MEDITIMI I DITËS – PRITJA E ZOTËRISË
Written by Radio Maria on October 23, 2017
Lk 12, 35-38 PRITJA E ZOTËRISË
Kërkoj hirin: që të rri zgjuar dhe ta pres ardhjen e Zotërisë.
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: 35 »Jini gati – të veshur e të ngjeshur me llamba të ndezura – 36 porsi ata që presin zotërinë e vet kur kthehet prej dasmës për t’ia çelur derën posa të vij e të trokëllitë.
Jezusi nuk pështjellohet në mosmarrëveshjet që ndodhin mes njerëzve, edhe kur bëhet fjalë për vëllezër. Kjo gjë iu përket gjyqeve dhe gjykatësve. Jezusi shikon shumë me larg dhe shumë më thellë. Dëshiron të na qortojë se me pranimin e mësimit të tij kemi mundësi t’i parandalojmë të gjitha vështirësitë dhe nuk kemi nevojë që t’i shërojmë. Nevojitet zgjuarsia e shpirtit dhe e zemrës që ta vlerësojmë si duhet jetën tonë.
Kisha përjetoj shumë herë kritika duke i thënë se bllokonte dhe frenonte njerëzit në përpjekjet dhe animet e tyre drejt zhvillimit. Thuhej se ajo më mësimin e saj për jetën në qiell dhe për amshimin u bë «opium për popull», sepse i linte në gjumë njerëzit duke iu penguar që të kryenin detyrat që kishin. Këto ishin sulme të menduara mirë të cilat shiheshin dhe kuptoheshin shumë lehtë. Kisha nuk kishte mundësi të predikonte diçka tjetër përveç asaj çfarë Zotëria i saj predikonte dhe ia la si detyrë që edhe ajo të bëj. Këtu e kemi krejtësisht të qartë se çfarë po mësonte Jezusi dhe çfarë duhej që Kisha ta përcillte dhe ta jetonte. Këto fjalë të Jezusit i përmbysin të gjitha kritikat që bëhen se Kisha me predikimin e saj të fesë është opium për popull. Jezusi tërheq vërejtjen që të rrimë zgjuar dhe t’i kemi llambat e gatshme për të mbetur vazhdimisht të ndezura. I krishteri dhe besimtari i vërtetë nuk guxon të jetë i palëvizshëm dhe të rrijë në gjumë. Ai duhet të jetë vazhdimisht i gatshëm. Mirëpo, nuk duhet të harrojmë se këtu nuk është fjala për ndonjë vrapim pa krye dhe aktivizim në të cilin njeriu harron thelbin e të jetuarit. Në punën dhe aktivitetin e vet njeriu duhet të dijë pse punon dhe për kë jeton. Mendimi në amshim i ndihmon njeriut që të jetë real në veprimet e veta. Prandaj është gjithmonë i gatshëm dhe rri zgjuar. Gatishmëria dhe zgjuarsia e tij paraqitën në shërbimin që ua bënë të tjerëve. Kjo është shenja më e mirë që në mënyrë të drejtë ta shpenzojë jetën e vet dhe të mos jetojë kot.
Përse Jezusi aq shumë e thekson faktin që të rrimë zgjuar dhe gatishmërinë për ta pritur? E bënë këtë gjë sepse njeriu është në tundim të vazhdueshëm që të harrojë pse erdhi në botë. Është në rrezik që bota ta tërheq dhe ta ngashënjejë dhe në ketë mënyrë të mbetet nën petkun e asaj që duket, që ia ndalon pamjen e të përjetshmes. Ndërsa Jezusi Zotëri vjen dhe kalon. Ardhja e tij është e papritur dhe e padukshme, por e përcakton shëlbimin e njeriut. Jezusi dëshiron të rrimë zgjuar dhe ta njohim në mënyra të pakufishme në kalimet e tija të përditshme të shumta nëpër jetën tonë. Nëse rrimë zgjuar dhe jemi kështu të gatshëm atëherë bëhemi gati për ardhjen e tij përfundimtare. Ai vjen në shumë mënyra. Ai vjen në fjalën e tij të cilën liturgjia e shenjtë çdo ditë ma sjell para sysh. A e dëgjoj këtë fjalë dhe a bisedoj për të në lutje time? Ai vjen tek unë në secilin sakrament: si i pranoj sakramentet dhe si përgatitem për to? Ai vjen tek unë përmes secilit njeri të cilin e takoj: a kam kohë për njerëz, për Zotërinë? Vjen tek unë në shenjat e kohës, në gëzime dhe hidhërime, Ai vjen… Fjalët e një kënge tërheqin vërejtjen: «Në shpinë tënde gjatë gjithë natës Hyji trokiti në derë, dëgjo, dëgjo, o vëllai im…» Pastaj në një rresht tjetër, fatkeqësisht kënga thotë: «E ti ishe në gjumë».
37 Lum shërbëtorët që, kur kthehet zotëria, i gjen zgjuar! Përnjëmend po ju them: ai vetë do të ngjeshët, ata do t’i ulë në tryezë do të afrohet dhe vetë do t’i shërbejë. 38 Po erdhi në të dytën ose në të tretën rojë të natës dhe po i gjeti kështu, lum ata!
Jam i zgjuar sa herë që angazhohem për të tjerët. Fatkeqësisht, në dimë aq lehtë të tërhiqemi në këndin tonë dhe në jetën tonë private në të cilën të tjerët nuk i lejomë që të hyjnë. Sa herë që dhunshëm mbyllem para të tjerëve, nuk rri zgjuar. Sa herë që shikoj vetëm interesat e mi, nuk rri zgjuar. Sa herë që nuk e kryej detyrën time që ma besoj bashkësia për të mirën e të tjerëve, nuk rri zgjuar. Sa herë që….
Përkundrazi, sa herë që në familje se nën dhe bashkëshorte pres me dashuri fëmijët që kthen prej shkolle, burrin që vjen nga puna, atëherë e pres Jezusin. Sa herë që si bashkëshort di të lavdëroj dhe të shoh zellin e fëmijëve dhe të bashkëshortes për familjen dhe i ndihmoj asaj, e ndihmoj Jezusin. Sa herë që në bashkësinë time rregulltare jap pa llogaritur dhe flijohem për të tjerët pa kërkuar pagesën, Jezusit i jap dhe për të flijohem. Sa herë që si famullitar me gatishmëri e hap derën në të cilën troket ndonjë pjesëtar i famullisë sime ose ndonjë kalimtar në nevojë, Jezusit ia hap derën dhe atë e pres. Sa herë që… Të gjitha këto janë shenja se rri zgjuar dhe jam i gatshëm për ta pritur Zotërinë.
Shohim se këtu nuk bëhet fjalë për çfarëdo Zotërie. Ky është Zotëria jonë. Ai është i jashtëzakonshëm dhe na befason. Kur të kthehet na thërret në darkë dhe na vendos në sofrën e vet. Ai ngjeshët dhe shërben. Vërtetë, të rrish zgjuar dhe të jesh gati për ta pritur Zotërinë do të thotë jë jesh i lumtur. Të jesh përgjithmonë i lumtur. Ia vlen të bësh gjithçka, ja vlen për këtë gjë të flijosh çdo gjë.