MEDITIMI I DITËS – PËRFUNDIMI I BOTËS
Written by Radio Maria on November 12, 2016
Lk 21, 5-9 PËRFUNDIMI I BOTËS
E dielë
Kërkoj hirin: që të shikoj me guxim kalueshmërinë time dhe të jem i qëndrueshëm në vështirësi.
5 Kur disa po flisnin për Tempullin se si është i stolisur me gurë të bukur e me dhurata kushtimore, Jezusi tha: 6 “Do të vijë dita, kur, ndër të gjitha këto që po shikoni nuk do të mbetet as gur mbi gur pa u rrënuar.”
Tempulli i hebrenjve ishte i mrekullueshëm. Më të mrekullueshme ishin gjërat që ndodhnin në të dhe në lidhje me të. Qe rrënuar dhe qe rindërtuar. Në fund, romakët e shkatërruan plotësisht. Nuk mbeti në të as gurë mbi gurë. Prej tij mbeti Muri i vajtimit të cilin Hebrenjtë e nderojnë si gjënë më të shenjtë që kanë. Në të vendosin copa letre në të cilat shkruajnë lutjet dhe dëshirat e veta. Të gjithë shtegtaret gjithsesi e vizitojnë Murin e Vajtimit. Atje lart, ku ishte Tempulli, sot janë dy Xhami: e Omarit, kryevepër e arkitekturës islame, sot është muzeu Al Aksina që dikur ishte pallati mbretëror, e Saladini pas pushtimit të Jerusalemit caktoi që në të të kryhej kulti.
Në kohën e Jezusit tempulli vërtetë ishte i jashtëzakonshëm. Herodi e ripërtëriu dhe Hebrenjtë mburreshin me Tempullin e tyre. Fjalët që Jezusi i tha për Tempullin ishin shumë të dhimbshme. Ai qau mbi këtë qytet, e deshi me gjithë zemër, ia solli Lajmin e shëlbimit, por Jerusalemi të gjitha i refuzoi. Nxënësit këto fjalë të Jezusit i përjetuan si rënie të rëndë e cila i kalamendi. Ishin shumë të rënda që të kishin mundësi t’i pranonin. Jezusi nuk zbut asgjë. Vazhdon të flasë për kalueshmërinë.
O Zot, nuk duam të dëgjojmë kur flet se çdo gjë është e kalueshme, e dobët dhe e thyeshme. Luftojmë për jetën, shëndetin, zgjatjen e jetës. Një gjë është e sigurt, çdo gjë në jetë është e kalueshme. I mbyllim sytë para kësaj njohjeje. Na ndihmo që të mos frikësohemi të shohim se si secila ditë kalon dhe se si çdo orë na tregon kalimin e kohës e cila nuk kthehet më. Kjo gjë le të na bëjë besnikë ndaj teje dhe ndaj çdo pune që kryejmë.
7 E pyetën: “Mësues, kur do të ndodhë kjo dhe cila do të jetë shenja se këto po fillojnë të ngjajnë?” 8 “Ruajuni ‑ iu përgjigj ‑ të mos ju gënjejnë! Sepse shumë do të vijnë në emrin tim e do t’ju thonë: ‘Unë jam!’ dhe: ‘U afrua koha!’ Mos shkoni pas tyre! 9 E kur të dëgjoni të flitet për luftëra e për kryengritje, mos u frikësoni! Sepse të gjitha këto do të ndodhin më parë, por as atëherë nuk është menjëherë mbarimi.”
Nxënësit i intereson ajo gjë që na intereson edhe ne: kur do të jetë përfundimi i botës? Jezusi nuk flet për ditën as për orën kur kjo do të ndodhë, gjë që nxënësit e donin e që edhe ne duam ta dimë. Prandaj edhe kemi shumë përpjekje të dështuara që parashikuan fundin e botës. Nuk ka rëndësi kur do të ndodhë, por si të sillemi kur të ndodhë.
O Zot, kjo gjë mos të na gjejë. Edhe më shumë, po të lutemi që askush mos të na ngashënjejë duke na larguar prej teje. Bej që t’i njohim ata që mbahen se janë të tutë, që flasin në emrin tënd dhe shpallin kohën e përfundimit që mos të nisemi pas tyre, sepse janë profetë të rrejshëm. Duam të rrimë me ty. Afër teje duam ta presim përfundimin tonë vetjak dhe të botës në qoftë se ndodh në kohën tonë.
10 Atëherë u tha: “Do të ngrihet një komb kundër një kombi tjetër, një mbretëri kundër një mbretërie tjetër, 11 do të ndodhin tërmete të mëdha, në vende të ndryshme uri e murtaja, do të ngjajnë dukuri të frikshme dhe shenja të mëdha nga qielli. 12 Mirëpo, para se të ndodhin të gjitha këto, do të vënë dorë në ju e do t’ju salvojnë; do t’ju dorëzojnë në sinagoga e në burgje, do t’ju qesin para mbretërve e para qeveritarëve për shkak të emrit tim. 13 Kjo do t’ju japë rast të jepni dëshmi.
Jezusi vazhdon duke përshkruar se çfarë do të ndodhë dhe cilat shenja do të lajmërohen. Pranë të gjitha katastrofave, krizave dhe profetëve të rrejshëm, do të ketë edhe përndjekje për shkak të emrit të Jezusit. Duhet dëshmuar atëherë kur do të jetë e rrezikshme dhe kur dëshmia do të paguhet me jetë.
O Zot, ndjehemi të pafuqishëm para tërmeteve, shkatërrimeve dhe tmerreve të cilat ndonjëherë na vërsulen. Edhe më të vështirë e kemi kur për dobësi na tradhtojnë dhe na dorëzojnë në duar të atyre që janë të pushtetshëm e që nuk e pranojnë emrin tënd. Po të lutemi për të gjithë ata që janë të përndjekur vetëm pse pranojnë se të përkasin ty, vetëm pse nuk turpërohen për shkak të emrit tënd. Të falënderoj për guximin e tyre. Besojmë se, sado që është e dhimbshme dhe e rëndë, gjaku i të krishterëve është fara e të krishterëve të rinj. Në shoqërinë tonë perëndimore nuk na duhet më të dëshmojmë para mbretërve. Ata janë të paktë dhe më nuk kanë pushtet. Por duhet dëshmuar në shkollë, në fakultet, në fabrikë.. atje ku shpesh të përqeshin ty dhe Kishën tënde. Duhet dëshmuar duke mbrojtur vlerat e vërteta. Duhet mbrojtur jetën që nga ngjizja e deri te vdekja natyrore, na duhet të japin kontributin tonë për të dielën, meshtarin, martesën…
14 Mbani mend: s’keni nevojë që më parë ta përgatitni mbrojtjen tuaj, 15 sepse unë do t’ju jap zotësinë e fjalës dhe urtinë, të cilën s’do të mund ta kundërshtojë as t’i bëjë ballë asnjë nga kundërshtarët tuaj. 16 Do t’ju padisin madje edhe prindërit, vëllezërit, farefisi e miqtë dhe disa prej jush do t’i vrasin. 17 Të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim. 18 Porse, as një fije floku s’do t’ju bjerë prej kresë! 19 Me qëndresën tuaj do ta shpëtoni jetën tuaj.”
Jezusi nuk dëshiron të trishtojë as të sjellë frikë mes nesh. Ai thotë se do të jetë në mesin tonë dhe do na japë urtinë në ato çaste. Edhe kur më të afërmit tonë të na braktisin, edhe atëherë kur nuk ka më rrugëdalje, edhe atëherë kur do jemi të mbyllur në kafaz, edhe atëherë kur do të jemi para murit të vdekjes.
O Zot, e kam të lehtë të shkruaj dhe të meditoj për këto gjëra sepse gëzoj sigurinë e dhomës sime. Me ndihmo që të thellohem në të gjitha këto gjëra për të cilat po flet dhe të gjitha t’i kem për zemër. Me ndihmo që të marr pjesë në jetën e të gjithë atyre që përjetojnë të gjitha këto gjëra për të cilat ti po flet. Jepu qëndrueshmëri të përndjekurve dhe fenë e gjallë që të llogarisin me ty atëherë kur e kanë më së vështiri. Ngushëllim i madh është kur na thua se asnjë fije e flokëve nuk do t’i bie asnjërit që është me ty dhe llogarit me ty.