MEDITIMI I DITËS – PUNA IME
Written by Radio Maria on November 28, 2016
Is 11, 1-10 PUNA IME
Kërkoj hirin: që Shpirti i Hyjit të më përmbushë me dhuratat e veta dhe të më frymëzojë në punën time!
1 Një pinjoll do të dalë nga trungu i Jeseut, një pip i zgjedhur do të piptojë nga rrënja e tij. 2 Në të do të pushojë shpirti i Zotit, shpirti i urtisë e i dijes, shpirti i këshillave dhe i forcës, shpirti i kuptimit dhe i frikës së Zotit.
Isaia profet është vizionari i Hyjit. Ai flet për Mesinë në mënyrë të frymëzuar dhe poetike. Këto janë vargjet e para të këngës për Mesinë në të cilat paraqet shenjat dalluese të tij. Druri që lulëzoj është figura tradicionale që përdoret në Izrael kur flitet për fatimirësinë. Fatkeqësinë e simbolizon trungu i tharë dhe i çrrënjosur. Nga trungu pothuajse i shuar do të dalë pinjolli. Nga Jeseu, babai i Davidit, paraardhësi i të gjithë mbretërve të Judës dhe i Mesisë, do të nisë të rritet bima e dobët që do të zhvillohet në pemë të fuqishme. Mesia i ardhshëm lind dhe rritet në thjeshtësi, në varfëri dhe në vuajtje. Mirëpo në të do të jetë Shpirti i Hyjit. I njëjti Shpirt i Hyjit vepron gjatë historisë biblike, që nga krijimi e deri në ditët tona. Që nga ditët tona e deri në plotësimin e kohës, deri në eskatologji. Në Mesinë do të jetë veçanërisht i pranishëm. Këtë gjë Jezusi do ta zbulojë kur në sinagogën e Nazaretit do të lexojë fjalët: «Shpirti i Zotit është mbi mua…» (Lk 4, 18).
O Zot, po të lutëm për besimin që më siguron se nga jeta e rrënuar ka mundësi të fillojë ripërtëritja sikurse nga trungu del pinjolli. Bëj që të besoj se nga dëshpërimi dhe jeta pa shpresë ka mundësi të lind shpresa, nga vdekja ka mundësi të piptojë jeta. Ti e frymëzove Isainë profetë që me sy të fesë të shikojë në gjëra, që shikuar në mënyrë njerëzore janë të shkatërruara, të besojë se do të dal diçka e re dhe e gjallë. Na dhuro Shpirtin tënd të cilin ia dhurove Birit që edhe ne ta ruajmë thelbësoren, që të jemi të ditur, të fortë, njerëz të këshillit të mirë. Besojmë, O Hyj, se më Shpirtin tënd ke mundësi të shpërndash gjykimet tona dhe të shndërrosh veset tona.
3 Kënaqësia e tij do të jetë në frikën e Zotit. S’do të gjykojë sipas pamjes së syve as s’do të vendosë sipas thashethemeve, 4 por do t’i gjykojë me drejtësi skamnorët, do t’u japë gjyq të drejtë të përvujtëve të vendit, me thuprën e fjalëve të veta do ta godasë vendin e me frymën e gojës së vet do ta vrasë të paudhin. 5 Brezi i kryqit të tij do të jetë drejtësia, me besnikëri do t’i ngjeshë ijët.
Gjykimet tona janë subjektive dhe të njëanshme. Padrejtësia na vret dhe e ndjemë në secilin hap. Njëri për tjetrin jemi të padrejtë. Gjyqet tona nuk i intereson e vërteta sepse ato iu shërbejnë të pushtetshmëve sepse sipas diktimit të tyre i sjellin gjykimet. Të gjithë ne tërhiqemi para njerëzve të pushtetshëm duke shkelur të vegjlit dhe duke i shfrytëzuar. Mesia nuk është i tillë. Ai do të gjykojë sipas të drejtës. Ai do të shikojë çfarë fshihet në zemrën e njeriut. Të varfrit dhe të vegjlit do të jenë të barabartë me të tjerët. Edhe më shumë, Ai do t’i mbrojë dhe ata do të jenë përkatësia e tij i dashur. Gjithçka mbartë zemra si të vlefshme dhe fisnike, gjithçka ndjen zemra për të ndërtuar botën, Ai do ta zbatojë për të plotësuar dëshirat e zemrave. Ai e thërret secilin që do t’i përgjigjet dhe të bashkëpunojë me Të. Edhe në këtë Kohë të ardhjes kërkon prej meje që të kaloj në anën e të varfërve, të atyre që përjetojnë padrejtësi, në anën e të varfëve, kundër të pushtetshmëve dhe të patenzonëve, krah për krah me Të. A kam guxim që të rri afër Tij? A kam guxim të shoh çfarë nuk është e mirë në mua, në familjen time, në bashkësinë rregulltare, në famulli, vendpunim, në çdo vend.
6 Ujku do të banojë me qengjin, përbri kecit do të shtrihet leopardi….
Ky është rendi i ri. Kështu ripërtërihet ajo që ishte që nga fillimi në parajsën tokësore. Kjo është dëshira e gjithmonshme e zemrës njerëzore. Kundërshtimi i njeriut të parë ndaj Hyjit rrënoi harmoninë mes natyrës dhe njerëzve. Kështu ndodhi çrregullimi i paimagjinueshëm dhe ndarja mes njerëzve. Njerëzit e shfrytëzuan natyrën në mënyrë të pamëshirshme, e shkatërruan dhe i kërcënohen vazhdimisht. Mesia sjell përsëri përputhjen, sjell paqen dhe largon frikën. Të gjithë do të jetojnë në paqe dhe në përputhje të ndërsjellët.
8 Foshnja do të luajë mbi vrimën e shlligës, në strofullin e kapastrecit fëmija në gji dorën do ta futë. 9 S’do të bëhet dëm as s’do të vritet kush në mbarë malin tim të shenjtë, sepse plot do të mbushet vendi me dijen e Zotit, porsi detet që mbulohen me ujë. 10 Atë ditë rrënja e Jeseut do të ngallisë si flamur për kombe, vetë popujt atë do ta kërkojnë, selia e saj do të jetë e lavdishme.
Sa të jashtëzakonshme janë këto figura. Sa bukur i përfshinë të gjitha nevojat njerëzore të cilat njeriu i dëshiron e për të cilat ëndërron. Frikë më nuk do të ketë. E keqja më nuk do të bëhet. Mos janë të gjitha këto vetëm ëndrra? Bota gjithnjë e më shumë i përmbysë këto paraqitje idilike. Mirëpo bota lufton gjithnjë për dritën e vet, mat më masën e vet dhe e bënë të drejtën e vet. Ajo është e pamëshirshme ndaj të dobëtëve dhe pandjeshme për nevojat e të vegjëlve. Zërat e atyre që flasin më zërin e Isaisë profet janë të pakt. Shumë shpejt heshtohen dhe shtypën. Zotëria do që të flasim me gjuhën e tij, edhe pse ai është i panjohur për botën në të cilën jetojmë. Të pushtetshmit nuk dëshirojnë as ta dëgjojnë as të mësojnë.
O Zot, po të lutëm që këto profetizime të plotësohen në botën dhe në kohën në të cilën jetoj. Jeta në disa momente më dukët e padurueshme, sepse e përfshinë në mënyrë të fuqishme shpirti që e kundërshton Shpirtin tënd. Kërkoj paqen dhe më duhet drejtësia. O Zot, me ndihmo që personalisht të jap kontributin tim që të realizohet ndikimi i Shpitit tënd dhe të bëj çdo gjë që varet prej meje. I tillë dua të jem në Kohën e ardhjes.