MEDITIMI I DITËS – RIPËRTËRITJA E BOTËS
Written by Radio Maria on December 13, 2017
Is 41, 13-20 RIPËRTËRITJA E BOTËS
Kërkoj hirin: që me gatishmëri ta marrë pjesë në planin e Hyjit të ripërtëritjes së botës.
13 Sepse jam unë Zoti, Hyji yt, që të marr për dore e të them: “Mos druaj, unë do të të ndihmoj! 14 Mos u tremb, Jakob he krimb, o burra të Izraelit! Unë do të të ndihmoj” ‑ thotë Zoti, Shpëtimtari yt, Shenjti i Izraelit
Përsëri i dëgjojmë fjalët e nxitjes dhe të ngushëllimit. Sa shpesh profeti i përsëriti këto fjalë duke vizituar popullin e vet që e shpërngulën dhunshëm nga atdheu. Sa shumë u përpoq që këto fjalë të ngulitën në vetëdijen dhe në ndërgjegjen e tyre, që t’i mbartin në zemër, që mos t’i harrojë kurrë. Izraeli vërtetë ishte popull i parëndësishëm dhe i vogël, i humbur në perandorinë e madhe pagane të Babilonit. Mirëpo Hyji nuk e përbuz vogëlsinë e tij. Përkundrazi, interesohet për të, pikërisht pse është i vogël. Populli duhet ta ndjej dhe ta përjetojë kujdesin e Hyjit. Fjalët : «mos u frikëso» janë mendimi drejtues i nxitjes dhe i ngushëllimit që profeti ia bënë popullit. Edhe pse populli është i vogël dhe i shtypur në Babiloni, nuk duhet të ketë frikë. Hyji është ndihma e tij, Hyji vepron në këto rrethana që në dukje janë të vogla, të parëndësishme. Ngjarjet e lajmërimit të Mesisë do të ndodhin në një vend krejtësisht të vogël dhe të parëndësishëm, në Nazaret. Maria gjithashtu është shembull i thjeshtësisë dhe vogëlsisë. Hyji i la anash të gjitha qytetet e rëndësishme të asaj kohe dhe u ndal në Nazaret. Kaloj afër njerëzve të rëndësishëm dhe me famë dhe ndaloi tek Maria. Misteri i veprimit të Hyjit. Të gjitha këto tregojnë se vlerat e vërteta dhe planet e Hyjit nuk janë vepër njerëzore as përpjekje e njeriut që të mos ketë mundësi kush të mburret për to. Edhe atëherë kur Hyji e kërkon bashkëpunimin e njeriut, edhe kur përmes tij i realizon planet e veta, njeriut i duhet të jetë i vetëdijshëm se nuk është i rëndësishëm dhe se është krejtësisht i vogël. Jezusi na thotë: Kur të kryeni gjithçka ju kam urdhëruar thoni, jemi shërbëtor të pavlefshëm!
Hyji mendon në vogëlsinë dhe parëndësinë time. Të falënderoj, o Zot, që i jep fuqi dorës sime. Po t’i jap duart e mia. Më prano dhe me drejto. Më merr për dore, ji me mua! Emanueli im. Kur dora ime është në dorën tënde kam mundësi të jem i sigurt në rrugën time, jam i sigurt në vogëlsinë dhe parëndësinë time.
15 Ja, po të bëj trinë të re trinojëse, që ka grremça të dhëmbëzuar; malet do t’i trinosh, do t’i gërryesh, pluhur kodrat do t’i bësh. 16 Do t’i terplotosh, era do t’i tretë, vorbulla do t’i shpërndajë e ti do të gëzohesh në Zotin, do të galdosh në Shenjtin e Izraelit.
Kjo është shpallja e hakmarrjes që do të bëhet kundër zotërimit të Babilonisë dhe robërimit. Aq më shumë, këtu kemi shpalljen e gëzimit pas mundimeve dhe vështirësive të cilat ndodhen në robëri. Do të gëzohen dhe do të galdojnë pas të gjithave kur do të jenë të lirë në vendin e tyre.
Kjo është ndjenja që përcjell secilin njeri kur të dalë nga errësira në dritë, kur kalon nëpër tunelin e vështirësisë, të tmerrit dhe pasigurisë dhe kalon në liri. Këto janë çastet e falënderimit dhe të klithjes në Hyjin Shëlbues. Kjo është atmosfera e lirisë së bijve të Hyjit.
17 Skamnorët e të varfrit ujë kërkojnë, por ujë s’ka, gjuha e tyre nga etja u tha, unë, Zoti, do t’i vështroj, unë, Hyji i Izraelit, s’do t’i braktis.
Kjo është fjala e zemrës së butë të Hyjit. Fjala e ngushëllimit që i bëhet zemrës së njeriut të pangushëlluar. Të mjerët dhe të varfrit kërkojnë, presin dhe ofshajnë. Kjo është etja e njeriut të cilën nuk kemi mundësi ta shuajmë vetëm me fjalë të mira dhe me porosi. Kjo është etja e vërtetë për të gjitha ato gjëra që nuk i ka e që i mungojnë. Ujët këtu është simboli i krejt asaj që të varfrit nuk e kanë as në aspektin material e as në aspektin shpirtëror. Këta njerëz as nuk janë të pranuar as nuk janë të dashur. Këta njerëz nuk e kanë dinjitetin e vet. Nuk kanë pagesën e duhur, nuk kanë mundësi të jetojnë nga puna e duarve të veta, njerëz të cilëve nuk ju jepet asnjë përgjegjësi. Thjeshtë, këta njerëz nuk janë në pozitë të barabartë me njerëzit që të gjitha këto i kanë por nuk kujdesën për ata të cilëve të gjitha këto iu mungojnë. Në botën tonë, a ka «ujë» që kemi mundësi ta ofrojmë? Këtë ujë, a e kam unë? Ose ndoshta çdo gjë në mua dhe rreth meje është e tharë dhe e shkretë?
Zotëri, ty të duhet gatishmëria e jonë që t’i realizosh të gjitha këto. Ti i kërkon duart tona që të veprosh, kërkon zemrën tonë që sikur zemra jote të jetë e ndjeshme për nevojat e të tjerëve. Më ndihmo që t’i bashkohem dëshirës sate dhe të gjithë atyre që janë angazhuar në këtë rrugë. Më ndihmo që të di të përgjigjem në ofshamën e të gjithë atyre që janë në vështirësi.
18 Lumenj do të shpërthej në kodra të shogëta, në lugina do të pëlcasë ujët e gjallë; Shkretëtirën kënetë do ta bëj, tokën e thatë burime ujërash! 19 Në shkretëtirë do ta mbjell cedrin, akacjen, mirtën e ullirin; në shkretëtirë bredhin do ta mbjell, bashkë me vidh e qiparis, 20 që të shohin e ta kuptojnë, ta mendojnë e vesh ta marrin njëherësh, se dora e Zotit këtë e bëri, e krijoi Shenjti i Izraelit.
Figurat e gëzimit, të jetës, freskisë, frytshmërisë dhe të begatisë. Shenjti i Izraelit, shprehje me të cilën Profeti emërton Hyjin. Ai do në vapë ta vendos freskinë, në thatësirë ujin, shkretëtirën do ta shndërrojë në tokë të frytshme, stepën do ta pyllëzojë.
O Zot, bota jonë ka plot bregore të shkretuara, e mbuloi shkretëtira, u bë tokë e tharë dhe të pafryt, stepa të pafundme. Këto figura flasin për varfrin e jetës sonë materiale dhe shpirtërore. Edhe njëra edhe tjetra janë të thara dhe pa ujë. Por ti dëshiron ta shndërrosh, prandaj kërkon bashkëpunëtor. Na ndihmo që përball njëri-tjetrit të jemi të hapur dhe të mirëpritur. Bëj që rreth nesh të formojmë hapësira në të cilat të tjerët do të ndjehen mirë, në të cilat do të rritën dhe do të bëhen persona të pjekur. Bej që Ardhja jonë të jetë e tokë e frytshme në të cilën rritet jeta e freskët dhe e gëzueshme.