MEDITIMI I DITËS – SË BASHKU

Written by on April 4, 2017

Gjn 21,1-14 SË BASHKU

 

Kërkoj hirin që të besoj në Fjalën e Jezusit edhe kur prej meje kërkon të pamundurën.

 

1 Pastaj Jezusi prapë iu dëftua nxënësve në breg të detit të Tiberiadit. U dëftua kështu: 2 Ishin bashkë … 3 U tha Simon‑Pjetri: “Po shkoj të gjuaj peshk.” “Po vijmë edhe ne me ty!” ‑ i thanë ata. U nisën, pra, e hynë në lundër, por atë natë nuk zunë asgjë.

Pjetri ishte më i natyrshmi, prandaj vendosi edhe që t’i kthehej barkës së vet. Nuk donte të ndalej e të mendonte për diçka që kishte kaluar tashmë, për një gjë që nuk ekzistonte më, as ta vriste mendjen për një gjë që nuk kishte kurrfarë ardhmërie të sigurt. Çdo gjë i dukej e pasigurt, prandaj gjëja më e mirë ishte që t’i kthehej mënyrës së vjetër të jetës dhe zanatit prej të cilit «qe shkëputur» para pothuajse tre vjetësh. Të tjerët u bashkuan me kënaqësi me të. Ata pothuajse ishin mësuar tashmë që të ishte Pjetri ai që e merrte nismën. Edhe tani shkuan pas tij, e pastaj do ta shihnin se ku dhe çfarë do të bënin. Nuk e lodhnin mendjen me shfaqjet e Jezusit të ngjallur, as me ngjalljen e Tij. Të gjitha këto ishin shumë të vështira për kryet e tyre të thjeshtë. Të shkonin për të gjuajtur peshk e  të pushonin prej gjithçkaje, ndoshta edhe për t’i harruar të gjitha këto; kjo ishte ajo çka iu shkonte nëpër mend.

Edhe pse ajo natë premtonte peshkim të mirë, e ata dëshironin ta provonin përsëri fatin, nuk zunë asgjë. Edhe një mossukses tjetër. Çdo gjë ishte kundër tyre. Bënë gjithçka, u nisën me hov të ri në punën e vjetër, por asgjë. Natë e vdekur.

Më ndodh ndonjëherë, o Zot, që edhe unë të jem në të njëjtën situatë në të cilën ishin nxënësit e Tu menjëherë pas vdekjes Tënde. Edhe unë i kam netët e mia, në të cilat kam përjetuar mossukses, dëshpërim; e pra jam përpjekur shumë që të bëj diçka. Ti i di mossukseset e mia dhe përpjekjet që kam bërë. Ti më shikon edhe mua siç i shikoje nxënësit e Tu atë natë, në të cilën u munduan shumë e nuk zunë asgjë. Edhe duart e mia shumë herë janë të zbrazëta dhe nuk kam asgjë me çfarë të dal para Teje.

4 Kur zbardhi drita, ja, Jezusi në breg. Nxënësit nuk e dinin se ishte Jezusi. 5 Jezusi u tha: “Djelmosha, a keni ndopak peshk?” “Jo!” ‑ u përgjigjën ata. 6 Ai u tha: “Qitni rrjetën në anën e djathtë të lundrës e do të gjeni!” Ata e hodhën e nuk mund ta nxirrnin, aq u ngarkua me peshk.

Ja, Jezusi ishte aty afër tyre. Në natën e pasuksesshme, në dëshpërim dhe në dyshim. Përsëri nuk e njohën. Nuk ndodhi kjo për shkak të largësisë, as për shkak të mjegullës së mëngjesit. Thjesht, Jezusi ishte ndryshe pas ngjalljes. Mirëpo, Ai ishte përsëri me ta në zanatin e tyre. Disa prej tyre i thirri pikërisht ndërsa po e kryenin këtë punë. Edhe tani, pas ngjalljes, duhej që ta përjetonin Jezusin sërish në punën e vet, por ndryshe nga kur e takuan të parën herë dhe kur i thirri që të shkonin pas Tij.

I quajti «fëmijëz». Jezusi e shqiptoi këtë emër me butësi tepër të madhe. Ai e kuptonte dëshpërimin e tyre dhe gjithçka që e përjetuan ditëve të fundit për shkak të Tij. Interesohej për ta. Ai e kishte përsëri nismën. Dëshironte t’u ndihmonte. Të falënderoj, o Zot, që sillesh kështu edhe me ne. Nuk të njohim e Ti je me ne në kujdeset tona të përditshme, në punët tona dhe në zanatet tona. Kur errësohet shikimi ynë në Ty, për shkak të dëshpërimit dhe mossuksesit, Ti na propozon mundësinë e re. Atëherë e kuptojmë se si ishe afër nesh, edhe pse ne nuk të njohëm. Atëherë e kuptojmë se si me hirin Tënd i hodhëm rrjetat në anën e duhur dhe peshkimi ishte i begatshëm.

7 Atëherë ai nxënësi, të cilin Jezusi e donte, i tha Pjetrit: “Është Zotëria!” Simon‑Pjetri, si dëgjoi se është Zotëria, u mbështoll me petkun e sipërm ‑ sepse ishte i zhveshur ‑ dhe u hodh në det. 8 Nxënësit e tjerë erdhën me lundër….

Gjoni reagoi i pari: «Është Zotëria!» Përsëri, dashuria ka të drejtë dhe e njeh e para Zotin. Pjetri, në thjeshtësinë e vet, nuk kishte durim që t’i afrohej ngadalë Zotërisë, por u hodh në det dhe dëshironte që të arrinte sa më parë tek Ai. O Zot, Pjetrit iu kujtua peshkimi i parë i mrekullueshëm, pas të cilit njohu veten se ishte mëkatar. Të gjitha këto e detyruan që të vinte te Ti më parë dhe më shpejt se të tjerët.

11 Atëherë Simon‑Pjetri hipi në lundër, e nxori në tokë rrjetën plot me peshk: njëqind e pesëdhjetë e tre peshq të mëdhenj. Dhe, megjithëse ishin aq shumë, prapë nuk u shqye rrjeta.

Kur të dëgjojmë Ty dhe bëjmë si tha Ti, rrjeta mbushet plot e nuk shqyhet. Ti do që të bashkëpunojmë me Ty, por nuk do që të punosh për ne. Na i jep hiret e mjaftueshme, por pret që ne të hapemi para Teje. Kur bashkohen zelli ynë dhe hiri Yt, peshkimi bëhet i madh, i pasur dhe i bekuar. Më ndihmo, të lutem, që ta kuptoj këtë gjë.

12 Jezusi u tha: “Ejani e hani!” Askush prej nxënësve nuk pati guxim ta pyesë: “Kush je ti?”, sepse e dinin mirë se ishte Zotëria. 13 Jezusi u afrua, mori bukën e ua dha. Po ashtu edhe peshkun.

Jezusi e përgatiti gjithçka. Ushqimi ishte gati. Ai ua dha bukën dhe peshkun. Të gjitha këto ua kujtuan gjestet që bënte ndërsa jetonte me ta. Po, ky ishte Zotëria i tyre. Askush nuk pyeti. E kishin të qartë, edhe pse dukeshin sikur të ishin «zgjuar» nga një ëndërr e rëndë. Ngjallja nuk pranohet lehtë kur njeriu e ka shikimin e mjegulluar, kur mbi njeriun peshon realiteti i tokës dhe pluhuri i saj i dendur.

 


Current track

Title

Artist