MEDITIMI I DITËS – PJESËMARRJA NË MUNDIM

Written by on April 13, 2017

Gjn 18, 1-19, 42 PJESËMARRJA NË MUNDIM

 

Kërkoj hirin që të marr pjesë në Mundimin e Jezusit me gjithë zemër.

 

1 Jezusi, si i tha këto fjalë, kaloi bashkë me nxënësit e vet përtej përroit Cedron. Aty ishte një kopsht, … 2 Edhe Juda, tradhtari i tij, e dinte atë vend, … Juda mori një kompani ushtarësh … ia behu atje me pisha të ndezura, me dritëza e me armë. … 12 Atëherë njësia ushtarake me komandantin e me rojtarët e judenjve e kapën Jezusin dhe e lidhën.

Të Premten e Madhe, i lexojmë mundimet sipas Ungjillit të Shën Gjonit. Duhet t’i lexojmë në tërësi dhe shumë ngadalë, sepse çfarëdo që të zgjedhim për meditim, do të jetë pak dhe nuk do të jetë ajo më e rëndësishmja.

Jezusi ishte me nxënësit në kopsht dhe aty po lutej. E di se pas pak do të vinin për ta arrestuar. Jezusit iu dhimbs nxënësi i vet. Kur u dëgjua zhurma, ai doli me guxim para tyre dhe u dorëzua.

13 E çuan më parë tek Ana, … 15 Simon‑Pjetri dhe një nxënës tjetër po shkonin pas Jezusit. … 17 Ndërkaq shërbëtorja derëtare i tha Pjetrit: “A mos je edhe ti prej nxënësve të atij njeriu?” “Nuk jam!” ‑ iu përgjigj ky.

Sa afër janë mes tyre guximi dhe frikësimi. Para pak orëve, gjatë Darkës së fundit, Pjetri ishte i gatshëm ta jepte jetën për Jezusin. Në kopsht e përdori shpatën dhe filloi të luftonte. Por, këtu, në oborr të ish-kryepriftit, në oborr të Anës, në dobësi të plotë, e mohoi Mësuesin e vet. Para një shërbëtoreje, ai pati frikë të pranonte se ishte nxënësi i Tij.

O Zot, po të lutem për të gjithë ata nxënës të Tu që, për shkak të frikës para përndjekjeve, nënçmimeve dhe talljeve, të mohojnë dhe nuk e pranojnë se janë nxënësit e Tu. Ndihmoju të gjithëve që, pas dobësive të veta, ta gjejnë forcën, guximin dhe të rrinë pranë Teje, edhe atëherë kur nuk është e lehtë e as e përshtatshme.

37 “Pra, ti qenke Mbret?”‑ i tha atëherë Pilati. “Mirë thua! ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ Unë jam mbret!” 1 Atëherë Pilati mori Jezusin dhe urdhëroi të rrihej me frushkuj. 2 Ushtarët gërshetuan një kurorë ferrash e ia vunë në kokë … Jezusi doli jashtë me kurorë ferrash e me mantel të kuq. Pilati u tha: “Ja, Njeriu!” … 6 Porse, kur e panë kryepriftërinjtë dhe rojtarët, bërtitën: “Kryqëzoje, kryqëzoje!”

Çdo gjë po zhvillohej sikur të ishte bërë një skenar i jashtëzakonshëm. Te Pilati, vetëm në fillim pati pak pështjellim. Ai e ndjente se Jezusi ishte dorëzuar këtu për arsye të smirës. Prandaj, donte që ta lironte. Mirëpo, në bashkëbisedim me Jezusin, ai nuk mundi të zbulonte asgjë. Në pyetjen e tij, Jezusi pohoi se ishte mbret, jo prej këtu, por prej diku tjetër, nga lart. Tani Pilati nuk po kuptonte më asgjë. Në fund të fundit, të gjitha i dukeshin çmenduri. Pasiqë vetë nuk ishte i qëndrueshëm, kalonte prej kundërshtimit në kundërshtim. Mendonte se me frushkullim do t’i kënaqte hebrenjtë. Fatkeqësisht, me këtë vendim ndaj Jezusit, ai bëri padrejtësi edhe më të madhe. U dha ushtarëve rastin e shkëlqyeshëm që ta keqtrajtonin egërsisht, ta tallin dhe të luanin me Të. Më të gjitha këto, ai e zgjoi te krerët e popullit edhe më shumë dëshirën dhe epshin për ta kryqëzuar. Në fjalët e tij, «Ja njeriu», u dëgjua thirrja e tmerrshme e turmës: «Kryqëzoje, kryqëzoje!» Pastaj, e përqeshi Jezusin dhe të gjithë hebrenjtë kur tha: «Ja mbreti juaj!»

16 Atëherë ua dorëzoi të kryqëzohej. E morën, pra, Jezusin. 17 Jezusi, duke e mbartur ai vetë kryqin e vet, doli në vendin që quhet “Kafka” hebraisht “Golgota”. 18 Atje e kryqëzuan, e bashkë me të, edhe dy të tjerë, njërin në një anë e tjetrin në anën tjetër, kurse Jezusin në mes.

Mori fund gjithçka! Gjykimi u krye. Jezusi e pranoi kryqin dhe u nis drejt Golgotës. Pranë Tij ishin dy keqbërës. Të tre do t’i kryqëzonin. O Zot, unë e kundërshtoj kaq shumë kryqin tim dhe vazhdimisht pyes: përse më mundon? Përse më duhet ta mbart kryqin? Më jep më shumë dritë këtyre ditëve, që në errësirën time të kem më shumë fuqi për ta pranuar kryqin tim!

25 Në këmbë, përbri kryqit të Jezusit, qëndronin nëna e tij, … 26 Jezusi, kur pa nënën e vet dhe, pranë saj, nxënësin që donte, i tha nënës: “Grua, ja, yt bir!” 27 Pastaj i tha nxënësit: “Ja, nëna jote!” Prej asaj ore nxënësi e mori me vete.

Nëna. Gjatë gjithë kohës ishte me Të. Në thellësi e ndjente çdo gjë që po përjetonte Jezusi. Vetëm nëna mund të ndjejë se sa i vuan fëmija. Maria e përjetonte këtë gjë në mënyrë krejtësisht të veçantë. Jezusi ia dhuroi nxënësit të dashur dhe, përmes tij, të gjithë neve. Të falënderoj, o Zot, që në ato çaste të fundit mendove për Nënën, mendove për nxënësin dhe për mua. Të falënderoj që ma dhurove edhe mua për Nënë. Kështu jam i sigurt se askurrë nuk do të mbetem bonjak, sepse Maria është nëna ime!

28 Pastaj, … tha: “Kam etje!”  … 30 Jezusi, posa e kërkoi uthullën, tha: “Gjithçka u krye!” Uli kokën e dha shpirt.

Ky nuk është fundi! Jezusi donte të thoshte se u plotësuan të gjitha dhe u përkryen. Tani, Ai mundi që t’i dorëzohej plotësisht Atit. Vepra u krye, misioni u përmbush plotësisht. Më ndihmo, o Zot, që edhe unë ta përmbush misionin tim deri në plotësi, që ta plotësoj veprën e Hyjit deri në frymëmarrjen e fundit! Bëj, o Zot, që në fund, në paqe dhe kënaqësi, t’ia dorëzoj Atit shpirtin tim!

 


Current track

Title

Artist