MEDITIMI I DITËS – SA MË SHUMË E DUAM JEZUSIN AQ MË SHUMË DUAM TË AFËRMIN

Written by on July 1, 2017

E diela e XIII gjatë vitit A

 

Mt 10, 37 – 42 SA MË SHUMË E DUAM JEZUSIN AQ MË SHUMË DUAM TË AFËRMIN

 

Kërkoj hirin: që të besoj, o Zot, se nuk jam i denjë për ty.

 

O Zot, e kush është i denjë për ty? Më duket lutja që themi para Kungimit është lutja  më e vërtetë për ne: “O Zot, unë nuk jam i denjë që të hysh nën pullazin tim por thuaje një fjalë të vetme e shpirti im do të shërohet!” Më duket se në këtë tokë është e pamundur që të jemi të denjë për Ty, e sidomos është e pamundur që të jemi të denjë për dhuratat e tua, për Sakramentin e dashurisë sate, për të marrë trupin tënd që dhurohet dhe gjakun tënd që derdhet. Vërtetë unë nuk jam i denjë, por Ti me nevojitesh aq shumë.

Vetëm atëherë kur e lexoj këtë pjesë të Ungjillit, o Jezus, shikoj sa arsye kam që ta shoh veten se jam i padenjë për Ty. Ti i numëron personat që sipas natyrës janë afër me secilin njeri: babai, nëna, biri, bija… Ti dëshiron që unë ta njoh vetveten dhe të krahasohem në dritën e kësaj dashurie natyrore dhe të kësaj përkatësie. Ti, o Jezus, dëshiron të jesh para të gjithë njerëzve, në vendin e parë sipas dashurisë së pastër, sipas përcaktimit jetësor, sipas dorëzimit të plotë në dorën tënde. E di se nuk të dua mjaftueshëm. Ndjej se nuk të dua në mënyrë aq konkrete dhe në mënyrë aq të qartë sikurse i dua njerëzit dhe të afërmit e mi. Në krahasim me këtë dashuri kaq konkrete kam ndjenjën se ti, o Jezus, ndonjëherë je shumë larg nga unë. Në të vërtetë se unë jam aq larg prej Teje.

Ti do që të dua më shumë. Më shumë se të gjithë njerëzit, më shumë se të gjitha gjërat, më shumë se çdo gjë tjetër në ketë botë, më shumë se jetën time. Në të vërtetë, ti, o Jezus, dëshiron të bëhesh gjithçka për mua, që të bëhesh jeta ime. Prandaj Simon Pjetrin e pyete: “A me do?”

Më duhet të pranoj, o Jezus, si ti nuk je në jetën time në vendin e parë, sepse ka persona të cilët “nderoj” më shumë se Ty, sepse prej disa njerëzve, ndonjëherë varem më shumë se prej teje. Më duhet të pranoj, o Jezus, se shumë gjëra kërkoj më shumë, se për shumë gjëra ëndërroj më shumë se sa për Ty. Shumë gjëra kanë depërtuar më thellë në zemrën time se sa Ti. Dua të jetoj, dua t’i kem të gjitha, dua të kënaqem me jetën, shpesh këtë gjë e bëj pa Ty, ndonjëherë edhe kundër Teje, duke flijuar kështu marrëdhënien time me Ty. Unë nuk e kuptoj gjithmonë, o Jezus, rëndësinë dhe kërkesën që ka fjala jote: “Nëse dikush do ta shpëtojë jetën e vet, do ta humb, dhe kush e humb jetën për shkakun tim, ai do ta gjej!”

Jezus, nuk jam i denjë për Ty. E pra kam aq shumë nevojë për Ty, kam nevojë për ty, siç ka nevojë i urituri për bukë, i eturi për ujë, i mërdhituri për diell. Kam nevojë për Ty, o Jezus, sepse pa Ty vërtet nuk ka jetë. Nuk jam i denjë dhe nuk e di kur do të jem, por Ti, o Jezus, në mirësinë tënde deshe ta pranosh vogëlsinë e natyrës sonë njerëzore; po të lutem që tani ta pranosh padenjësinë e qenies sime, të trupit dhe të shpirtit tim, dhe, eja, o Jezus, nën pullazin tim dhe do të shërohet qenia ime, do të shërohet shpirti im! O Zot, unë nuk jam i denjë, por ti eja! Dua të ndjej se ti je babai, nëna, vëllai, motra dhe gjithkush dhe gjithçka tjetër në këtë botë. Të besoj, o Jezus, se të gjithë të afërmit vërtetë do t’i dua kur ti e ke vendin e parë në jetën time. Në Ty dhe përmes Teje do të kem mundësi, vërtetë t’i dua të gjithë.


Current track

Title

Artist