MEDITIMI I DITËS – PLOTËSIA E LIGJIT ËSHTË DASHURIA

Written by on October 28, 2017

E diela e XXX gjatë vitit A

 

Mt 22, 34-40 PLOTËSIA E LIGJIT ËSHTË DASHURIA

 

Kërkoj hirin: që të dua Ty, o Hyj dhe vëllezërit

 

Të dua, o Hyj, më gjithë zemër! Ti, o Hyj, më dhe zemrën që të dashuroj. Ti më dhurove këtë mundësi prandaj dëshiroj që të jem i drejtuar plotësisht drejt Teje. Pasi që krijove zemrën time, kjo gjë me tregon se edhe Ti ke zemër, se je Zemër e cila dashuron. Gjithnjë shikoj dashurinë tënde në kujdesin e vazhdueshëm që ke për mua. Dua, o Zot, që edhe Ti të ndjesh dashurinë time. Ritmi i jetës në mua le të bëhet lutje falënderimi. Secila frymëmarrje e qenies sime le të thotë: Të dua, o Hyj! Edhe më shumë: secila rrahje e zemrës sime gjithashtu le të thotë në vazhdimësi: unë të dua!

Të dua, o Hyji, me gjithë shpirtin tim! Ti e hukate në mua fshehtësinë e jetës. Njoh veten si trup dhe si shpirt! Të gjitha këto janë krijuar sipas dashurisë dhe mirësisë sate, të gjitha këto janë shfaqje dhe figurë e qenies sate që nuk shprehet dot. Mbart në vete frymëzimet e jetës shpirtërore. Ndjej dhe kam frikë, gëzohem dhe mundohem, iu nënshtrohem dobësive dhe mërzitjeve. Dua që në vendin ku është jeta ime e ndjenjave të jetë shprehja e dashurisë sime të plot për Ty. Dua të pranoj mërzinë, por vetëm pse “Dashuria nuk është dashur aq sa duhet”. Dua të kem frikë, që dashuria mos të fyhet. Dua të jem në shërbim të dashurisë me krejt shpirtin tim, që ai të bashkohet më Shpirtin Tënd të dashurisë.

Të dua, o Hyj, më gjithë mendjen time! Mendimet e mia duan të të arrijnë Ty. E di se askurrë nuk do të depërtoj në fshehtësinë e qenies sate, sepse Ti je shumë më i madh se ajo që unë mund të kuptoj, por të dua me të gjitha mundësit e meditimit dhe të kujtesës sime. Mendimet e mia të zbulojnë sa i mirë je dhe sa shumë e meriton secilën dashuri. Të dua me krejt mendjen time! Ti je i mrekullueshëm në gjithçka që di dhe që zbuloj për Ty, por edhe më i mrekullueshëm je na ato gjëra që mi thua dhe mi zbulon për Ty.

Prapëseprapë, Hyji im, e di se nuk të dua mjaftueshëm. Ky është urdhri më i madh, e pra nuk zbatohet në mënyrë të përsosur. Zemra ime nuk të do mjaftueshëm, shpirti im nuk të ndjen mjaftueshëm, mendimet e mia janë të shkapërderdhura. Me ndihmo që të dua në mënyrë më të përsosur!

Në mënyrë të veçantë po të lutem, o Zot, më ndihmo që të zbuloj të gjitha mundësitë e dashurisë ndaj teje pikërisht në dashurinë ndaj njeriut, ndaj vëllait dhe ndaj të afërmit. Ti thua se ky urdhër është i barabartë me të parin. Thua se ky është urdhri i njëjtë dhe i barabartë më dashurinë ndaj Teje. Më ndihmo që të zbuloj se në këtë mënyrë kam mundësi të të dua konkretisht, që të jem për Ty dhe të dhurohem për Ty. Bëj që të mos e kem të vështirë askurrë që dashurinë time në mënyrë të dukshme t’ia dhuroj të afërmit, sepse ti përsërit: “çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua!” (Mt 25, 40)

 

 


Current track

Title

Artist