MEDITIMI I DITËS – PREDIKIMI I JEZUSIT
Written by Radio Maria on January 25, 2019
E diela e tretë gjatë vitit – C
Lk 1, 1-4; 4, 14-21 PREDIKIMI I JEZUSIT
Kërkoj hirin: që të besoj se edhe sot plotësohen Shkrimet që i dëgjoj dhe jehojnë në veshët e mi!
1 1 Pasi shumë vetë ndërmorën të rendisin tregimin mbi ngjarjet që ndodhën në mesin tonë 2 ashtu siç na i lanë ata që i panë me sytë e vet që në fillim dhe u bënë mbarështues të Fjalës 3 e, pasi i shqyrtova hollësisht të gjitha që prej fillimit, vendosa t’i shkruaj për ty, i përndritshmi Teofil, të gjitha me radhë, 4 që të jesh i sigurt për palëkundshmërinë e mësimeve që more.
Shën Luka, Ungjillin e vet e fillon thjeshtë dhe në mënyrë dhe sinqerisht. I përket “breznisë së dytë” të të krishterëve. Nuk e pa Jezusin siç nuk e kemi parë as ne, por jetoj me dëshmitarët e shumtë që qëndruan me Jezusin derisa po kalonte nëpër rrugët e Palestinës. Në mënyrë të veçantë i dëgjoj ato gjëra që ia tregoi dëshmitarja e parë e të gjithave, Nëna e Jezusit. Disa tashmë kishin shkruar diçka. Të gjitha këto Shën Luka i shqyrtoj me vëmendje dhe më vonë filloi t’i shkruajë. Ai dëshiron që lexuesi i tij të ketë një shkrim të besueshëm në të cilin ka mundësi besimin e vet ta ndërtojë dhe ta forcojë. Edhe unë jam “Teofili” njeri që e do Hyjin, të cilit Shën Luka ia kushton Ungjillin. Ai dëshiron ta forcojë edhe fenë time derisa nga e diela në të dielën tjetër do të lexoj e do të meditoj më tekstin e tij. Zotëria le të më ndihmojë dhe le ta qetësojë brendinë time në të cilën do të zbresë Fjala e Tij për ta ushqyer.
4 14 Atëherë Jezusi me fuqinë e Shpirtit Shenjt u kthye në Galile dhe u hap zëri për të nëpër mbarë krahinën. 15 Mësonte nëpër sinagogat e tyre i nderuar prej të gjithëve. 16 Jezusi erdhi në Nazaret, atje ku ishte rritur dhe, sipas zakonit të vet, të shtunën hyri në sinagogë dhe u ngrit për të lexuar. 17 I dhanë librin e Isaisë profet. Kur e hapi librin, gjeti vendin ku shkruan:
Forca e brendshme e Jezusit ishte Shpirti. Ai e lëviz dhe e drejton. Më këtë fuqi të shpirtit e refuzonte të Keqin që dëshironte ta largonte nga rruga e tij. Jezusi mbeti besnik në dërgimin e vet dhe e fillon rrugën e vet nëpër Galile, rrugë gjatë të cilës do ta shpallë Lajmin e gëzueshëm.
Lajmi për Jezusin përhapej shumë shpejt, nga goja në gojë. Njerëzit ndjenin se Jezusi ka diçka për t’u thënë prandaj e dëgjonin me endje. E vlerësonin dhe e lavdëronin. Ndjenin se prej tij ndikonte në ta një forcë e fuqishme e Shpirtit të tij. Prej kur papritmas u largua nga Nazareti dhe e braktisi punëtorinë e zdrukthëtarit, u përshëndet me nënën e cila ishte e vetmja që diti për shkuarjen e tij, e të parën herë, përsëri papritmas, u kthye në Nazaretin e vet. Dhe përsëri bën ato gjëra që bënte më parë. E shtunë është. Kjo është dita e Zotërisë, Koha duhet dhuruar Atit. Shkon në sinagogë në të cilën aq shumë vite çdo të shtunë ka shkuar, ka dëgjuar dhe ka lexuar Fjalën e Hyjit. Edhe kësaj here me krenari dhe nderim ia japin librin.
O Zot, do të doja të lutem me këtë tekst të cilin ne sot e lexojmë në kishat tona. Sa shpesh e kam dëgjuar në mënyrë sipërfaqësore dhe nuk kam dëgjuar pothuajse asgjë, edhe më pak e kam kuptuar. Kësaj here vërtetë dua ta dëgjoj. Po të lutem me ndihmo që të hapem para Shpirtit tënd i cili le të me drejtojë në rrugët e paqes dhe të heshtjes në të cilat Fjala jote do të gjejë tokën e mirë. Ma dhuro Shpirtin tënd që me forcën e tij të kuptoj atë gjë që sot do të më thuash. Edhe mua me duhet të nisem në kishë për t’i dhuruar kohën time Atit. Këtë gjë më duhet ta bëj sidomos çdo të diele dhe çdo festë të urdhëruar. Edhe unë ndonjëherë e lexoj Fjalën tënde para bashkësisë. Kur nuk kam dëshirë edhe ia lë dikujt tjetër. Më fal për kërkimin e kënaqësisë sime. Ndoshta me duhet të ofrohem kur nuk është askush tjetër që unë të lexoj. Me ndihmo që ta dëgjoj fjalën tënde dhe lejo që të më nxisë që të di të bëj atë që ti do.
18 ‘Shpirti i Zotit është mbi mua Ai më shuguroi! Ai më dërgoi t’u kumtoj të vobektëve Ungjillin, t’u shpall robërve çlirimin, të verbërve dritën e syve; t’i lëshoj në liri të ndrydhurit, 19 të shpall vitin e hirit të Zotit.’ 20 E mbylli librin, ia dha shërbëtorit dhe u ul. Të gjithë në sinagogë i drejtuan sytë në të. 21 Atëherë u tha: “Sot shkoi në vend kjo pjesë e Shkrimit shenjtë që e dëgjuat me veshët tuaj.”
Teksti që Jezusi lexoj edhe sot e kësaj dite është në Bibël. Më sa nderim duhet të marrë në dorë këtë Libër i cili është i shenjtë për ne të krishterët. Po unë a e kam fBiblën time? A ka Bibël në shtëpinë time? A e lexoj? A është Bibla libri i privilegjuar për leximin tim?
Jezusi atë ditë lexoi një pjesë të Isaisë profet. Si jehojnë fjalët e tij. Zërin e ka plot dinjitet dhe të qartë. Të gjithë e dëgjojnë. Teksti është i jashtëzakonshëm. Ky është plani i shpalljes së Jezusit. Ky është programi. Kjo Fjalë ju drejtohet të gjithëve. I thekson pikërisht ata të cilët ne i shtyjmë në skaj të shoqërisë. Këta janë të varfrit dhe të burgosurit, të verbërit dhe të nëpërkëmburit. Sa shumë herë e kanë dëgjuar këtë tekst, e duket se sot po e dëgjojnë për të parën herë. Në fund Shën Luka shënon një fjali të vetme nga predikimi që bëri Jezusi. Sot kjo po fillon që të plotësohet.
O Zot, ti nuk i lirove të gjithë të burgosurit, as të gjithë të verbërve nuk ua ktheve dritën e syve, as nuk i shpëtove të gjithë të nëpërkëmburit! Përse, o Zot? A thua na thërret ne që ta vazhdojmë punën tënde të cilën ti e shpalle? O Zot, bëj që në bashkësitë tona të ketë njerëz të cilët do të merren me të vërtetë me të varfrit dhe të nëpërkëmburit, të cilët do të rrinë me ata që janë të përjashtuar dhe të përndjekur. Po të lutem, o Zot, sidomos për ata që janë të përjashtuar nga gëzimi që kjo botë ofron. Bëj që ta kuptojnë se ekziston edhe për ta një gëzim që ti ofron në të cilin ti thërret. Na liro nga robëritë që na lidhin dhe na ngadalësojnë: robëria e vrapit drejt mirëqenies dhe pushtetit, drogës dhe alkoolit, fëlligështisë dhe grykësisë, mendjemadhësisë dhe koprracisë… Kjo është verbëria jonë. Po i ngul në ty, O Zot, sytë e mi dhe po të kërkoj ndihmë që të ballafaqohem me robërinë dhe verbërinë time.