MEDITIMI I DITËS – PRANIMI I KRYQIT DHE I VUAJTJES
Written by Radio Maria on February 17, 2017
Mk 9, 2-13 PRANIMI I KRYQIT DHE I VUAJTJES
Kërkoj hirin: që në çastet e gëzueshme të gjej fuqi për ta bartur kryqin dhe ta pranoj vuajtjen.
2 Pas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin e i çoi vetëm ata në vetmi, në një mal të lartë dhe u shndërrua para tyre. 3 Petkat e tij u bënë ndriçuese të bardha, sa që asnjë zbardhues mbi tokë nuk mund t’i zbardhojë ashtu. 4 Atyre iu dukën Elia me Moisiun e po bisedonin me Jezusin.
Mali Tabor në Galile, sot përgjithësisht pranohet si vendi në të cilin Jezusi u shndërrua edhe pse Shën Marku nuk e përmend emrin e këtij mali. Sido që të jetë ky ishte një mal i lartë dhe para syve të njerëzve që ngjitën atje paraqitën hapësirat e gjëra.
Mali është vendi i privilegjuar i takimit të njeriut me Hyjin. Këtë gjë e pohon fuqishëm tradita biblike. Jezusi shpesh tërhiqet në mal për tu lutur. Edhe këtu ndjehet veçantia e vendit në të cilin Jezusi i merr tre nxënësit e vet. Rreth tyre nuk ka pështjellim. Nuk është as truma e popullit. Në këtë vend mbretëron qetësia. Janë në vetmi. Krejt pamja është festive sepse po përgatitet diçka e veçantë.
Dhe vërtetë, për një çast çdo gjë ndryshon. Jezusi merr dukjen e lavdishme, petkat i shkëlqejnë dhe paraqitën profetët e mëdhenj Elia dhe Moisiu. Nxënësit ndjejnë vetën se dolën nga kjo botë dhe hynë në një botë tjetër, në botën qiellore që ka bukuri të veçantë të cilën as nuk e panë deri me tani as nuk e përjetuan.
5 Pjetri atëherë mori fjalën e i tha Jezusit: “Rabbi, për ne është mirë të qëndrojmë këtu. Po ndërtojmë këtu tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë.” 6 Në të vërtetë s’dinte çka të thoshte tjetër, sepse ishin trembur keqas.
Këtu e shohim Pjetrin të disponuar plotësisht ndryshe nga ai moment kur përpiqej t’ia mbushte mendjen Jezusit që mos të nisej në rrugën e Kalvarit. Pjetri ndjen gëzimin dhe lumturinë e plotë që e kërkon qenia e tij. Vuajtja dhe kryqi nuk janë pjesë e kuptimit të tij të Mesisë. Prandaj dëshiron t’i arrestojë këto çaste të malit të shndërrimit në të cilat përjeton plotësinë e jetës. Shndërrimi i Jezusi i përmbush deri në fund nxënësit e tij dhe ata janë të lumtur. Pjetri i harroj të gjitha të tjerat dhe nuk dëshiron të kthehet më në ultësirë nga e cila kishin ardhur. Ai e ka vetëm një mendim: të rrijë këtu, të rrijë me Mësuesin në këtë gjendje kaq të bukur, të cilën dëshiron ta zgjasë. Nxënësit ndjejnë se si lumturia i përmbush dhe dëshirojnë ta arrestojnë. Pjetri ka frik se kjo ka mundësi të përfundojë dhe se do t’i duhet të kthehet në të përditshmen e zakonshme. Ai dëshiron ta mbaj këtë paraqitje duke dashur që të bëhet e amshueshme.
Shndërrimi është dëshira themelore e njeriut. Këtu shijohet ajo gjë që do të vij pas Kalvarit. Këtë gjë Jezusi dëshironte tu tregonte nxënësve. Kryqi është i rëndë dhe i dhimbshëm, por është i domosdoshëm që njeriu ta arrij shndërrimin. Shndërrimi është qëllimi i jetës së njeriut. Pikërisht për këtë gjë Jezusi kthehet përsëri në të përditshmen më nxënës, mes njerëzve. Përpara e ka udhën e Kalvarit. Shndërrimi do sjell dritë në pjesën e errët të jetës së nxënësve. Kjo dritë do të shndrisë udhën e kryqit të nxënësit dhe të secilit besimtar.
7 Ndërkaq u duk një re dhe i mbuloi me hijen e vet e prej resë u dëgjua një zë: “Ky është Biri im ‑ djali i Dishirit! Atë dëgjojeni!” 8 Menjëherë shikuan rreth e rrotull e nuk panë askënd tjetër, përveç vetëm Jezusit me ta.
Jezusi është në shoqërinë e të mëdhenjve, njerëzve më të mëdhenj të Besëlidhjes së Vjetër. Aty në praninë e tyre, Ati qiellor e pohon bijësinë dhe madhërinë e tij. Ai sjellë në përsosmëri çdo gjë që Elia, Moisiu dhe të tjerët kanë profetizuar. Për këtë arsye dëgjohet zëri i Atit për Birin e dashur të cilin duhet dëgjuar.
Ta dëgjosh Jezusin, pra, secilën fjalë dhe secilin mësim që bënë, do të thotë më ndihmën e tij të fitosh mbi të gjitha vështirësitë, me ndihmën e tij ta mbartësh kryqin, kryqin e jetës që gjithmonë është afër meje e prej të cilit nuk kam mundësi të ik.
9 Ndërsa po zbritnin nga mali, Jezusi u urdhëroi që të mos i tregojnë askujt çka panë derisa Biri i njeriut të ngjallej prej së vdekuri.
Jezusi nuk kërkon kurrfarë përshpejtimi sa i përket dërgimit të tij dhe prejardhjes. Të gjitha mundë të keqkuptohen lehtë dhe mund të shpjegohen gabimisht. Është e nevojshme heshtja për mesianizmin e tij dhe për kuptimin e ngadalshëm të hyjnisë së tij.
Më duhet të lutem dhe të meditoj për faktin se Jezusi është Biri i Hyjit. Këtë gjë më duhet ta përvetësoj ngadalë duke e kuptuar dhe duke hyrë në brendinë e kësaj të vërtete, përndryshe edhe unë jam në rrezik që këtë gjë ta kuptoj, ta pranoj dhe të besoj në të në mënyrë të pamjaftueshme dhe sipërfaqësore. Jezusi, njeriu nga Nazareti, është Hyj.
Rri i heshtur pra teje, o Zot, dhe ta paraqes heshtjen si dhuratë. Në të dëshiroj ta përjetojë madhërinë tënde dhe dua të besoj se u bëre njeri që mua të më sjellsh në bukurinë e jetës tënde hyjnore. Kjo gjë me tejkalon aq shumë sa që nuk kam mundësi ta kuptoj si duhet. Kam mundësi vetëm të them më përvujtëri: të falënderoj për këtë dhuratë.