MEDITIMI I DITËS – POROSIA E PROFETIT

Written by on October 18, 2017

Lk 11, 47-54 POROSIA E PROFETIT

 

Kërkoj hirin: që në fjalën e Zotërisë të njoh porosinë e profetit për jetën time personale.

 

Në atë kohë Jezusi u tha farisenjve e krerëve të popullit: 47 Të mjerët ju, që u ngritni përmendore profetëve, kurse etërit tuaj i patën vrarë. 48 Kështu dëshmoni se i pëlqeni veprat e etërve tuaj; ata vranë, ndërsa ju ndërtoni përmendore!

Jezusi zbulon përmasat e reja të qëndrimeve të gabueshme që kishin farisenjtë dhe skribët. Me pak ironi flet për përpjekjet e tyre që më anë të përmendoreve t’i përmirësojnë gabimet e etërve, por në të vërtetë bëhen të njëjtë me ta, sipas disponimit që kanë. Më këtë gjë nuk dallohen aspak prej tyre.

Edhe ne, më lehtësi të madhe flasim për të kaluarën; qoftë kur e kritikojmë, qoftë kur i lavdërojmë breznitë e shkuara. Në ne ekziston njëfarë malli për kohërat që kanë kaluar. Prandaj shumë shpesh dëgjohet mes nesh: «Si ishte dikur…; si kishte besimtarë të vërtetë…; si besonin më shumë, jetonin më mirë dhe luteshin më mirë…; kishte më shumë njerëz që bënin pendesë…» Kjo gjë na padit neve. Edhe në kohën tonë ekziston dhurata e hirit të Hyjit, siç ekzistonte edhe në kohërat e shkuara. Edhe ne i kemi sakramentet kaq afër, siç i kishin në kohërat e kaluara besimtarët. Pyetja gjithmonë është personale: sa jam i gatshëm ta pranoj hirin e Hyjit dhe të bashkëpunoj më të? Sa i shosh kalimet që i bënë Hyji në jetën time? Thjeshtë: a i marrë sakramentet?

Ka rëndësi që të kremtojmë përvjetorët, në qoftë se janë rast që të zgjohet në ne ajo që është thelbësore në besimin tonë. Shumë shpesh dimë të lavdërohemi me vjetërsinë tonë si të krishterë. Edhe kjo gjë është e nevojshme. Mirëpo ka rëndësi shumë më të madhe se çfarë ka mbet nga pagëzimi ynë? Çfarë kemi bërë më të? Ku janë sakramentet tjera? A jemi bashkësi që ndërton përmendore ose pllaka përkujtimore dhe ofshanë për lavdin e vjetër ose bashkësia e gjallë e Kishës, që shikon në të ardhmen dhe e cila ka të ardhme?

49 Këndej edhe Dija e Hyjit tha: ‘Do t’u dërgoj profetë e apostuj. Ata do t’i vrasin e do t’i salvojnë disa prej tyre, 50 që prej kësaj breznie të kërkohet llogari për gjakun e derdhur të të gjithë profetëve që nga krijimi i botës: 51 prej gjakut të Abelit deri te gjaku i Zakarisë, që u vra ndërmjet të lterit e të shenjtërores’. Po, unë po ju them: do të kërkohet llogari prej kësaj breznie.

Profetët janë zëdhënësit e Hyjit. Prandaj në asnjë kohë nuk kaluan mirë. Duhet të thonë ato gjëra që njerëzit nuk i pëlqejnë dhe nuk duan t’i dëgjojnë. Prandaj nuk janë të pëlqyeshëm. Këtë gjë e shohim edhe sipas këtyre fjalëve që haptas dhe pa frikë ju drejton Jezusi njerëzve më në zë në popull. Nuk dëshiron t’i kënaq, edhe pse e kanë pushtetin që ta bëjnë të heshtë dhe ta burgosin. Nuk e pranuan si profet që ua thotë të vërtetën dhe që dëshiron t’i hap sytë e zemrës së tyre.

Secila brezni në mënyrën e vet e ka gjykuar Jezusin. Këtë gjë po e bënë edhe breznia jonë. Të gjithë ne marrim pjesë në procesin e gjykimit të Zotërisë duke marrë pjesë në të keqen.

O Zot, më ndihmo që ta dëgjoj fjalën tënde që djeg në mënyrë profetike dhe më tërheq vërejtjen. Bëj që ta njoh në fjalët e njerëzve që e shpallin edhe atëherë kur mua nuk me pëlqen. Ngrit profetë në kohën tonë, që të na qortojnë për gjërat e rëndësishme dhe për vlerat të cilat i harrojmë. Më ndihmo që t’i dëgjoj dhe t’i pranoj me krejt porosinë që përmes tyre ma drejton.

52 Vaj për ju, mësues të Ligjit! Ju e morët çelësin e dijes: vetë nuk hytë e, ata që deshën të hyjnë, i penguat!«

Këto fjalë të kritikës tregojnë shkatërrimin që bënë dyfytyrësia e jetës se njerëzve përgjegjës të kohës së Jezusit. T’ia marrësh tjetrit çelësin e dijes, ta ndalosh tjetrin të hyr aty ku dëshiron për të hyrë, është shenjë e të keqes që zotëron njeriun dhe me të cilën njeriu bashkëpunon. Më ketë gjë njeriu e shkatërron vetveten dhe i lëndon të tjerët. O Zot, përse nuk mendojmë se sa përgjegjësi të madhe kemi për njëri-tjetrin dhe sa do të përgjigjemi për shkak të përgjegjësisë që kemi për të tjerët kur do të takohemi me ty? Kujt ia ndaloj dhe ia bëj të pamundur rritën shpirtërore, intelektuale dhe përparimin?

53 Kur Jezusi doli prej andej, skribët e farisenjtë filluan ta sulmojnë rëndë dhe t’i vënë shumë pyetje, 54 duke i ngrehur leqe për ta zënë ngushtë në ndonjë fjalë prej gojës së tij.

Ata nuk deshën të pranojnë as të mësojnë asgjë nga mësimi që ua bëri Jezusi. Mbetën tek qëndrimet e veta. Dukët se u mbyllën edhe më shumë në rendin që kishin ndërtuar.

Si është e mundur, o Zot, që ata nuk të njohën as nuk të pranuan? Përse nuk e pranuan zbulesën tënde? Fatkeqësisht edhe unë më sjelljet dhe qëndrimet e mia dhe me fjalë shumë herë të refuzoj. Ki mëshirë për mua dhe për brezninë time që aq shpesh të refuzojmë dhe nuk të pranojmë.

 

 


Current track

Title

Artist