MEDITIMI I DITËS – PRITJE E KUJDESSHME
Written by RadioMariaAlb on November 25, 2022
E DIELA I E ARDHJES
PRITJE E KUJDESSHME
Aq shumë gjëra njeriu nuk i pret, por ato megjithatë vijnë. Shpesh jemi të befasuar! Kush nuk është befasuar me këto ndodhi të tmerrshme, të cilat na trondisin vite me rradhë? Dhe a ka kush, të cilin nuk e mundojnë pyetjet? Deri kur do të shkojë puna kështu? Ç’ka tjetër na pret?
Pjesët e ungjillit të cilat i lexojmë gjatë këtyre ditëve, vazhdimisht na thërrasin që të jemi të kujdesshëm dhe të presim me kujdes. Me siguri, kurrë nuk do të mund t’i parashikojmë të gjitha ngjarjet në jetën tonë, dhe të presim të gatshëm gjithçka që do të ndodhë. Ritmi i jetës është i tillë, saqë na befasojnë shumë gjëra, të cilat nuk varen nga liria e zgjedhja jonë. Thjesht ngjarjet na befasojnë. Befasi të tilla mund të jenë të këndshme apo të pakëndshme. Në mbarimin e ditëve tona, do të ndodhë edhe takimi ynë i fundit me Krishtin e ringjallur. Na pret kjo befasi! Ajo na pret që tani, në pasiguritë personale, në lodhje dhe në çastin e vdekjes tonë, në mënyrën në të cilën ajo do të ndodhë. Ajo na pret edhe në mosnjohjen e rrjedhjes së kohës dhe të ardhmes së botës.
Njeriu në drejtimin e vet personal, është drejtuar kah jeta e amshuar. Po ashtu, edhe të gjitha krijesat e presin shndërrimin e vet në qiellin e ri e tokën e re. Ndërkaq, secili shndërrim e secila lindje, ndodh në dhimbje e në vuajtje. Për këtë arsye Jezusi flet për tmerret e atyre ditëve; na i paraqet në përfytyrime të përfrigueshme. Mirëpo, ato nuk kanë për qëllim të na frikësojnë, por të na nxisin që të presim të zgjuar. Të gjithë ne kalojmë pjesën me të madhe të kohës tonë të zgjuar në pritje. Kjo shpesh herë është pritje nervoze dhe e padurueshme, në rradhë, në shëtitore, zyra, banka, ambulanca, pritje e autobusit, trenit, aeroplanit, pritje që të mbarojë ndonjë ligjëratë apo predikim. Pritje të kalojë ndonjë provim, dhimbje, festë apo hidhërim. Ndonjëherë, pritja është e lidhur me ndonjë shpresë. Presim që dikush ta vërejë shenjën e nderimit tonë, apo që të duket postieri me letrën e dëshiruar. Shpesh këtu janë të pranishme frika dhe brengosja: a do të rriten çmimet? Do të vijnë ditë më të këqija? A do të përsëriten tërmetet dhe luftërat? Të gjitha pritjet janë të përcjella më ndjenja nga më të ndryshme.
Edhe Jezusi do të vij, ai dëshiron ta presim e na thërret në vigjilencë! A do të jetë kjo pritje me frikë dhe me dëshirë që takimi me të sa më shumë të largohet? Apo do të jetë i përshkuar me mall e dashuri? Edhe ai vetë flet për këtë me dy krahasime: pritja jonë mund të jetë pritje e shqetësuar e të zotit të shtëpisë, që të mos vijë vjedhësi e t’ia vjedh shtëpinë e gjithçka ka në të. Por mund te jëtë pritje e gëzueshme e të fejuarës, e cila me padurim e pret ardhjen e të fejuarit. Në rastin e dytë, fjala është për pritjen në dashuri; në pritjen e tillë ardhja e dytë e Jezusit bëhet qëllim dhe cak i të gjitha pritjeve tona jetësore e i të gjitha shpresave tona. Dashuria përgatit rrugën deri te zemra dhe mundëson takimin e pashoq, para të cilit nuk do të kemi më frikë, por do t’i gëzohemi. Atëherë, mbarimi i jetës sonë në këtë botë dhe mbarimi i historisë do të jetë një takim në dashuri, në gëzim për mbarë amshimin.