MEDITIMI I DITËS – QË T’I DUA ARMIQTË

Written by on June 16, 2017

Mt 5, 43-48 QË T’I DUA ARMIQTË

 

Kërkoj hirin: që t’i dua të gjithë njerëzit, që t’i dua edhe armiqtë e mi.

 

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: 43 »keni dëgjuar se qe thënë: ‘Duaje të afërmin tënd’ e urreje armikun tënd. 44 E unë po ju them: Duani armiqtë tuaj, lutuni për ata që ju salvojnë,

Jezusi shkon gjithnjë e më në thellësi dhe është më rrënjësor. Në mësimin e vet është gjithnjë e më kërkues. Shihet qartë rrita që bën në mësimin e vet. Jezusi këtu është në kulmin e kërkesës. Kemi mundësi t’i mendojmë shikimet që njerëzi shndërronin mes tyre derisa po i dëgjonin këto fjalë. Sado që ne të mundohemi për t’i zbutur me shpjegime dhe domethënie të niansave që kishte gjuha aramaike në të cilën janë shkruar, këto fjalë kanë dhe mbetën me kërkesë të madhe. Edhe pse pjesa e dytë e këtij urdhri nuk gjendet në këtë formë në Ligj dhe do të duhej të ishte: «Nuk je i detyruar ta duash armikun tënd», teksti i përgjithshëm i fjalëve të Jezusit nuk e humb aspak qartësinë dhe kërkesën. Vërtetë, edhe më këto fjalë ai plotëson Ligjin dhe profetët. Kjo gjë ka rëndësi të madhe. Këtu thotë atë gjë që e ka aq përzemër, e kjo është dashuria dhe butësia të cilat duhet t’i japim njëri-tjetrit.

Po të duhej të gjenim fjalët më thelbësore në Ungjill, atëherë do të ishin pikërisht këto fjalë që i përkasin dashurisë ndaj armiqve, ose ndoshta ato që kërkojnë prej nesh që të presim ose të nxjerrim atë gjymtyrë që na shkandullon në trupin tonë dhe na drejton në mëkat. Vërtetë, nuk është e thjeshtë të tregojmë dashuri për atë që na përndjek dhe na shkatërron. Në qoftë se për ndonjë dashuri mund të thuhet se është heroike, atëherë është pikërisht kjo që e kërkon Jezusi në këtë mënyrë.

Këto fjalë na zbulojnë se kush është Jezusi, por gjithashtu tregojnë se kush mund të jetë nxënësi i tij. Edhe kur në mënyrë teorike mendojmë për këto fjalë të Jezusit, na mjegullohet shikimi. Çfarë mund të themi në ato momente kur duhet t’i zbatojmë? Si tu flasim për këtë dashuri atyre që konsiderojnë veten të krishterë dhe besimtarë, e përjetuan egërsi të papërshkrueshme në jetën e tyre, qenë dëshmitarë të ngjarjeve më të tmerrshme të dhunës në familjet e tyre? Si tu themi që t’i duan armiqtë e vet që ua shkaktuan të gjitha këto? A është e drejtë ta kërkojmë këtë gjë prej tyre? Me cilën të drejtë? Pyetjet kanë mundësi të rreshtohen në pafundësi. Po përgjigjet? Kush do t’i japë? Kush guxon? A ka fare përgjigje? Në këto dhe pyetjet e ngjashme me to ekziston vetëm një përgjigje. Këtë përgjigje e dha Jezusi në Fjalimin e malit. Të gjitha të tjerat janë të pakuptimta dhe largim prej qenësores. Çdo gjë që njerëzit këndojnë për dashurinë nën dritën e reflektorëve ose çfarë flasin në mikrofona dhe para objektivave të kamerave, të gjitha ato përpjekje, çdo gjë që flitet për të në tryezat e rrumbullakëta, të gjitha janë kotësi, vërtetë para kësaj dashurie zhduken dhe nuk vlejnë as që të përmendet.

Jemi fatlum, sepse kemi mundësi të takojmë njerëzit të cilët me jetën e tyre i jetojnë pikërisht këto fjalë të Jezusit. Ata janë përgjigja e gjallë në pyetje që mund të bëhen në situata të tmerrshme të jetës njerëzore. Më përgjigje të dashurisë në urrejtje dhe në armiqësi ata tregojnë se janë nxënës të vërtetë të Jezusit dhe se e kanë kuptuar atë gjë që është më e vështira në Ungjillin e tij. Këta njerëz kanë mësuar mësimin më të vështirë të Jezusit. Ndjejmë se si këta njerëz janë të lirë, se si i kanë zemrat më të thella e dashurinë më të gjerë. 

45 për t’u bërë bijtë e Atit tuaj që është në qiell, sepse Ai bën të lindë dielli i tij mbi të këqij e mbi të mirë e të bjerë shi për të drejtë e për të padrejtit.

Ja kjo është arsyeja se është e mundur të besojmë në një dashuri të tillë dhe ta jetojmë konkretisht. Nëse dua të jemi fëmijë i Hyjit, atëherë me duhet ta kemi jetën e tij në vetvete, atëherë më duhet të jetoj me dashurinë e tij që nuk ka kufij. Të duam ata që na urrejnë, kjo do të thotë të jetosh me jetën e Hyjit, kjo do të thotë të shkosh pas Hyjit.

46 Sepse, po qe se i doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi meritoni?  Pse a nuk bëjnë kaq edhe tagrambledhësit? 47 E nëse i përshëndetni vetëm vëllezërit tuaj, çfarë bëni të veçantë? A nuk bëjnë të njëjtën gjë edhe paganët?

Jezusi nuk kërkon kurrfarë llogarie në dashuri. Kur llogarisim në dashuri, i shkatërrojmë të gjitha. Tregtia dhe dashuria nuk shkojnë së bashku. Dashuria e vërtetë që vjen prej Hyjit nuk bënë dallime mes mikut dhe armikut, atyre që janë në anën time dhe të atyre që janë kundër meje. Jezusi na ofron dashurinë që i përfshinë të gjithë njerëzit dhe kërkon prej nesh që  ta realizojmë në jetën tonë.

48 Jini, pra të përkryer siç është i përkryer edhe Ati juaj që është në qiell!«

Thirrja është e qartë! Kjo nuk është një gjë treguese, por një gjë që duhet bërë. Nuk kërkohet çfarëdo përsosmërie, por përsosmëria e Hyjit. Nëse e përjashtoj një njeri të vetëm nga dashuria ime, dashuria ime nuk është e përsosur. Me duhet ta di se Hyji e do edhe atë njeri të cilin unë nuk e dua.

 


Current track

Title

Artist