MEDITIMI I DITËS – PASURIA E KALUESHME DHE E PAKALUESHME

Written by on August 2, 2019

E diela e tetëmbëdhjetë gjatë vitit – C

 

Lk 12, 13-21 PASURIA E KALUESHME DHE E PAKALUESHME

 

13 Atëherë dikush prej turmës i tha: “Mësues, thuaji vëllait tim ta ndajë me mua trashëgimin tonë.” 14 “Or mik, ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ kush më vuri mua gjykatës ose ndarës mbi ju?” 15 Atëherë u tha: “Vërjani mendjen: ruajuni fort prej lakmisë së pasurisë, sepse sado i pasur që ndokush të jetë, jeta e tij nuk varet nga pasuria që ka.”

            Një njeri ishte në vështirësi. Vëllai i tij nuk dëshiron të ndajë trashëgimin me të. Këto janë konfliktet që i përcjellin njerëzit më të afërm në familje, vëllezërit dhe motrat. Kur vjen koha që trashëgimia të ndahet, shumë shpesh ndodhin probleme të shumta. Nuk është e lehtë për ta ndarë dhe për t’u marrë vesh për gjërat e përbashkëta. Gjithmonë disa mendojnë se morën më pak dhe se të tjerët i kanë mashtruar. Kështu krijohen ngatërresat dhe konfliktet që shumë shpesh vazhdojnë gjatë nëpër gjyqe. Në këto raste, fatkeqësisht, ndërhyn edhe urrejtja në marrëdhëniet e tyre. Nga më të afërmit bëhen për njëri-tjetrin njerëzit më të largët. Nga më të dashurit, më të urryerit. Të gjitha këto për shkak të pasurisë, për shkak të atyre gjërave që nuk i sollën në këtë botë as nuk do t’i marrin nga kjo botë.

            Ky njeri, qartë ishte në konflikt me vëllanë e vet. Ndjen se Jezusi ka mundësi t’i ndihmojë. Ka besim në të, prandaj edhe i drejtohet. Reagimi i Jezusit është shumë interesant. Pati mundësi të ndërmjetësojë, sepse do të ndërhynte objektivisht mes vëllezërve. Pati mundësi t’i këshillojë. Mirëpo, Jezusi nuk do të përzihet në punët e tyre. Përse? Cilën porosi dëshiron t’u japë?

            Jezusi dëshiron të theksojë thelbin e dërgimit të vet, atë gjë për të cilën erdhi. Ai nuk është këtu për të gjykuar për gjërat materiale. Edhe këto janë të nevojshme dhe të rëndësishme, por ekziston diçka që i tejkalon ato, diçka që është shumë më e nevojshme dhe më e rëndësishme se aferat e të hollave, nevojat materiale dhe konfliktet që në to ndodhin. Njeriu është në tundim të vazhdueshëm që në Kishë dhe në Ungjill të kërkojë “gjyqtarin” ose ndihmën për gjërat e kësaj jete. Në qoftë se i përmbahet shpirtit të Ungjillit, atëherë ai nuk e ka problem përmasën materiale të jetës. Nëse nuk e nderon shpirtin e Ungjillit, pse atëherë kërkon ndihmën e tij? Prandaj Jezusi e drejton njeriun që të marrë mbi vete përgjegjësitë e veta. Së bashku me vëllain, ndoshta edhe me njerëzit e tjerë duhet të zgjidhin konfliktet e krijuara. Është fatkeqësi të shohësh se si njerëzit mundohen shumë, harxhojnë shëndetin, të hollat, kohën për të zgjidhur këto probleme. Sa shumë humbin gjatë kësaj kohe nuk janë aspak të vetëdijshëm. Është fatkeqësi të shohësh se sa vend sot kanë avokatët në media gjë që më së miri tregon se shoqëria jonë është përplot konflikte, gënjeshtra, grabitje, padrejtësi, padi… Kur avokatët kanë shumë vend në media, kjo do të thotë se jemi të ngarkuar me konflikte dhe marrëdhëniet tona njerëzore janë të këqija.

            O Zot, çuditemi se si nuk i erdhe në ndihmë njeriut. Çuditemi sepse ne i kemi problemet e tija. Sikurse e mësove atë gjithashtu dëshiron të na mësosh edhe ne, jeta nuk është në ato gjëra që kemi. Nuk janë të rëndësishme shtëpitë, banesat, jahtet, automjetet, llogaritë në banka… Të gjitha këto janë të paqëndrueshme dhe të dobëta. Kurse në dëshirojmë në këto gjëra ta themelojmë jetën. Prandaj dhe jemi kështu. Në vazhdimësi nuk kemi paqe për këto gjëra. Vazhdojmë në gjykata për shkak të dëshirës për të pasur në të cilën kemi mashtruar njëri-tjetrin. Na ndihmo, o Zot, të kuptojmë se ka gjëra më thelbësore dhe më të rëndësishme. Na ndihmo që të mendojmë më shumë në jetën shpirtërore dhe në të të vendosim vlerat që janë të pakalueshme e të cilat askush nuk ka mundësi për t’i marrë as për t’i shkatërruar. Këto na ndihmojnë që të mirat e përkohshme me gëzim t’i ndajmë me të tjerët.

16 Atëherë u tregoi këtë shëmbëlltyrë: “Tokat e një pasaniku i dhanë fryt të madh. 17 Ai mendonte me vete e thoshte: ‘Ç’të bëj? Nuk kam më vend ku të mbledh të lashtat e mia. ’18 Dhe tha: ‘Kështu po bëj: do t’i rrëzoj grunarët e do t’i punoj më të mëdhenj dhe do t’i mbledh në ta të gjitha: grurin dhe të gjitha të lashtat e mia. 19 Atëherë do t’i them shpirtit tim: shpirti im, ke pasuri me shumicë për shumë vjet: pusho, ha, pi, gëzo!’ 20 Porse Hyji i tha: ‘I marrë! Pikërisht sonte, në këtë natë, do të kërkohet shpirti yt prej teje, e ç’grumbullove kujt do t’i mbesë?’ 21 Kështu i ndodh atij që grumbullon pasuri për vete e nuk kujdeset të bëhet i pasur në Hyjin.”

            Jezusi e vazhdon mësimin. Njeriu i dha mundësi që të theksojë ato gjëra që njerëzit i nëpërkëmbin dhe nuk mendojnë në to. Jezusi pikërisht për këtë gjë edhe erdhi. Kjo shëmbëlltyrë është e shkurtër por shumë domethënëse dhe plot mësim.

            Kur e shikojmë botën rreth vetes, shohim se njerëzit sillen pikërisht kështu. A thua nuk paraqitën të gjitha aferat e kohës sonë, që janë të shumta, në këtë shëmbëlltyrën e shkurtër që na tregon Jezusi? Ky njeri, a ndërtoi me djersën e vet? Askujt as nuk i mori as nuk e dëmtoi. Nuk u hëngri djersën punëtorëve? Çka ka këtu të keqe? Prapëseprapë ky njeri thelbësisht mori drejtim krejtësisht të gabuar? Diçka nuk ka parashikuar. Besimin e vet e ka themeluar në diçka që nuk ka mundësi ta kontrollojë deri në fund. Ai është në qendër: do të mbledhë… do të rrënojë… do të ndërtojë… do të kënaqet… çdo gjë është e imja! Unë, është në qendër. Kjo është çmenduria më e madhe që mund t’i ndodhë njeriut. Nga kjo dëshiron të na mbrojë Jezusi. Që mos të jemi pa mend!

            O Zot, dua ta shikoj jetën time në dritën e kësaj shëmbëlltyre. Në çfarë e themeloj unë jetën time? Cilat janë vlerat të cilave ju jap përparësi? Çfarë mbledh dhe bashkoj, ngris dhe ndërtoj? Në çfarë dëshiroj të kënaqem? Në çfarë i shpenzoj talentet dhe të mirat e mia? Më ndihmo, o Zot, që sinqerisht të dal para teje dhe para vetvetes! O Zot, dua të shoh çfarë është thelbësore, e çfarë nuk është. Më ndihmo që ta shikoj jetën time në dritën e amshimit. Çdo gjë që kam, kujt do t’i mbetet në mbarim? Kur të vijë çasti që të më kërkohet shpirti, më ndihmo që të jem gati. Bëj që pasuria ime të jetë në ty. Më ndihmo që në asnjë mënyrë të mos lidhem me ato gjëra që edhe ashtu do tu mbesin të tjerëve pas meje.


Current track

Title

Artist

Send this to a friend