MEDITIMI I DITËS – PRANIMI I JEZUSIT

Written by on July 14, 2017

Mt 10, 24-33 PRANIMI I JEZUSIT

 

Kërkoj hirin: që të mos kem frikë ta pranoj Jezusin para të tjerëve.

 

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: 24 Nuk është nxënësi më i madh se mësuesi as shërbëtori më i madh se zotëria i tij. 25 Mjaftë është  për nxënësin të bëhet si mësuesi i tij edhe për shërbëtorin si zotëria i tij. Në qoftë se zotin e shtëpisë e quajtën Beelzebul, aq më tepër do të thonë për shtëpiakët e tij!«

Të gjitha ato gjëra që Jezusi i kërkon prej nxënësve të tij i ka shijuar ai vet. Mësuesi tashmë ka kaluar në ato rrugë, prandaj mund të kërkojë prej tyre që të shkojnë pas tij. Nuk kërkon asgjë më shumë. Nuk është më kërkues ndaj tyre se sa ndaj vetvetes.  Mjafton që ata të bëjnë aq sa bëri ai.

O Zot, kërkon prej nesh që të përngjajmë, që të jemi si ti, Mësuesi ynë. Që të shikojmë si ti, që të dëgjojmë si ti, që të duam si ti, që të punojmë si ti… Krejt jeta jonë duhet t’i përngjaj jetës sate. Na ndihmo që të vijmë pas teje, që së paku deri diku të jemi nxënësit e tu të vërtetë. Ti kalove nëpër rrugët tona dhe na tregove se si duhet të jemi. Na ndihmo që të jemi nxënësit  e tu besnik dhe të vërtetë.

Jezusi e di se nxënësit e tij do t’i quajnë me gjithfarë emrash. Edhe atë vet e shpallën të djallosur dhe thoshin se me fuqi të Beelzebulit i dëbon shpirtrat e ndytë. Asgjë e jashtëzakonshme nëse diçka e ngjashme do të ndodh me nxënësit e tij. Sa gënjeshtrat do të rreshtohen gjatë historisë, sa shpifje dhe të padrejta në llogari të nxënësve të tij. Që nga përndjekjet e para iu shpifën se në gostitë e tyre hanë fëmijët, se e dogjën Romën, se… Nuk do të kenë mundësi të mbrohen, e as besimtarët e tjerë nuk patën mundësi ta çojnë zërin në mbrojtje të tyre. Mirëpo mbrojtjen e tyre të fundit do ta bëjë «i Zoti i shtëpisë». Atëherë çdo gjë do të vij në vendin e vet dhe vetëm atëherë e vërteta do të shndrisë me dritë të plotë.

26 »Mos ua kini,pra frikën! Sepse nuk ka gjë të mbuluar që nuk do të zbulohet,as të fshehtë që s’do të dihet. 27 Çka ju them në errësirë, thoni në dritë, e çka dëgjoni të thënë në vesh, predikoni nga pullazet!

Nuk ka frikë! Të gjitha forcat do të pësojnë humbje. Të gjitha mashtrimet do të zbulohen. Çdo gjë që shërbimet sekrete e ruajtën do të dalë në dritë, që përfundimisht të zbulohet çdo ndërmarrje e fshehtë, që të zbulohet  e vërteta. Të gjitha dosjet e rreme do të hapën dhe do të zbulohet e vërteta.

28 Mos i droni ata që vrasin trupin e nuk mund ta vrasin shpirtin. Kini frikë më tepër nga Ai, që mund t’jua humbë në ferr shpirtin edhe trupin. 29 A nuk shiten dy trumcakë për një aspër? E, megjithatë, asnjë prej tyre nuk bie në tokë pa lejen e Atit tuaj. 30 E ju? Madje edhe të gjitha fijet e flokëve të kresë suaj janë të njehura! 31 Pra, mos droni! Ju vleni më tepër se shumë trumcakë!«

Jezusi na fton tri herë që të mos kemi frikë. Sa fjalë ngushëlluese janë këto në botën e terrorit dhe të frikës. Trupi edhe ashtu ngadalë shndërrohet në hi e pluhur. Ai është shenja e dobësisë, kalueshmërisë dhe paqëndrueshmërisë. Të gjithë ata që e shkatërrojnë trupin, nuk kanë mundësi të bëjnë asgjë tjetër. Çfarë humbas nëse ma marrin jetën? A thua Zotëria nuk ma përgatiti amshimin? Shpirti është i rëndësishëm. Për të duhet të kujdesemi dhe të mendojmë. Mirëpo a nuk jemi të dënuar pikërisht në asgjësim dhe në zhdukje? Ne jemi të çmuar në sytë e Hyjit. Ai kujdesët për trumcakët e pakujdes, si ka mundësi, pra ta lë pas dore njeriun? I kemi të numëruara edhe fijet e flokëve të kresë. O Zot, të falënderoj, të falënderoj që na ngushëllon, që nuk jemi të humbur por jemi në duart e Atit. Ne jemi plot kujdese dhe frikë. Bëj që t’i kuptojmë këto fjalë të ngushëllimit dhe të sigurisë. Këto le të na udhëheqin nëpër frikësimet dhe në pasiguri tona.

32 »Kushdo, pra, pranon para njerëzve se është  imi, edhe unë do të pranojë para Atit tim që është në qiell, se jam i tij.

Jezusi kërkon prej nesh që të jemi dëshmitarët e tij para botës. Na duhet të flasim edhe kur nuk është e lehtë! Kërkon që të dalim në dritë sa herë që na shkon mendja të fshihemi në hije. Na duhet të dëshmojmë se jemi të Zotërisë. Shumë nxënës janë të guximshëm dhe nuk kanë frikë të dëshmojnë para njerëzve edhe pranë nënçmimit dhe të refuzimit që  janë të Zotërisë. Po të kërkojmë, o Zot, më shumë guxim dhe gatishmëri për të dëshmuar. Atëherë edhe Jezusi do të jetë afër nesh kur do të paraqitemi para Atit qiellor, që të ndërmjetësojë për ne, për të na pranuar si dëshmitarë të tij. Ai do të jetë dëshmitari jonë.

33 E atij që më bie mohit para njerëzve, edhe unë do t’i bie mohit para Atit tim qiellor.«

Të jesh dëshmitarë nuk është aspak e lehtë dhe shumë herë nuk është aspak e këndshme. Prandaj edhe shumë njerëzve ju vjen turp dhe fshihen në ato çaste kur duhet të dalin haptas, heshtin atëherë kur duhet të flasin. Kanë frikë që haptas ta pranojnë se janë të Zotërisë. Zotëria e kërkon prej nesh që ta pranojmë haptas.

O Zot, bëj që të mos kem turp para njerëzve që ta pranoj se jam i yti. Në qoftë se nuk pranoj para njerëzve se jam i yti, si kam mundësi të pres që ti do të ndërmjetësosh për mua para Atit qiellor!

 


Current track

Title

Artist