MEDITIMI I DITËS – QËNDRUESHMËRIA NË LUTJE

Written by on November 17, 2017

Lk 18, 1-8 QËNDRUESHMËRIA NË LUTJE

E shtunë

 

Kërkoj hirin që të jem i qëndrueshëm në lutje, duke besuar në plotësimin e saj.

 

Në atë kohë, Jezusi 1 u tregoi nxënësve të vet shëmbëlltyrën se si duhet të lutemi gjithmonë e kurrë të mos pushojmë.

Dje kemi medituar mbi një lexim që mund të na tmerrojë. Figurat ishin shumë të fuqishme: uji, zjarri dhe shqiponjat. Secili prej këtyre realiteteve prish dhe shkatërron. Kjo gjë e vendos në ne tmerrin dhe luftën. Jezusi nuk e do këtë gjë. Ai ka për qëllim që të bëhemi seriozë, që të dalim prej gabimeve tona, prej dembelisë dhe moskujdesit. Nuk dëshiron as të na frikësojë, as të na tmerrojë. Ai mund të vonojë me «ditën e vet», mund ta shtyjë, mirëpo, ne duhet ta presim të përgatitur. Mund të na lindin pyetjet: a ka mundësi që të jem gjithmonë i gatshëm? A do t’ia dal dot? A do të kem fe mjaft të fortë dhe të qëndrueshme që t’i duroj të gjitha këto? Nuk guxojmë që ta humbim shpresën. Jezusi na e paraqet këtë shëmbëlltyrë që të na mbushë me shpresë dhe të na thotë se si duhet të jemi dhe se si duhet të sillemi.

2 Ai tha: »Ishte në një qytet një gjykatës që Hyjin nuk e druante e për njerëz nuk e çante kryet. 3 Po në atë qytet ishte edhe një grua e vejë, e cila shkonte shpesh tek ai dhe i lutej: ‘Më mbro prej kundërshtarit tim!’ 4 Por ai s’qe në kujdes për një kohë të gjatë. Dikur tha vetë më vete: ‘Edhe pse s’e druaj Hyjin e për njerëz nuk e nxeh kryet, megjithatë, 5 pasi kjo grua e vejë po më trazon do ta mbroj që të mos vijë më të më mërzisë prore.’«

Këtu kemi një shëmbëlltyrë me kontraste të fuqishme. Gjykatësi është mendjemadh, njeri pa Zot, pa zemër, nuk lodhet për asgjë, përveçse për veten dhe rehatinë e tij. Mirëpo, prapë se prapë kryen njëfarë drejtësie. Këtë gjë e bën më shumë për shkak të trazimit, sepse dëshiron që të mos shqetësohet, sesa për t’i ndihmuar vejushës së mirë. Ajo i përkiste asaj pjese të shoqërisë që ishte më e goditura dhe më e pambrojtura. Hyji i mbronte këta njerëz përmes profetëve në Besëlidhjen e Vjetër. Një e vejë e tij hasi në këtë gjykatës të pandjeshëm. Në dhimbjen e saj hasi një mundim edhe më të madh. Mirëpo, ajo është çuditërisht e qëndrueshme në kërkesat e saj. Nuk kishte mundësi të bënte gjë tjetër vejusha e mirë. Vazhdimisht vinte dhe gjykatësi vazhdimisht e refuzonte. Thellë në zemër e kishte sigurinë që një ditë do t’ia dilte dhe prandaj edhe ishte e qëndrueshme. Kjo është shenja e saj që na mahnit. Qëndrueshmëria e lëvizte dhe do ta lëvizë edhe gjykatësin e padrejtë që t’i ndihmojë.

O Zot, më duhet të jem i qëndrueshëm dhe i durueshëm edhe pranë mossuksesit. Më duhet të trokas edhe atëherë kur dera mbetet e mbyllur. Më duhet të kërkoj edhe atëherë kur nuk gjej. Më jep qëndrueshmërinë e kësaj vejushe të shëmbëlltyrës që më tregon.

6 Zotëria vazhdoi: »Dëgjoni ç’thotë gjykatësi i padrejtë! 7 Vallë, Hyji a nuk do t’i mbrojë të zgjedhurit e vet që i kërkojnë ndihmë ditë e natë?

Gjëja më rëndësishme që na e thotë Jezusi dhe dëshiron që ta kuptojmë është se, në këtë shëmbëlltyrë, theksi nuk është aq shumë në qëndrueshmërinë sesa është në sigurinë se do të na dëgjohet lutja. Po të mos ishte e sigurt në vetvete vejusha se një ditë gjykatësi do ta dëgjonte, qëndrueshmëria e saj do të zhdukej. Në këtë shëmbëlltyrë, fjalët më të rëndësishme janë: «Dëgjoni çfarë thotë gjykatësi i padrejtë, a thua Hyji nuk do t’i mbrojë të dashurit e vet…». Ky është kulmi. Më duhet t’i dëgjoj përsëri këto fjalë të Jezusit. Ai i thotë prej përvojës personale që ka. Ai lutej vazhdimisht. Secila ditë e jetës së tij ishte e rrethuar me lutje, qoftë kur e rrethonte turma, qoftë kur udhëtonte nëpër rrugët plot pluhur të Palestinës, qoftë kur ishte në bregun e detit ose në vende të vetmuara, ai gjithmonë ishte në atmosferë lutjeje. Lutja e vazhdueshme, deri sa të dëgjohet, nuk është përsëritje automatike e formulave të njëjta, as organizim i lutjeve të mundimshme që bëhen në bashkime të ndryshme. Të lutesh vazhdimisht do të thotë që çdo ditë t’ia paraqitësh Hyjit kërkesat e tua me sigurinë e plotë se ai do të dëgjojë. Kur besojmë në këtë gjë dhe jetojmë nga feja, atëherë nuk do të dobësohemi. Hyji mund të vonojë për t’u përgjigjur, por gjen arsye të jashtëzakonshme që të na bëjë të durueshëm dhe besnikë.

Të falënderoj, o Zot, në këtë fjalë ngushëlluese dhe nxitëse. Ti nuk kërkon prej nesh asgjë të pamundur. Më ndihmo që të besoj me fe të gjallë se do ta plotësosh lutjen time. Mos lejo që të dobësohem. Ti më thua se ati duhet të më dëgjojë. Më duhet t’i drejtohem ditë dhe natë, vazhdimisht dhe me zjarr të zemrës. Bëj që qëndrueshmëria në lutje ta forcojë shpirtin, besimin dhe shpresën time. Edhe pse më duket se pritja është e gjatë dhe nuk ka përgjigje, edhe kur Ati e shtyn plotësimin e lutjes sime, ashtu siç më mëson në shëmbëlltyrë, prapë se prapë ai do të ngrihet shpejt për të më mbrojtur.

Po a do të vonojë ndoshta me çështjen e tyre? 5 Unë po ju them: do të ngrihet me nxitim për t’u ardhur në ndihmë atyre! Por, kur të vijë Biri i njeriut, a thua do të gjejë fe mbi tokë?«

Kjo pyetje që e bën Zotëria është tepër e dhimbshme. Rënia nga feja është kërcënim që rri mbi kryet e besimtarëve në kohën e Jezusit dhe në kohën tonë. O Zot, ti nuk do të më braktisësh kurrë. Vetëm unë jam ai që mund të largohem prej teje. Më ndihmo që me fjalën tënde ta ushqej besimin tim.


Current track

Title

Artist