MEDITIMI I DITËS – PENDESA DHE AGJËRIMI

Written by on July 7, 2017

Mt 9, 14-17 PENDESA DHE AGJËRIMI

 

Kërkoj hirin: që pendesa dhe agjërimi që bëj te jenë rast i rritës sime në fe.

 

Në atë kohë, 14 iu afruan Jezusit nxënësit e Gjonit e i thanë: “Përse ne dhe farisenjtë agjërojmë shpesh, kurse nxënësit e tu nuk agjërojnë?”

Sjellja e Jezusit dhe nxënësve të tij ju pengonte shumë grupeve fetare që atëherë jetonin në hebraizëm. Ja tani një grup i ri që vjen tek Jezusi dhe kërkon prej tij shpjegim për shkak të sjelljes së ndryshme të nxënësve të tij. Këta i intereson agjërimi; çuditën për sjelljen e nxënësve të Jezusit.

Secili religjion përmban në vetvete një përmasë të caktuar të pendesës, që do të thotë kërkon prej njerëzve ushtrime me të cilat dëshiron tu ndihmojë që disponimi i shpirtit të tyre në brendi të jetë më i mirë. Këtu radhitën shumë pendesa dhe vetëmohime. Të gjitha këto ushtrime janë të mira kur nuk u bëhen qëllim vetvetes, por janë mjete me të cilat dëshirojmë të arrijmë kthimin e brendshëm dhe disponimin e vërtetë të shpirtit. Kur shndërrohen dhe i bëhen qellim vetvetes, kur bëhen masë e fesë dhe e jetës shpirtërore, atëherë e humbin kuptimin e tyre dhe bëhen pengesë e rritjes shpirtërore të njeriut.

Dukët qartë se nxënësit e Gjonit dhe të farisenjve tek Jezusi dhe nxënësit e tij në marrëdhënie me agjërimin e shohin një sjellje tjetër. Ata tek këta nuk shohin rreptësinë dhe kujdesin për të zbatuar ligjet e jashtme të cilat këta vet i zbatojnë pikë për pikë.

O Zot ma jep Shpirtin e maturisë që të dijë të vlerësoj mirë pendesën dhe agjërimin të cilat do të më ndihmojnë që të rritem në fenë dhe në përshpirtërinë time.

15 Jezusi u përgjigj: “A është e mundur të mbajnë zi dasmorët derisa të jetë me ta dhëndri? Por, do të vijë koha, kur do t’ua rrëmbejnë dhëndrin. Atëherë edhe ata do të agjërojnë.

A thua më të vërtetë nxënësit e Jezusit nuk ishin të kujdesshëm dhe nuk e kryenin agjërimin, por e kalonin jetën në gëzime? Sigurisht që jo. Jezusi ishte besnik ndaj Ligjit. Këtë gjë e kërkonte edhe prej nxënësve të vet. Ai nuk erdhi për të zhbërë Ligjin por për ta përsosur. Në këtë shpirt ai iu përgjigjet nxënësve të Gjonit. Në këtë mënyrë i befasoi me siguri mbrojtësit e agjërimit.

Jezusi nuk thotë asgjë kundër agjërimit dhe nuk e mohon ketë mënyrë të nevojës njerëzore për përshpirtëri ndaj Hyjit. Por Jezusi nuk do që agjërimi të merret si masë e besnikërisë se njeriut. Do ketë kohë edhe për agjërim edhe për të mbajtur zi. Me këtë gjë Jezusi paralajmëron mundimin dhe vdekjen. Pra ekziston koha e agjërimit, por është edhe koha kur nuk duhet agjëruar. Disa raste në jetën e njeriut kërkojnë prej tij që të gëzohet dhe të jetë i hareshëm. Të qenët e tij në mesin e nxënësve, Jezusi e krahason me dhëndrin midis dasmorëve. Kjo është koha kur duhet të gëzohemi dhe të galdojmë. Me ardhjen e Jezusit ka filluar koha e re. E morëm shëlbimin dhe të keqes i erdhi fundi dhe shkatërrimi. Agjërimi në këtë kontekst e merr përmasën e re. «Kur të agjëroni, përeroni kryet, pastroni fytyrën», iu thotë Jezusi atyre që në këtë mënyrë dëshirojnë ta tregojnë besnikërinë e tyre.

Lajmi i gëzueshëm i Jezusit në thelbin e tij është thirrje në gëzimin e dasmës. Jezusi është Dhëndri, dhe mbarë bota e fejuara. Prandaj në jetën tonë të krishterë nuk ka vend për të mbajtur zi dhe për pesimizëm. Çdo gjë që na ndodh gjatë historisë sonë në fund, përfundon në gëzim në qoftë se thirrjen tonë e jetojmë me besnikëri.

O Zot, më ndihmo që në besimin tim dhe në zhvillimin e jetës sime si besimtar të jem njeri i gëzimit dhe i shpresës.

16 Askush nuk vë arnë pëlhure të re në petk të vjetër, sepse arna e shtrin petkun dhe grisja bëhet më e madhe.

Më këtë përngjasim nga jeta, Jezusi tregon se vërtetë diçka e re ka filluar në marrëdhënien e njeriut ndaj Hyjit. Prandaj nuk guxojmë të rrimë të mbyllur në mësimet e vjetra, sepse ato tashmë janë të pamjaftueshme për të na afruar tek Hyji dhe për të na gëzuar.

17 As nuk shtihet vera e re në rrëshiqa të vjetër: përndryshe rrëshiqat shpohen, vera derdhet edhe rrëshiqat shkojnë dëm. Vera e re hidhet në rrëshiqa të rinj e kështu ruhen të dy.

Me përngjasimin e ri Jezusi e thekson edhe më shumë të njëjtin mendim. Feja jonë duhet ta ketë freskinë, përndryshe do të bëhet rrëshiq i vjetër. Feja e tillë do të bëhet në një çast edhe për ne e mërzitshme, sepse nuk do të na sjell gëzimin dhe hovin dhe do ta braktisim.

O Zot, ma jep zemrën e hapur për të pranuar të renë pozitive dhe të shëndosh që do të më japë shpirtin e freskët për «verën e re» për të cilën me flet si për simbolin e gëzimit të freskët. Shndërro në mua çdo gjë që është vjetruar dhe e ka erën e vjetërsisë e cila nuk e lejon rritjen dhe shpërthimin e filizave të ri.

 


Current track

Title

Artist