MEDITIMI I DITËS – RRUGA E HYJIT

Written by on December 2, 2016

Is 30, 19-21. 23-26 RRUGA E HYJIT

 

Kërkoj hirin: që të njoh rrugën në të cilën Hyji dëshiron të më drejtojë në Kohën e Ardhjes.

 

Kështu thotë Zoti Hyj, Shenjti i Izraelit: 19 Po, popull i Sionit, që banon në Jerusalem, askurrë më nuk do të qash, mëshirë do të ketë posa të kërkosh ndihmë, porsa të dëgjosh Ai do të të japë ndihmë.

 

Koha në të cilën jetoi dhe e kreu shërbesën e profetit Isaia, ishte kohë shumë e vështirë. Atij i duhej të ngushëllonte dhe të nxiste në çdo vend rreth vetes. Kërcënimi i Asirisë po bëhej gjithnjë më real dhe më i dukshëm. Sulmet e ushtrisë, zotërimi dhe shkatërrimi i qyteteve si edhe hakmarrja mbi banorët e kohërave të vjetra dinte të ishte tepër e rëndë. Qytetet rrënoheshin deri në themele, qytetaret vriteshin ose të gjithë ata që ishin të aftë për punë merreshin në robëri. Izraelitet jetonin në frikë përpara kërcënimit të Asirianve të rrezikshëm. Isaia e shikon qytetin e vet, Jerusalemin dhe përjeton tmerrin e bashkëqytetarëve të tij. Në këtë situatë të pashpresë ai nxit dhe sjell ngushëllimin. Nxit njerëzit dhe u tërheq vërejtjen për besnikërinë e Hyjit dhe për angazhimin e tij në popullin e vet. Njerëzit kishin nevojë për nxitje dhe për ngushëllim në kohën e frikës së përgjithshme dhe të shpirtvogëlsisë. Isaia sjell shpresën atëherë kur të gjithë të tjerët ishin dorëzuar. Ai beson se Hyji është besnik, se do tu ndihmojë, se do të ketë mëshirë dhe do t’i dëgjojë.

O Zot, kur të vijnë kohërat e vështira, kur kërkoj përgjigje në pyetje, por nuk e gjej, kur çdo gjë ngrihet kundër meje dhe me dukët se jam plotësisht i braktisur nga të gjithë, kur nuk di drejt kujt të kthehem dhe çfarë të bëj. Kur ndjehem i mjerë, i fiksuar dhe i pasigurt, kur nuk e njoh as veten time. Kur pyes dhe ofshaj: a do ta takoi Isainë që edhe në kohën time të sjell nxitje dhe ngushëllim? Kush do të më thotë: mos qaj më? Më ndihmo që tu kundërshtoj mendimeve të zeza të cilat më robërojnë. Më ndihmo që ta kundërshtoj shtrëngatën e cila me kërcënohet. Dëshiroj të besoj se ti je përgjigja e vetme dhe e vërtetë e jetës sime, Hyji im dhe çdo gjë e imja. Dëshiroj të jem i sigurt se ti mbetesh babai im pa marrë para sysh se çfarë ndodh.

 

 20 Edhe Zoti do t’ju japë bukën e ngushticës, ujët e mjerimit, porse Mësuesi prej teje s’do të fshihet, sytë e tu do ta shohin Mësuesin tënd, 21 veshët e tu do të dëgjojnë fjalën që qortuesi do të të thotë pas shpine: ‘Kjo është udha, andej bini!’

 

Po, do ketë çaste të vështira. Do të ketë ditë të errëta dhe të zeza kur çdo gjë para syve është e turbullt. Ditë kur nuk kemi mbështetje dhe kur frika vendoset në të gjitha porët e jetës. Në këto ditë duhet ruajtur besnikërinë dhe të jemi të qëndrueshëm. Mësuesi çdo gjë do të vendos në vendin e vet. Do kalojnë çastet e vështira, do të zhdukën ditët e errëta. Rruga përsëri do të jetë e qartë. Nëpër të duhet ecur.

Si do të afrohem, O Hyj im, në këtë kohë të Ardhjes? Në cilën rrugë me duhet të nisëm dhe në cilën mënyrë duhet të të afrohem? Fjala jote më thërret dhe të dëgjoj se më flet. Ma tregon rrugën dhe drejtimin. Më jep fuqi që të vijë pas teje.

 

 23 Atëherë ai do të japë shi për farën tënde që të kesh mbjellë nëpër ara, edhe buka që do të japë toka e shumtë do të jetë edhe e ushqyeshme. Gjëja jote atë ditë do të kullotë: anembanë nëpër kullota të gjera, 24 qe e gomarë që punojnë tokën do të hanë tagji të kripur të hedhur me lopatë e terplote.

 

Isaia i dëshiron ato të mira të cilat e plotësojnë njeriun dhe e bëjnë të lumtur. E keqja në përgjithësi duhet të zhdukët. Kohërat e Mesisë do të sjellin plotësinë e të mirave dhe të gëzimit. Kjo është koha e vendosjes së barazisë në vet njeriun dhe në çdo gjë që e rrethon atë. Ky është shndërrimi i plotë, kjo është lumturia qiellore. Po, në gjithçka duhet të ndodh shndërrimi. Këtë gjë Hyji ia dëshiron njeriut. Kjo është thirrja e Ardhjes. Na duhet të kthehemi dhe të shndërrohemi shpirtërisht. Më gjithçka është rreth nesh. Më punën tonë na duhet ta fisnikërojmë edhe natyrën. Njeriu dhe natyra vetëm së bashku kanë mundësi ta përjetojnë shndërrimin e vërtetë.

A marrë pjesë më punën dhe angazhimin tim në realizimin e këtij projekti. Ky është plani i Hyjit dhe vullneti i tij. Ky është qëllimi i Hyjit me njeriun dhe natyrën që nga fillimi, që nga krijimi.

 

 25 E do të jenë mbi çdo mal të lartë e mbi çdo kodër të lartësuar përrenj që rrjedhin me ujë vrullshëm ditën e vrasjes me shumicë, kur për tokë të bien kullat. 26 Drita e hënës do të ndriçojë si drita e diellit, drita e diellit do të jetë më e fortë shtatë herë, porsi drita e shtatë ditëve ‑ ditën, kur Zoti t’ia lidhë varrën popullit të vet, do t’ia shërojë plagën që vetë ia dha.

 

Hyji shërues. Hyji mjek. Hyji që nuk e braktis popullin e vet dhe ata që shpresojnë në të. Hyji që nuk fshihet, por shfaqet. Kërruset mbi ata që janë të provuar e që i drejtohen në vështirësi.

Besoj, o Zot, se je përkrah meje. Besoj se ti më do, se je i preokupuar kur nuk eci në rrugën tende. Besoj se vetëm ti ke mundësi të me ndihmosh që ta ndërtoj lumturinë time dhe tu ndihmoj të tjerëve në të njëjtat përpjekje. E di se nuk mundem të bëj gjë i vetmuar. As Ty nuk kam mundësi që të afrohem vetëm, nëse Ti nuk me tërheq tek vetja. E pra ti vendose në jetën time aq shumë që të të gjej më lehtë. E unë nuk i shikoj. Secili sakrament është shenjë e dashurisë sate me të cilin më tërheq. Me ndihmo që në këtë Kohë të Ardhjes këto shenja t’i vlerësoj më shumë dhe t’i pranoj më me përshpirtëri. Në këtë mënyrë do të lidhemi dhe do të afrohemi më së miri, me Ty dhe më njerëzit.

 


Current track

Title

Artist