MEDITIMI I DITES – PUNA IME NË LAVDINË E HYJIT
Written by Radio Maria on March 29, 2017
Gjn 5, 31-47 PUNA IME NË LAVDINË E HYJIT
Kërkoj hirin që puna ime, në tërësi, të jetë në lavdi të Hyjit.
31 Nëse unë vetë i bëj dëshmi vetvetes, dëshmia ime nuk është e vërtetë. 32 Është Një tjetër që bën dëshmi për mua dhe unë e di: dëshmia të cilën ai e bën për mua, është e vërtetë. 33 Ju dërguat disa njerëz te Gjoni dhe Gjoni e dëshmoi të vërtetën.
Jezusi ishte i vetëdijshëm për lidhjen e pandashme që kishte me Atin e padukshëm. Derisa fliste dhe vepronte, Ai e ndjente në thellësi njësinë me Atin dhe për veprimin e vet nuk kërkonte ndonjë dëshmi, as pohim prej asnjë njeriu, prej asnjë pushteti dhe autoriteti tokësor. Ati ishte siguria dhe garancia e Tij. Hyji ishte me Të dhe kjo i mjaftonte në misionin e Tij.
Unë, si besimtar, sa jam i vetëdijshëm për lidhjen time me Hyjin? A besoj në mënyrë të palëkundshme se në veprimtarinë time Hyji është me mua? Këto pyetje vlejnë për meshtarin, rregulltarin dhe rregulltaren. Të gjithë duhet të bëhemi të vetëdijshëm se jemi bashkëpunëtorët e Hyjit, aty ku gjendemi. Nga kjo vetëdije, duhet të gjejmë fuqi për bindjet dhe qëndrimet tona si besimtarë. Hyji është dëshmitari ynë, në qoftë se e kryejmë vullnesën e Tij.
O Zot, bëj që ta ndjej këtë siguri në vetvete, që të mos harroj kurrë se Ti je themeli i besimit tim. Kjo gjë le të më japë qëndrueshmëri në dëshminë time. Kur je afër meje, largohet çdo frikë nga unë.
34 Unë nuk kam nevojë për dëshmi të njeriut, por ua përmend këtë që ju të shëlboheni. 35 Gjoni ishte dritëz që digjej e ndriçonte, por juve ju pëlqeu të kënaqeni në atë dritë vetëm për një çast.
Gjon Pagëzuesi ishte dëshmitar. Ai, në mënyrë krejtësisht të veçantë, qe bashkëpunëtor i Hyjit. Ai ishte dritëza e vërtetë dhe drita e tij i tërhoqi njerëzit. Edhe pse ishte dëshmitar i Hyjit dhe e thoshte të vërtetën, tiranët e kësaj bote e bënë dhunshëm që të heshtte. Edhe pse ishte dritëz, njerëzit e errësirës «e shuan». Gjoni e tha të vërtetën dhe kështu i zbuloi të këqijat e njerëzve të kohës së vet. Për këtë arsye, ai qe mënjanuar prej mesit të tyre. Gjoni ishte dritëz në afërsinë e të cilës njerëzit nuk mund t’i fshihnin veprat e veta. Afër tij, nuk kishte errësirë; prandaj, aty zbuloheshin veprat e njerëzve. Ata e burgosën, që drita e tij të mos i zbulonte dhe t’i zbardhte veprat e tyre.
Kur nuk e pranon të vërtetën, do të thotë se mbetesh në gënjeshtër, në të pavërtetën. Të fikësh dritën, do të thotë të duash errësirën që i mbulon veprat e turpshme dhe të këqija. Ne jemi aq larg prej kohës së Jezusit dhe të Gjonit, por jemi aq afër qëndrimeve tona.
O Zot, shumë shpesh më pengon e vërteta dhe nuk jam në gjendje që të angazhohem për të dhe ta dëshmoj. Më pengon shumë drita dhe për këtë arsye largohem prej saj, duke shkuar në errësirë dhe në natë. Dua të jem bir i dritës dhe dashurues i të vërtetës. Më ndihmo!
36 Por unë e kam një dëshmi më të madhe se atë të Gjonit: veprat që Ati m’i besoi për t’i kryer; pikërisht këto që unë kryej, dëshmojnë për mua se më dërgoi Ati. 37 Edhe Ai që më dërgoi ‑ Ati, vetë Ai dëshmoi për mua! Ju kurrë s’e dëgjuat zërin e tij, kurrë s’e patë fytyrën e tij; 38 as fjala e tij nuk banon në ju, sepse nuk i besoni atij, që ai e dërgoi. 39 Ju i shqyrtoni Shkrimet sepse mendoni me anë të tyre të keni jetën e pasosur; edhe ato, pra, dëshmojnë për mua, 40 e ju, prapë se prapë nuk doni të vini tek unë, që ta keni jetën.
Jezusi e paraqiti sërish misionin e vet, të cilin ia ka besuar Ati. Ai ishte një me Atin, prandaj e kishte një dëshmi më të madhe se ajo që e kishte nga Gjoni. Ati ishte dëshmitari i tij. Siguria e Jezusit në dërgim dilte nga vetëdija e njësisë dhe e bashkimit me Atin. Prandaj, Ai tregoi se sa larg ishte njeriu nga kjo, sepse i largonte nga mesi i vet të gjitha ato gjëra që e bënin ta ndjente praninë e Hyjit. Njerëzit veprojnë kështu edhe në kohën tonë. Nuk e dëgjojmë zërin e Hyjit në mesin tonë, nuk e shohim fytyrën e Tij në përditshmërinë tonë, sepse fjala e Tij nuk banon në ne. Ne e kemi përjashtuar Hyjin prej mesit tonë, kështu që mbi ne është vërsulur kotësia dhe pakuptimi. Sa njerëz në rrethin tim nuk llogarisin më fare në Hyjin, ose, «kohë pas kohe», e jetojnë krishterimin personal!
O Zot, bëj që fjala jote të banojë në mua. Kjo Kohë e Kreshmëve le të më nxisë që ta dëgjoj e ta lexoj fjalën Tënde. Dëshiroj që ta pranoj në zemrën time, në mënyrë që të jem i afërt më të. Bëj që, me anë të fjalës sate, të bëhemi të afërt njëri me tjetrin.
41 Nuk kërkoj lavdi prej njerëzve, 42 po ju njoha deri në palcë: nuk e keni në vetvete dashurinë e Hyjit.
Ky është qortimi serioz që na bën Jezusi neve dhe njerëzve të kohës së Tij. Të mos e kesh në vetvete dashurinë e Hyjit, do të thotë të jesh njeriu më i shkretë në këtë tokë.
43 Unë erdha në Emër të Atit tim e ju nuk më pranoni; po erdhi ndonjë tjetër në emër të vet, atë do ta pranoni!
Vërtet, sa shumë e kërkojnë njerëzit në kohën e sotme lavdinë njëri prej tjetrit. E pikërisht, për shkak të kësaj lavdie, e ndjejnë vetveten aq të rrezikuar prej njëri-tjetrit. Sa gara janë shpikur, sa «top lista» janë krijuar. Çdo ditë kërkohet më i lavdishmi, më i njohuri, më i miri. Duhet ta ngremë kokën dhe shikimin tonë përtej asaj që është krejtësisht dhe vetëm sipërfaqësore, që garën dhe lavdinë njerëzore ta zbulojmë në vlerat shpirtërore, që na drejtojnë drejt amshimit, drejt Hyjit, lavdia e të cilit nuk na rrezikon në asnjë çast.