MEDITIMI I DITËS – PËRMASA APOSTOLIKE

Written by on February 1, 2017

Mk 6, 7-13 PËRMASA APOSTOLIKE

 

Kërkoj hirin: që ta kuptoj rëndësinë e përmasës apostolike në jetën time si besimtar, meshtar ose rregulltar.

 

7 Atëherë i thirri të Dymbëdhjetët e nisi t’i dërgojë dy nga dy dhe u dha pushtet mbi shpirtrat e ndytë.  8 U urdhëroi të mos marrin në udhëtim asgjë tjetër, përveç shkopit: as bukë, as strajcë, as para bakri në brez,  9 por të mbathin vetëm sandalet e të mos veshin dy palë petka.

Erdhi koha që nxënësit e Jezusit ta provojnë vetë apostullatin. Kaluan më të një periudhë kohe në të cilën shikuan dhe mësuan. Ungjilli sipas Markut shumë qartë na paraqet Jezusin të cilin e rrethojnë nxënësit përball turmës dhe kundërshtarëve. Ata janë gjithmonë më të. Kur në mal zgjodhi të Dymbëdhjetët, ky ishte qëllimi i parë i zgjedhjes: që të jenë më të.

Jezusi ka vendosur: erdhi momenti për t’i dërguar që të jenë vetëm duke e shpallur Lajmin e gëzueshëm. Nuk do të jetë ky vetëm një eksperiment i përkohshëm, sidomos nuk do të jetë ndonjë aventurë. Kjo është një periudhë e rëndësishme në edukimin e tyre për dërgimin përfundimtar. Kjo është praktikë që e bëjnë gjatë jetës së Jezusit që përbën arsyen e dytë të zgjedhjes së Dymbëdhjetëve: që t’i dërgojë për të predikuar.

Jezusi dëshiron të shfrytëzojë mirë hovin dhe interesin që populli kishte për paraqitjen e tij që ndjehej qartë në çdo anë. Tani është rasti më i volitshëm që edhe nxënësit e tij në mënyrë shumë konkrete t’i përfshi në misionin e vet që edhe ata ta ndjejnë gëzimin e predikimit dhe suksesin që pastaj do tu bëhet nxitje e vazhdueshme. Në të vërtetë, përmes tyre ka mundësi më lehtë të arri tek më shumë njerëz dhe në shumë vende tjera në të cilat personalisht nuk mund të arrinte.

O Zot, ti nuk dëshiron që në mënyrë xheloze vet t’i bësh të gjitha. Tani i përfshin edhe nxënësit e tu në apostullim. Bëj që edhe unë ta zhvilloj vetëdijen për jetën apostolike sido që të jetë thirrja ime dhe me çfarëdo pune që të merrem. Gjithmonë kam mundësi të jem apostull, gjithmonë kam mundësi të jem i dërguar. Ti i dërgove dy nga dy, sepse kështu do ta kenë më lehtë. Kanë mundësi t’i ndihmojnë njëri-tjetrit dhe të mbështetën në njëri-tjetrin. Kështu na mëson edhe neve që të bashkëpunojmë. Edhe pranë dëshirës më të mirë nuk kemi mundësi t’i bëjmë të gjitha vetëm. Na duhet të llogarisim në bashkëpunim. Individualizmi është i rrezikshëm. Ka mundësi të na sjell në rrugë të gabueshme. Na ndihmo që të dimë të bashkëpunojmë njëri me tjetrin: meshtarët, rregulltarët, rregulltaret, shekullarët. Jemi të drejtuar në njëri-tjetrin dhe duhet shfrytëzuar pasurinë e dallimeve tona në punën tonë apostolike.

Në dërgimin e parë të nxënësve të tu, se pari kërkon prej tyre që të luftojnë kundër shpirtrave të ndytë. Kjo gjë nuk na çudit, sepse ky ishte kujdesi yt i parë për tu ndihmuar njerëzve. Prandaj duhet drejtuar nxënësit e tu në gjënë thelbësore. Lufta kundër të Keqit është detyra jote kryesore dhe do të jetë detyra kryesore e nxënësve tu. Gjëja më e rëndësishme është të lirohen njerëzit nga robërimi i të keqit.

Gjithashtu Jezusi dëshiron që nxënësit e tij të jenë shumë të lëvizshëm. Prandaj qartë kërkon prej tyre se si duhet të përgatiten për udhëtim. Me ato pak gjëra që do të marrin më vete shumë lehtë do të shkojnë prej vendit në vend. Kjo gjë do të vleje për misionarët e të gjitha kohërave. Pasuria e tyre e vetme është mbështetja në Zotërinë. Sa më të lirë të jenë nga gjërat materiale aq më shumë vend do të ketë për bashkëpunim me Zotërinë. Shumë gjëra e ngarkojnë njeriun dhe i sjellin shumë kujdese. Ndoshta ne jemi bërë të palëvizshëm për shkak të peshës së të mirave të përkohshme të cilat na shtypin. Duhet të dimë të lirohemi, duhet të jemi të lirë dhe të gatshëm duke mos u lidhur për asgjë që na vështirëson afërsinë me Jezusin dhe lëvizjen e lirë në jetën apostolike. Si është situata ime? A jam bërë skllav i shumë gjërave të cilat e pengojnë shpirtin apostolik në mua?

10 Dhe u thoshte: “Kudo që të hyni në ndonjë shtëpi, rrini aty derisa të largoheni nga ai vend. 11 Po qe se ndokund nuk ju pranojnë dhe nuk ju dëgjojnë, dilni dhe shkundni pluhurin nga këmbët tuaja si dëshmi kundër tyre.”

Jezusi iu tërheq vërejtjen nxënësve për situatat e vështira në të cilat do të hasin. Do të ketë refuzime, nënçmime, kundërshtime. Këto situata ata tashmë i kanë përjetuar së bashku me Jezusin. Kur do të jenë vetëm, kjo gjë do të jetë më e dhimbshme dhe më e rëndë. Prandaj Jezusi u tërheq vërejtjen. As misioni i Kishës nuk është turizëm. Është i rëndë dhe kërkues. Duhet të përgatitet seriozisht. Na duhet që të jemi gjatë me Jezusin që pastaj të kemi mundësi për tu nisur për të predikuar.

12 Ata shkuan dhe u predikuan njerëzve kthimin kah Hyji. 13 Dëbonin shumë djaj, lyenin me vaj shumë të sëmurë dhe i shëronin.

Predikimi përbëhet nga thirrja dhe shndërrimi i jetës. Kthimi është ky: Jezusi i dërgoi nxënësit të dëbojnë shpirtrat e ndytë. Kjo do të thotë iu duhet të luftojnë kundër të Keqit. Me lyerje dhe shërim të të sëmurëve do të angazhohen për jetë më cilësore. Këtu janë tri thirrjet e vazhdueshme të Ungjillit që Jezusi ia drejton secilit nxënës në të gjitha kohërat. Ungjilli është kërkues. Na duhet t’i përdorim të gjitha aftësitë në qoftë se dëshirojmë ta shpallim Ungjillin në mënyrë të vërtetë.

 


Current track

Title

Artist