MEDITIMI I DITËS – QORTIMI VËLLAZËROR
Written by Radio Maria on September 9, 2017
Mt 18, 15-20 QORTIMI VËLLAZËROR
Kërkoj hirin: që të besoj në kërkesën e Jezusit për të qortuar me dashuri.
O Zot, të falënderoj për nxitjen dhe dashurinë. Premtimi yt se do jesh me ne përgjithmonë, dhe se me siguri je aty ku janë dy ose tre të bashkuar në emrin tënd, me nxit. Ku gjenden dy persona të bashkuar në emrin tënd dhe e ndjen njeri-tjetrin si vëllezër, aty je Ti, o Jezus, i pranishëm, aty je ti si i treti vëlla. Kjo siguri e pranisë sate është bekimi i mrekullueshëm që në vete ka secila lutje. Ti me siguri kurrë nuk ke për të munguar. Je i pranishëm plot me dashuri në secilin bashkim të nxënësve të Tu, të besimtarëve.
Të falënderoj, o Jezus, që në këtë mënyrë me tregon se je edhe vëllai im dhe se je afër meje. Ndjej në zemrën time si ti je i pari dhe më i afërmi vëlla. Dua të dëgjoj prej teje ato fjalë që ia drejton secilës bashkësi vëllazërore: qortimin dhe shëlbimin. Të përjetoj, Ty, o Jezu, fuqishëm, si vëllain që me qorton secilën herë kur sado pak përqendrohem në lutje, kur qetësohem për ndonjë çast dhe rri para Teje. Ti vjen menjëherë, me nxit, me qorton, me ngushëllon, me shëlbon. Jezus, Ti je i tillë, vëlla i mirë, që do ta përvetësosh secilin prej nesh, që dëshiron të shëlbohet secili prej nesh dhe askush të mos birret.
Faleminderit, o Jezus, për ketë dashuri kaq të madhe. Po, unë jam vëllai yt i cili shpesh gabon. Të falënderoj që me qorton, që ma tërheq vërejtjen vetëm për vetëm, në katër sy. Të falënderoj që këtë gjë e bën në mënyrë të durueshme duke dashur që shumë gjëra të mbeten fshehtësi mes teje dhe meje. Të falënderoj për krejt kujdesin tënd dhe mirësinë. Po, o Jezus, unë jam vëllai yt që di shpesh të gabojë. Në të vërtetë, mbetem pa fjalë, para teje, o Jezus, që edhe pas shumë përvojave të këqija për shkak të rënieve të mia gjithmonë me konsideron vëlla, që si të tillë ende me pranon.
Mbartë në vetvete, o Jezus, përvojën e thellë të durimit tënd, mëshirës dhe mirësisë. Të falënderoj. Po të lutem, o Jezus, ma jep hirin që në mënyrë të ngjashme të bëhem edhe unë vëllai i të gjithë njerëzve që i kam përreth. Mos lejo që dikush afër meje, për shkak të paraqitjes së dobësisë, të largohet të të mos me konsiderojë më vëlla. Mos lejo që ta përjashtoj askënd nga zemra ime për shkak të mëkatit dhe dobësisë që ka. Ma jep dashurinë e qëndrueshme dhe të durueshme me të cilën do të di që secilit njeri rreth meje t’i tregojë se e kam vëlla, se e kam motër. Mos lejo që me asnjë veprim të gabuar ta mbyll para tyre derën e mirësisë dhe të mëshirës.
Prandaj, o Jezus, me liro, na liro të gjithëve nga të përfolurit dhe fajësimet që ia bëjmë njëri-tjetrit, na liro nga fjalët fyese, mosdurimi dhe zemra e ngurtësuar. Na liro, o Jezus, nga gjykimi dhe përjashtimi. Mos lejo që ta gjykoj askënd, që ta përjashtoj askënd. Më jep hirin që këto raste t’ia besoj Kishës. Ndërsa mua me jep dashurinë dhe durimin që për arsye se bollshëm kam përjetuar fuqinë e mëshirës sate secilit vëlla të di t’i dhuroj mëshirë. Më jep, o Jezus, që të përpiqem që gjithmonë ta fitoi vëllain, e jo që ta humb. Bëj që kërkimi i shëlbimit të vëllait tim të jetë gjithmonë para syve të mi dhe në zemrën time.