit e mirë në enë e të këqijtë i tresin.

Pas peshkimit të bollshëm të peshqve, vjen zgjedhja. Kjo është puna e zakonshme e peshkatarëve. Në rrjet bashkohen të gjitha: çfarë është e dobishme dhe me vlerë, dhe çfarë nuk vlen asgjë as nuk është e dobishme. Aty ka peshq të mirë që vendosen në enë të përgatitura dhe peshq të këqij që hidhen jashtë. Sikurse pranë grurit është egjra, kështu edhe rrejta e peshkatarëve mbledh peshq të mirë dhe të këqij, çdo gjë që gjendet në det.

Jezusi thekson përsëri çfarë duhet kuptuar dhe pranuar. Bota jonë është e tillë: e jashtmja në të cilën jetojmë dhe e brendshmja që e jetojmë. Ka të mira dhe të keqja. E mira është e bashkuar me të keqen.

49 Kështu do të ndodhë edhe në mbarimin e botës: do të dalin engjëjt e do t’i ndajnë të këqijtë prej të drejtëve 50 dhe do t’i hedhin në furrë të ndezur, ku do të jetë vaj dhe kërcëllim dhëmbësh.”

Një ditë do të ndodh ndarja fatale e të mirëve dhe të këqijve. Deri atë ditë është koha e përcaktimit, koha e kthimit. Zotëria na jep kohën e mjaftueshme që ta bëjmë zgjedhjen e duhur dhe ta bëjmë përcaktimin personal të zgjedhjes. Mirëpo me duhet ta kuptoj se koha kalon shpejt dhe nuk zgjatet pafundësisht. Ne jemi të kufizuar me kohën që kalon. Nuk e dimë cilat çaste janë të fundit. Kur do të ndodh kjo, gjithashtu nuk e dimë. Mirëpo është më se e sigurt se do të ndodh. Është e sigurt se papara Zotëruesit të jetës do ta nxjerr rrjetën e jetës sime. Çfarë do të ketë në të? Çfarë kam mbledh në të derisa e kam tërhequr gjatë jetës?

Të falënderoj, o Zot, që na pranon ashtu siç jemi, të dallueshëm më njëri-tjetrin. Na krijove në përngjasimin tënd por në këtë përngjasim gjatë jetës e kemi deformuar. Ai bëhet karikaturë. Pranë të gjithave, në prapëseprapë jemi përkatësia jote. Të falënderoj që je i durueshëm dhe me pranon me të gjitha të mirat dhe të këqijat që janë në mua dhe në jetën time. Bëj që të mirën që kam në vetvete, që shumë herë përzihet më shtresat e të keqes, askurrë mos ta mbizotërojë e keqja. Që në ndarjen përfundimtare vendi im të jetë në mesin e të drejtëve në Mbretërinë tënde qiellore. Edhe këtu, o Zot, ma tërheq vërejtjen se është e mundur të ndodh edhe përfundimi tragjik. Mos lejo që mos ta marrë seriozisht këtë vërejtje që ma bënë kur më flet për vajin dhe kërcëllimën e dhëmbëve. Kjo vërejtje le të më mbaj të zgjuar dhe le të më nxis që të bashkëpunoj me ty për ta shëlbuar botë dhe vetveten.

51 “A i kuptuat të gjitha këto? Po! ‑ iu përgjigjën ata. 52 E ai u tha: “Kështu pra, çdo skrib, që e përvetësoi mësimin e Mbretërisë së qiellit i përngjan të zotit të shtëpisë, që nxjerr nga thesari i vet gjëra të reja e të vjetra.” 53 Kur Jezusi i kreu së treguari këto shëmbëlltyra, shkoi prej andej.

Në fund Jezusi i pyet drejtpërsëdrejti dhe e merr përgjigje të qartë. Njerëzit e kanë kuptuar se çfarë iu tha. Prandaj lavdëron ata skribë që vepruan me urti. Ata e ruajtën të mirën që e morën nga BV dhe ishin të hapur për të mirën e BR që fillon me Jezusin. Nga  thesari i tyre dinë të nxjerrin të renë dhe të vjetrën. Ky është ideali i mësuesit të urtë që është i hapur dhe i gatshëm që të mësojë gjithmonë.

 


Current track

Title

Artist