MEDITIMI I DITËS – PRANIMI I TË TJERËVE

Written by on September 30, 2017

Lk 9, 46-50 PRANIMI I TË TJERËVE

 

Kërkoj hirin: që të di t’i pranoj edhe ata që janë jashtë bashkësisë sime.

 

Në atë kohë, 46 ndër nxënës lindi kjo çështje: cili prej tyre do të ishte më i madhi.

Derisa Jezusi flet për mundimin dhe vdekjen, nxënësit në mendimet e veta janë diku larg kësaj. Janë të hutuar me shpalljen që ju bënë Jezusi. Mirëpo kjo gjë nuk i pengon që të mendojnë për diçka  që nuk është në përputhje më porosinë e Jezusit. Ata jetojnë në një botë tjetër dhe imagjinojnë diçka më tërheqëse se sa bisedën për kryqin dhe për vdekjen. Do tu duhet shumë kohë që biseda e Jezusit tu bëhet e kuptueshme, që të ia dalin ta dëgjojnë dhe ta kenë për zemër. Nxënësit mendojnë se kush  është në mesit e tyre më i madhi. Derisa Jezusi flet për hyrjen e vet të përvuajtur në mundim, ata imagjinojnë se kush është prej tyre i pari, më i rëndësishmi dhe më i madhi. Udhëtojnë bashkë me Jezusin, por rruga e Jezusit nuk është rruga e tyre. Bisedojnë me Jezusin, por mendimet e tij nuk janë mendimet e tyre. Edhe pse janë së bashku, drejtimet e tyre ndahen në mënyrë diametrale.

O Zot, këto janë mendime njerëzore dhe të kësaj toke. Ne gjithmonë dëshirojmë të luftojmë për vendin e parë, që ta marrim nderin më të lartë. Tek ti nuk është ashtu. Mendimet tona nuk janë mendimet tua. Kur do të filloj, o Zot, të mendoj për ato gjëra që i thua ti? Kur do të filloj të ec në udhën tënde? Kur do të më përfshinë mendimet e tua: të paqes, shërbimit, përvujtërisë, thjeshtësisë? Kur, o Zot?

47 Jezusi, duke ditur ç’mendime u vlonin në zemër, e mori një fëmijë, e afroi pranë vetes,

Si mund të ndjehej Jezusi kur e dinte se për çfarë po mendonin nxënësit e tij! Aspak nuk u treguan të gatshëm që ta pyesin diçka më shumë për këtë gjë. Për këto ngjarje kaq të rëndësishme për jetën e Jezusit ata as që guxojnë të bisedojnë. Kanë frikë. Mirëpo kjo gjë nuk e frikëson Jezusin. Ai nuk e humbi durimin. Nuk dëshironte t’i ndërrojë nxënësit e vet. Nuk kërkoj nxënës më të aftë se ata që t’i kishte rreth vetes. Mbetet me ta dhe përpiqet që t’i mësojë në mënyrë shumë konkrete dhe shumë të qartë.

Dirsa ata e imagjinojnë se cili është më i madhi, Jezusi bënë një gjë që i shkëput nga imagjinata e tyre. E shikojnë se si e merr për dore një djalosh dhe e afron tek vetja. U zgjuan prej mendimeve të tyre dhe e shikojnë Jezusin me vëmendje çfarë do të bëjë dhe çfarë do të thotë. Çfarë do të bëj më këtë fëmijë në mesin e të rriturve? Pas gjesteve Ai  u tha fjalët:

48 »Kush e pranon këtë fëmijë në emër tim, më pranon mua, e kush më pranon mua, pranon atë që më dërgoi mua. Përnjëmend, kush është ndër ju më i vogli, ai është vërtet i madh.«

Këto fjalë mbi nxënës ranë si gaca. Shikonin njëri-tjetrin, pastaj Jezusin që rri më fëmijën midis tyre, dhe përsëri shohin njëri-tjetrin. Ishin të vetëdijshëm se ai i kishte kuptuar mendimet e tyre. Nuk njeheshin mirë në thellësi. Mirëpo, Jezusi këtë gjendje nuk e shndërron në teatër. Thjesht ju tregon si duhet të jenë: kush është më i vogli në mesin tuaj, ai është i madh. Ky është shndërrimi i plotë i meditimit të tyre. Do të rri personalisht gjatë duke shikuar Jezusin që më flet. Çfarë më thotë për jetën time personale? Ku dëshiroj unë të jem i pari, më i madhi, më i miri? O Zot, bëj që ta kuptoj se nuk është i madh ai që zotëron dhe urdhëron, por ai që shërben. Nuk është i madh ai që e mbanë veten të madh dhe i tillë paraqitet, por është i madh ai që është më i vogli dhe këtë gjë e pranon pa kurrfarë lakmie. Madhëria shpirtërore e njeriut është vlera më e madhe. Më ndihmo që edhe në këtë gjë të jem i thjesht dhe i përvuajtur.

49 Atëherë Gjoni mori fjalën dhe i tha: »Mësues, e pamë një njeri që dëbonte djajtë në Emër tënd. Ne ia ndaluam, sepse nuk vjen pas teje me ne.« 50 Jezusi i përgjigji: »Mos ia ndaloni, sepse, kush nuk është kundër jush, është me ju.»

Gjoni ndryshon temën e bisedës, por tregon se gjithmonë mbetet tek mendimet që atij i pëlqejnë. Këtu është në pyetje dikush tjetër që nuk i përket grupit të tyre. A ka mundësi ky njeri të bëj diçka të ngjashme siç bëjnë ata? Sipas mendimit të Gjonit por edhe sipas mendimit të shokëve të tij nuk ka mundësi. Ata edhe ia ndaluan që ta bëj këtë gjë. A ishte kjo xhelozia e nxënësve të Jezusit? A mendojnë ata se vetëm ata kanë të drejtë ta bëjnë këtë gjë? Jezusi përsëri i mëson duke e hapur shpirtin e tyre. Sa shumë duhet të mësojmë nga ky mësim! Nuk ka rëndësi vetëm bashkësia ime! E vërteta e plotë nuk është vetëm në anën time. Ne jemi njerëz që përjashtojmë. Jezusi nuk ishte i tillë.

O Zot, më ndihmo që të dijë të pranoj gjithmonë të mirën që e bëjnë të tjerët, ata që nuk i përkasin rrethit tim, bashkësisë sime, grupit tim. Bëj që mos të jem xheloz kur idetë e mira vinë nga ambientet tjera në të cilat unë nuk jam i pranishëm. Bëj që të mbështesë gjithmonë veprimet e mira të atyre që i ndërmarrin, edhe atëherë kur në disa gjëra nuk pajtohem me to. Ma jep Shpirtin tënd që ta shoh të mirën që bëhet, e jo ata që të mirën dëshirojnë ta bëjnë dhe ta zbatojnë.

 

 


Current track

Title

Artist