MEDITIMI I DITËS – PROVANIA HYJNORE

Written by on June 23, 2017

Mt 6, 24-34 PROVANIA HYJNORE

 

Kërkoj hirin: që të kem besim në provaninë hyjnore.

 

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: 24 »Askush s’mund t’u shërbejë dy zotërinjve, sepse: ja do ta urrejë njërin e tjetrin do ta duajë, ja do t’i mbështetet njërit e tjetrit do t’ia kthejë shpinën. Nuk mund t’i shërbeni Hyjit dhe pasurisë.«

Jezusi ka dëshirë të madhe që njerëzit ta kuptojnë se në çfarë rreziku janë nëse i përfshinë dëshira për tu pasuruar. Prandaj ketë gjë që e ka aq për zemër dëshiron ta thotë. Jezusi shkon në thelbin e çështjes. Me fjalë tjera flet për zgjedhjen para të cilës gjendet njeriu: të zgjedhësh «thesarin në qiell» ose «thesarin në tokë». Tani duhet vendosur. Alternativa është e qartë. Hyji ose pasuria. Të hollat, Mamona, kanë emrin e vet personal. Forca tërheqëse e Mamonës është shumë e fortë për secilin njeri. Të hollat e zotërojnë botën dhe i robërojnë njerëzit. Çfarë nuk është në gjendje të bëj njeriu dhe më çfarë punësh nuk do të merret vetëm që të vij tek të hollat? Si është jeta ime? A iu robëroj të hollave? Jezusi dëshiron të më ndihmojë që të hollat t’i vlerësoj si duhet. Do të lutem për këtë njet.

25 »Prandaj po ju them: mos u brengosni për jetën tuaj se çka do të hani dhe çkado të pini, as për trupin tuaj se çka do të veshni: vallë a nuk është jeta më e vlefshme se ushqimi e trupi se petku?

Ja fjalët ngushëlluese për shqetësimin tonë të përditshëm: «mos u brengosni…» Jemi të brengosur tepër shumë! Jemi aq të shqetësuar sa që, pikërisht për këtë gjë na zotëron stresi, brengat dhe depresioni. Sa shumë duhet të besoj në këto fjalë të Jezusit dhe sa fortë më duhet t’i kem për zemër! Ato janë si ilaçi për plagë.

26 Shikoni shpendët e qiellit! As nuk mbjellin, as nuk korrin, as nuk mbledhin në drithnikë e Ati juaj qiellor i ushqen! A nuk jeni ju më të vlefshëm se ata?

Këto janë përngjasimet e mrekullueshme që Jezusi i mori nga jeta. Nuk guxojmë të ëndërrojmë për to në dembeli, as t’i marrim fjalë për fjalë. Jezusi nuk do që të jemi njerëz pa përgjegjësi për jetën dhe për çdo gjë që na ndihmon ta jetojmë jetën në mënyrë të denjë. As kujdesin tonë nuk guxojmë ta hedhim mbi të tjerët. Ky do të ishte egoizëm i tmerrshëm. Jezusi kërkon prej nesh që të sjellim diçka të re në «brengën» tonë për çdo punë që bëjmë. Në të nuk duhet të ketë as shqetësim as nervozizëm. Ato ia zënë frymën jetës së zakonshme dhe e çrregullojnë. Jeta bashkëkohore shumë shpesh është pikërisht e tillë. O Zot, sa herë që mendoj se nuk mundem më dhe se jeta kërkon tepër shumë prej meje, më ndihmo që t’i shikoj zogjtë rreth vetes. Këto fjalë të tua le të më sjellin optimizmin në pesimizmin tim dhe besimin në shqetësimin tim.

27 E kush prej jush me gjithë përpjekje shqetësuese që të bëjë, është  i zoti ta zgjasë sado pak jetën e vet? 28 E për veshje, përse brengoseni aq? Shikoni si rriten lilat e fushës: nuk heqin keq as nuk tjerrin! 29 E unë po ju them: as vet Salomoni me tërë madhërinë e vet nuk është veshur si njëri nga ata! 30 Tashti, nëse Hyji e vesh kështu barin e tokës, që sot është e nesër qitet në furrë, vallë, a nuk do t’ju vesh më me ëndje ju, o besimpakët?

Përngjasimi i ri nga jeta dhe thirrja e re që ta vërejmë natyrën rreth nesh. Çdo gjë rreth nesh është aq e bukur dhe me renditje të madhe. Në çdo gjë gjejmë gjurmët e Hyjit. Jezusi na fton që në zogj dhe lule ta shikojmë mrekullinë e Hyjit që mendon për to që ta kenë ushqimin dhe petkat. Në të gjitha këto, a ka vend për shqetësimin tim dhe mosbesimin?

31 Mos u brengosni, prandaj, duke thënë: ‘Çka do të hamë?’ e ‘Çka do të pimë?’ Me çka do të vishemi?’ 32 – këto gjëra i kërkojnë paganët – sepse Ati juaj qiellor e di mirë se ju keni nevojë për të gjitha  këto. 33 Kërkoni, pra, më së miri Mbretërinë dhe drejtësinë e tij e të gjitha këto do t’ju jepen si shtesë! 34 Prandaj: mos u brengosni për të nesërmen, sepse e nesërmja do të kujdeset vetë për vete. Secilës ditë i del mjaftë pikëllimi i vet!«

Çfarë më duhet të kërkoj së pari dhe për çfarë me duhet të shqetësohem duke e kërkuar? Më duhet ta vendos shkallën e vlerave. Bota thotë se më së pari duhet kërkuar të hollat, sigurinë, pasurinë, njohjen… Jezusi vlerat i vendos ndryshe. Së pari duhet kërkuar Mbretërinë e Hyjit dhe çdo gjë tjetër do ta zë vendin e vet. Mbretërinë qiellore mbi gjithçka, e vetëm pastaj të tjerat. Jezusi na mëson që së pari ta sigurojmë më të rëndësishmen, dhe të gjitha të tjerat do të vijnë si shtesë. Kjo nuk do të thotë se duhet të jemi njerëz pa përgjegjësi, njerëz që nuk i jetojnë seriozisht detyrat e përditshme. Përkundrazi, kërkimi i Mbretërisë së Hyjit kërkon prej nesh seriozitet në jetën e përditshme. Mirëpo këtu nuk duhet të ketë shqetësim tmerrues për nesër. Duhet jetuar më besim dhe drejt, çastin e tanishëm. Nesër është nesër dhe për shkak të së nesërmes nuk duhet të brengosemi shumë. Nëse jetoj sinqerisht çastin e tanishëm, atëherë kjo është dëshmia më e mirë për të nesërmen e qetë dhe të sigurt. A thua nuk i mjaftojnë secilës ditë shqetësimet e veta? Secilës ditë i mjaftojnë të këqijat e veta!

O Zot, të falënderoj për këto fjalë të cilat ma sjellin paqen në shqetësimet e mia dhe sigurinë në pasigurinë time. Bëj që fjalët e tua ta përfshinë zemrën time. Ato le të jenë siguria dhe paqja ime!

 


Current track

Title

Artist