MEDITIMI I DITËS – PROFETËT E RREJSHËM DHE TË VËRTETË
Written by Radio Maria on June 27, 2017
Mt 7, 15-20 PROFETËT E RREJSHËM DHE TË VËRTETË
Kërkoj hirin: që sipas fryteve të dalloj profetët e vërtetë nga të rrejshmit dhe të jap fryte të mira.
Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet: 15 »Ruajuni prej profetëve të rrejshëm, që vijnë tek ju e ju shtiren si dele, kurse përbrenda janë ujq grabitqarë.
Profetët e rrejshëm! Populli i zgjedhur pati përvojën e hidhur me profetët e rrejshëm. Prandaj Jezusi tërheq vërejtjen sa u përket atyre. Ata janë midis popullit të tyre, në Kishë, në famulli, në familje, në lëvizjet e ndryshme dhe më shkathtësi dinë të përshtatën, që mos të dallohen lehtë në shikim të parë. Prandaj edhe janë të rrezikshëm. Përjashta, në sjelljen e vet, në veshje dhe predikime ju përngjajnë profetëve të vërtetë. Dinë të jenë edhe shumë të zellshëm dhe njerëz që veprojnë, por të gjitha i bëjnë për interesat e veta personale.
Kishës nuk i vjen rreziku aq shumë nga «armiqtë» e jashtëm të cilët njihen dhe para të cilëve Kisha merr qëndrim dhe e mbron mësimin e vet, moralin, besimin dhe besimtarët. Shumë më të rrezikshëm janë ata të cilët janë brenda Kishës, ata që dëshirojnë «t’i përkasin» Kishës, deklarohen të tillë dhe sillen në këtë mënyrë, por i kanë të njëjtat qëllime që haptazi i shprehin armiqtë e saj. Këta janë njerëzit që kritikojnë hierarkinë e Kishës në emër të demokracisë. Janë njerëzit që njëjtësojnë Fjalën e Hyjit dhe besimin katolik më propozimet tjera në emër të tolerancës. Janë ata që paraqesin humanizmin e thjeshtë dhe kurrë nuk flasin për marrëdhënien me Hyjin. Janë ata të cilët mbrojnë abortimet dhe pornografinë në emër të lirisë.
Flasin me bindje dhe kanë mjaft vend në mjetet e komunikimit në masë. Dëshirojnë të paraqitën në shoqëri të njerëzve me përgjegjësi të madhe në Kishë. Paraqesin angazhimin e tyre të fuqishëm për njeriun dhe rritën e tij në liri dhe besim, ndërsa në zemër janë «ujq grabitqar»
O Zot, ma jep Shpirtin Tënd që të dijë ta dalloj mësimin e vërtetë që është në përputhje më Mësimin e Kishës nga mësimi që dëshiron të tregohet i tillë, por që nuk është në përputhje me Mësimin e Kishës. Më ndihmo që të mos shkoj pas ideve të reja ende të pavërtetuara të cilat në emër të Ungjillit Tënd dëshirojnë t’i përhapin profetët e rrejshëm për të cilët na flet.
16 Do t’i njihni prej fryteve të tyre. A thua vilet rrushi prej ferrash ose fiqtë prej murrizash? 17 Kështu çdo pemë e mirë, jep fryte të mira, kurse çdo pemë e keqe jep fryte të këqija.
Jezusi tregon mënyrën konkrete dhe të qartë se si mund të njihen profetët e rrejshëm. Për Kishën është e mundur të flitet mirë, por prapëseprapë mos t’i pranojmë urdhërimet e saja, dhe këtu janë frytet e këqija. Kemi mundësi ta studiojmë dhe ta kryejmë teologjinë, por gjithashtu kemi mundësi të mos e praktikojmë jetën sakramentale si besimtarë. Edhe këtu i kemi frytet e këqija. Ka mundësi të predikohet Ungjilli, e në ndërkohë të ndërtojmë një sistem personal të jetës që shkon kundër Ungjillit. Edhe këtu i kemi frytet e këqija. Pikërisht njerëzit e tillë i takoj Jezusi në kohën e vet dhe prej tyre e kërkoj jetën e vërtetë fetare. Gjithmonë tha se pa përvujtëri të sinqertë dhe pa gatishmëri për t’iu nënshtruar Shpirtit të Hyjit nuk ka mundësi të kemi fryte të vërteta, nuk ka profet të vërtetë. Pema e mirë njihet prej fryteve të mira. Kemi mundësi ta themi edhe të kundërtën, por gjithmonë kemi të njëjtën domethënie. Më duhet ta lus Zotërinë që zemra ime të japë fryte të mira. Prandaj është e nevojshme që krejt qenia ime të jetë pemë e mirë në të cilën do të rritën frytet e mira.. O Zot, më ndihmo!
18 Një pemë e mirë nuk mund të japë fryte të këqija, as një pemë e keqe nuk mund të japë fryte të mira.
Ky është kriteri të cilin na dhuron Jezusi që sipas tij të vlerësojmë dhe të kuptojmë se cilët janë profetë të vërtetë e cilët të rrejshëm. Ky është kriteri sipas të cilit vlerësojmë gjithashtu vërtetësinë e lëvizjeve të ndryshme në shoqëri dhe në Kishë, si edhe idetë që paraqitën dhe lindin. Kriter janë frytet. Nuk guxojmë shpejt as të gjykojmë as të lavdërojmë. Gjatë historisë ka ndodh që shumë vetë qenë gjykuar shpejt, e frytet treguan vërtetësinë dhe drejtësinë e mësimit të tyre dhe jetën e tyre profetike. Gjithashtu, ishin edhe ata për të cilët shumë vetë u entuziazmuan shpejt, por më vonë u pa se ishin «ujq grabitqar me lëkurë deleje».
Ky është gjithashtu kriteri sipas të cilit kemi mundësi dhe duhet ta vlerësojmë jetën tonë personale.
19 Çdo pemë që nuk jep fryt të mirë, pritet e qitet në zjarr. 20 Kështu, pra, do t’i njihni profetët prej veprave të tyre.«
Ky është gjykimi përfundimtar i jetës së secilit besimtar. Frytet, haptas dhe pagabueshëm tregojnë se për çfarë bëhet fjalë. Në fundin e të gjithave kjo do të jetë vendimtare për jetën tonë të përjetshme. Secila pemë, secila jetë që lind e që nuk dha fryte të mira, do të pritet dhe do të përfundojë në zjarr. Secili është përgjegjës për frytet e veta. Frytet e mia? Çfarë frytesh kam unë?