MEDITIMI I DITËS – RRUGA E PLOTËSISË
Written by Radio Maria on February 28, 2017
Mt 6, 1-6.16-18 RRUGA E PLOTËSISË
E mërkura e përhime
Kërkoj hirin që ta kuptoj kryqin si rrugë drejt plotësisë së jetës dhe ta pranoj si kusht të domosdoshëm që të shkoj pas Krishtit.
Jezusi u tha nxënësve të vet: 1 “Ruajuni të mos i bëni veprat tuaja të mira në sy të njerëzve për t’u parë prej tyre! Përndryshe nuk do të keni farë shpërblimi te Ati juaj që është në qiell”.
Po fillojmë një kohë të rëndësishme të vitit kishtar: dyzet ditët e Kreshmëve. Këto ditë dëshirojnë të na e tërheqin vërejtjen për vlerat e jetës, të cilat i harrojmë shpesh dhe lehtë. Koha e Kreshmëve është rast i jashtëzakonshëm që këto vlera të ngjallen sërish në ne. Së pari, duhet ta ripërtërijmë lutjen tonë. Pastaj, të shohim sa jemi në gjendje ta bashkëndajmë me të tjerët atë që kemi. Gjithashtu, na duhet që ta ripërtërijmë shpirtin e pendesës, të përvujtërisë, të vetëpërmbajtjes dhe të flijimit. Gjatë Kreshmëve, duhet të bëhemi të vetëdijshëm, përsëri, se si na ka shëlbuar Zotëria dhe se me sa dashuri na ka dashur. Të gjitha këto duhet ta nxisin secilin prej nesh që t’i përgjigjemi Atij me të njëjtën dashuri.
Jezusi ia tërhoqi vëmendjen nxënësve të vet që ta shihnin synimin që ka çdo njeri në thellësi, synim që i nxit njerëzit të duken para të tjerëve, që njerëzit të shohin se çfarë kanë bërë dhe sa kanë bërë. Të jesh i rëndësishëm, të jesh i pranuar dhe i nderuar – kjo gjë i pëlqen njeriut. Prandaj, çdo njeri dëshiron që t’i theksojë meritat e veta.
Vërtet, kur bëj mirë, kjo mund të jetë nxitje edhe për të tjerët që të bëjnë mirë. Jezusi na fton që veprat tona të mira të shkëlqejnë para njerëzve. Po, veprat tona, e jo ne! Fatkeqësisht, ne dëshirojmë ta paraqesim vetveten. Çfarë bëjmë me këtë gjë? Dëshirojmë të ngremë lart emrin tonë, që njerëzit të dinë për ne, që të mrekullohen me ne, që të na pranojnë. Gjithmonë është në pyetje nijeti me të cilin veprojmë.
2 “Prandaj, kur të ndash lëmoshë, mos i bjer borisë para vetes, siç bëjnë shtiracakët në sinagoga dhe në rrugë të madhe për t’u nderuar prej njerëzve. Për të vërtetë po ju them: u ndanë me atë shpërblim! 3 Ndërsa ti, kur të bësh lëmoshë, të mos dijë e majta çfarë bën e djathta, që lëmosha jote të jetë e fshehtë, 4 e Ati yt që sheh në fshehtësi, do ta shpërblejë.”
Thirrja e parë që ma bën Jezusi, e për të cilën mund të mendoj gjatë Kohës së Kreshmëve, është thirrja për të ndarë me të tjerët, thirrja për t’u dhënë të tjerëve. Kjo do të thotë se duhet të mendoj konkretisht për të tjerët që janë në nevojë. Lëmosha është shenjë se unë mendoj për ata që nuk kanë dhe bëj për ta aq sa kam mundësi. Më duhet të bëj diçka në këtë pikëpamje gjatë Kohës së Kreshmëve, pra t’u jap të tjerëve kohën time, të mirat e mia. Të gjitha këto do t’i bëj me thjeshtësi dhe me përvujtëri. Mirësinë, nuk kemi nevojë ta reklamojmë. Në qoftë se është e sinqertë dhe buron nga zemra, ajo nuk mund të kalojë pa u parë dhe kështu bëhet nxitje e madhe për ata që «i prek» e të cilët e shohin.
5 “Kur të luteni, mos bëni si shtiracakët, të cilëve u pëlqen të luten në këmbë në sinagoga dhe në sheshe të rrugëve, që t’i shohin njerëzit. Përnjëmend po ju them: u ndanë veç me atë shpërblim! 6 Ndërsa ti, kur të lutesh, hyr në dhomën tënde, mbylle pas vetes derën e lutju Atit tënd që është në fshehtësi; e Ati yt që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë”
Thirrja tjetër që na e bën Jezusi në Kohën e Kreshmëve është lutja. Edhe këtu na tërheq vëmendjen që lutjen të mos e shndërrojmë në një lloj spektakli. Nuk guxojmë ta theksojmë vetëm pjesën e dukshme të lutjes, duke harruar pjesën e brendshme, qëndrimin e zemrës. Lutja është takim me Hyjin. Kjo ndodh në qetësinë e zemrës dhe të dhomës. Çdo ditë e jetës sime duhet t’i ketë çastet e heshtjes, në të cilat do të jem vetëm para Hyjit. Koha e Kreshmëve është kohë e volitshme për ta ripërtërirë lutjen personale. Nuk mjafton që të marr pjesë në Meshën e shenjtë vetëm të dielave. Nuk mjafton që lutjen ta bëj vetëm në kishë dhe para saj. Nuk mjafton që ta plotësoj urdhrin vetëm duke lutur ato gjëra që janë përcaktuar për lutjen e përbashkët, në kor, procesion ose me ndonjë përshpirtëri tjetër.
O Zot, hape zemrën time për t’u takuar me Ty. Më ndihmo që të hyj në dhomën time, që ta mbyll derën pas meje, që të jem vetëm me Ty. Ti shumë shpesh shkove në vende të pabanuara dhe ishe vetëm për vetëm me Atin tënd. Më ndihmo që të vij pas Teje.
16 “Edhe kur të agjëroni, mos u mërrolni porsi shtiracakët, të cilët marrin një hije të rëndë në fytyrë për t’u treguar njerëzve se agjërojnë: përnjëmend po ju them: u ndanë veç me atë shpërblim! 17 Ti, përkundrazi, kur të agjërosh, përeroje kokën tënde dhe laje fytyrën tënde, 18 që të mos e vënë re njerëzit se po agjëron, por Ati yt, që është në fshehtësi. Ati yt që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë”.
Kjo është thirrja e tretë që ma bën Jezusi, që Kreshmët e mia t’i bëj frytdhënëse. Është e nevojshme të bëj pendesë, edhe pse kjo fjalë jehon rëndë në veshët tanë, nuk është e pranishme në bisedat tona dhe nuk është e mirëseardhur në sjelljen tonë. Pa flijim, pa gatishmëri që të vetëpërmbahemi, pa disiplinën e brendshme të shpirtit, nuk mund të përparojmë dhe nuk mund ta realizojmë thirrjen tonë. Edhe kur agjërojmë, edhe kur flijohemi, nuk duhet të jemi të mërzitur e as të vrazhdë ndaj të tjerëve. Përkundrazi! Kreshmët nuk kanë asgjë të përbashkët me mërzinë, e cila do të na tjetërsonte dhe nuk do të lejonte që të jemi të natyrshëm. “Shenjti që është i mërzitur, është një shenjt i mjerë”, thoshte Shën Françesku i Salesit. Besimtari që është i mërzitur, vërtet është besimtar i mjerë! Të tjerët i shmangin njerëzit e tillë. Duhet të jemi me fytyrë të ndritshme, duhet ta kemi pamjen dhe sjelljen e pëlqyeshme, edhe atëherë kur bëjmë pendesë dhe flijohemi.
O Zot, më ndihmo që të kuptoj se si më shikon Ti kur unë dhuroj. Ti më dëgjon dhe më shikon kur unë lutem, Ti e di kur bëj pendesë dhe flijohem.