MEDITIMI I DITËS – SA HERË TË FAL

Written by on August 16, 2017

Mt 18, 21-19, 1 SA HERË TË FAL

 

Kërkoj hirin: që të jem bujar në falje.

 

Në atë kohë, 21 Pjetri iu afrua Jezusit dhe e pyeti: “Zotëri, nëse vëllai im gabon ndaj meje, sa herë duhet ta fal? Deri në shtatë herë?”

Biseda vazhdon. Tema është interesante, depërton thellë në marrëdhëniet tona njerëzore. Këtu bëhet fjalë për falje. Pyetja e Pjetrit është e rëndësishme edhe pse ai këtu e bëri duke llogaritur. Prapëseprapë e bëri me shpirt optimist dhe i gatshëm për të falur. Të gjithë ne jemi të tillë. Jemi të vetëdijshëm se ekziston kufiri i durimit. Edhe Pjetri pyet ku është kufiri? Duhet pranuar se Pjetri është bujar. Ta falësh dikë shtatë herë nuk është pak. Të provojmë ta bëjmë këtë gjë dy herë dhe do të shohim se nuk është as e lehtë as e thjeshtë. Pastaj, a bëhet fjalë për faljen shtatë herë në një ditë, gjatë një muaji, gjatë një viti ose gjatë gjithë jetës? Në qoftë se shikojmë kështu përsëri jemi duke bërë llogari dhe jemi duke vendosur masën tonë. Si e shikon Jezusi këtë gjë?

22 Jezusi iu përgjigj: “Nuk po të them deri në shtatë herë, por deri në shtatëdhjetë herë shtatë herë!

Bujaria e Pjetrit u ndal në numrin shtatë. Tani kemi bujarinë e Jezusit. Ai vazhdon aty ku e la Pjetri. Prandaj falja si e kupton Jezusi nuk ka fund, është e pakufishme. Vërtet, të gjitha këto janë simbolikë e numrave. Numri shtatë është numri i përsosur. Kur shumëzohet me vetveten paraqet pafundësi. Pjetri mendonte se kjo mjafton dhe se me këtë gjë arriti përsosmërinë. Jezusi shkon më tutje, nuk vë kufi sado bujar të jenë ata. Ai do që të falim gjithmonë.

Problemi i faljes së vërtetë është i tillë saqë për të nuk mund të flasim në tryezë të rrumbullakët, sado serioze të jetë ajo. Për të kemi mundësi të flasim vetëm me Hyjin, në gjunjë dhe në lutje duke e pranuar me besim të sinqertë dhe të thellë.

23 Prandaj Mbretëria e qiellit i përngjan Mbretit që vendosi të rregullojë llogaritë me shërbëtorët e vet. 24 Kur filloi të bëjë llogari, i sollën njërin që i kishte detyrim dhjetë mijë talenta. 25 E, pasi nuk kishte t’ia kthente, zotëria i tij dha urdhër të shitej ai, gruaja e tij, fëmijët e tij dhe krejt pasuria e tij e të kthehej detyrimi. 26 Atëherë shërbëtori i ra ndër këmbë dhe iu lut: ‘Ki durim me mua dhe do t’i kthej të gjitha!’ 27 Zotëria pati mëshirë ndaj atij shërbëtori, e liroi edhe ia fali detyrimin.

Borxhi në këtë shëmbëlltyrë është vlerë që nuk matet dot. Dhjetëmijë talenta janë njëqind milion denarë, e një denarë është rroga ditore e një punëtori. Ky borxh është tejet i madh, na ndihmon që të ndalemi dhe të përpiqemi ta paramendojmë mirësinë dhe bujarinë e mbretit që e fal borxhin e tillë.

Ky është vetëm përngjasimi i Atit tonë qiellor. Me këtë gjë, Jezusi dëshironte të thotë sa bujar është Hyji ynë dhe çfarë falje ka. Ati qiellor në falje është shkapërderdhës. Falja e tij tejkalon çdo kuptim tonin për faljen.

28 Porse, shi ky shërbëtor, duke dalë prej andej, u takua me një shok të tij, gjithashtu shërbëtor, që i kishte detyrim njëqind denarë. Dhe, si e zuri, ia ngjiti në fyt duke i thënë: ‘Ma kthe detyrimin!’ 29 Atëherë shoku i tij i ra ndër këmbë dhe iu lut: ‘Ki durim me mua dhe do t’i kthej.’ 30 Por ai nuk deshi dhe shkoi dhe e shtiu në burg derisa të kthente detyrimin.

Ndodh kthimi i pabesueshëm. Njeriu që mori faljen e borxhit të pallogaritshëm nuk është i gatshëm të falë borxhin krejtësisht të vogël «një milion herë më të vogël», që ia kishte borxh shoku i tij. Prandaj zotëria në takimin e radhës është i rreptë ndaj tij. I thotë «shërbëtor i keq» dhe e qorton pse nuk veproi edhe ai sikurse ky veproi me të.

Këtu kemi figurën tonë. Nuk jemi të gatshëm t’i falim tjetrit borxhin më të vogël, ndërsa ne kërkojmë që të na i falin fyerjet shumë të mëdha. A jam i gatshëm për të falur? Më duhet t’i lutem Zotërisë që të më japë hirin që të fali të tjerët. Gatishmëria për falje paraqet dhe flet se në vetvete e kemi shpirtin e Hyjit, se në ne është shkëndija hyjnore.

31 Kur shërbëtorët e tjerë – shokët e tij, panë se ç’ndodhi, u pikëlluan për së tepërmi, shkuan dhe e njoftuan zotërinë për krejt çka ngjau. 32 Atëherë zotëria i tij e thirri dhe i tha: ‘Shërbëtor i keq, unë ta fala tërë borxhin, sepse m’u lute. 33 A nuk u desh që edhe ti të kishe mëshirë ndaj shokut tënd, sikurse edhe unë pata mëshirë ndaj teje?’ 34 Atëherë zotëria i tij, i hidhëruar, ua dorëzoi torturuesve derisa të kthente tërë detyrimin. 35 Kështu do të bëjë me ju edhe Ati im qiellor, nëse s’e falni me gjithë zemër secili vëllanë tuaj.” 19,1 Si i kreu Jezusi këto fjalime, doli prej Galilesë e erdhi në krahinën e Judesë, matanë Jordanit.

Në lutjen Ati ynë, secilën ditë e kërkojmë të njëjtën gjë por me fjalë të tjera «na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë!» a jemi të vetëdijshëm për fjalët e kësaj lutjeje? Hyji do të sillet më ne, sikurse ne do të sillemi me të tjerët. Nuk kemi mundësi të shpresojmë në mëshirën e Hyjit në qoftë se ne nuk jemi të mëshirshëm.

O Zot, po ta kërkoj zemrën e mëshirshme. E kam shumë të vështirë të kërkoj falje prej të tjerëve. Ma jep hirin që të jem i gatshëm për të kërkuar falje. Dua të jem më bujar për të falur të tjerët. Po të lutem, më ndihmo.

 


Current track

Title

Artist