MEDITIMI I DITËS – PASTRIMI NGA GËRBULA
Written by Radio Maria on June 29, 2017
Mt 8, 1-4 PASTRIMI NGA GËRBULA
Kërkoj hirin: që Zotëria të më pastrojë nga «gërbula» ime.
Në atë kohë, kur Jezusi zbriti nga mali, iu vu pas një turmë e madhe populli.
Mateu ungjilltar qe dëshmitar që i pa të gjitha ngjarjet në jetën publike të Jezusit. Pas Fjalimit të malit ai e përcjell Jezusin derisa zbret prej malit, e pas tij shkon turmë e madhe e popullit. Qartë, që nga fillimi i paraqitjes së Jezusit turma bashkohet rreth tij. Njerëzit dëshirojnë ta dëgjojnë fjalën e tij dhe e përcjellin hap pas hapi kahdo që shkon. Ndjejnë se Jezusi është i ndryshëm nga skribët të cilët zakonisht i kanë dëgjuar. Jezusi flet në mënyrë të bindshme dhe fjalët e tij godasin gjënë më të rëndësishme dhe më thelbësoren që i përket marrëdhënies së njeriut me Hyjin dhe me të afërmin. Sigurisht, në fillim në turmë ka entuziazëm që shumë shpesh lidhet më dëshirën për të ditur, interesin, dëshirën për spektakël dhe për diçka të re që gjithmonë njerëzit i tërheq dhe i bashkon. Shumë prej këtyre njerëzve në fundin e jetës së Jezusit do të jenë kundër tij, por gjithashtu shumë prej tyre do të mbetën me të edhe atëherë kur këtë gjë do ta kërkojë besimi në të cilin nuk do të ketë interes as qëllime personale.
O Zot, më ndihmo që të vij pas teje dhe të jem dëgjues besnik i Fjalës tënde. Më ndihmo që të vij pas teje edhe atëherë kur fesë sime i mungojnë të gjitha shtesat të cilat në dukje me mbajtën në shoqërinë tënde. Bëj që të vij pas teje edhe atëherë kur do ta përjetoj errësirën e fesë në të cilën do të me mungojnë ndjenjat që shumë shpesh kanë domethënie të madhe për besimin tim e të cilat i kërkoj aq shumë.
2 Dhe ja, një gërbulan iu afrua, ra përmbys para tij e i tha: »O Zot, nëse ti do, mund të më shërosh.«
Kjo është mrekullia e parë të cilën na përshkruan Shën Mateu në Ungjillin e vet. Jezusi takohet me njeriun që vuan shumë. I gërbuluri jetonte jashtë bashkësisë sepse gërbula ishte sëmundje ngjitëse dhe e pashërueshme. Në këtë sëmundje njeriu thjesht shpërbëhej, kalbej dhe deformohej. Ai vuante në trup, por më shumë vuante në shpirt. Ndjehej njeri që e përjashtoi familja dhe shoqëria. Të tjerët e shikonin si të papastër dhe mëkatar. Sëmundjen e tij e përjetonin si ndëshkim të Hyjit. Jetonte në cepin e ngjarjeve. Ai ishte aq afër çdo gjeje, e çdo gjë ishte aq larg prej tij. Të gjitha këto i shkaktonin vuajtje të madhe në shpirt.
Ja takimi i parë i Jezusit me një të gërbulur. Nuk kalon afër tij dhe nuk ka frikë të takohet me të. Lutja e të gërbulurit gjënë jehonë në zemrën e mëshirshme të Jezusit. Ai nuk erdhi vetëm të flas mirë, përmbi të gjitha erdhi për të vepruar mëshirshëm. Takimi i tij më sëmundjen më të rëndë të kohës ka domethënie të madhe: «Zotëri, nëse do, mund të më shërosh». I gërbuluri beson, por prapë lutet me përvujtëri. Tregon fisnikëri të jashtëzakonshme. Edhe pse vuan shumë, nuk dëshiron të arrijë asgjë në mënyrë të dhunshme. Në kohën e sëmundjes është pjekur në njerëzinë e vet, gjë që shumë të shëndosh nuk e arrijnë asnjëherë. Nëse dua dhe nëse e kërkoj, kam mundësi të mësoj shumë për besimin tim dhe lutjen nga ky njeri i thjeshtë dhe i sëmurë rëndë.
3 Atëherë Jezusi e shtriu dorën, e preku dhe i tha: »Dua, shëndoshu!« Dhe përnjëherë u shërua gërbula e tij.
Skenë e jashtëzakonshme. Për të gërbulurin kjo ishte prekje e paharrueshme. Ky ishte hiri më i madh në jetën e tij. Ai lindi përsëri. Sa i gëzuar që ishte në atë moment! Askush nuk e preku gjatë sëmundjes së tij. Kjo gjë ishte e rrezikshme dhe e ndaluar. Jezusi me dorë të shtrirë dhe me prekje bënë kontaktin e veçantë me të gërbulurin të cilit as emrin nuk ia dimë. Duke e shëruar, tregon pushtetin e vet mbi sëmundjen dhe dashurinë e mëshirshme për njeriun e përjashtuar, të sëmurë dhe fatkeq. Do rri në heshtje duke soditur mrekullinë që bëri Jezusi. Do të lutëm në thjeshtësi dhe më fjalë të zemrës duke besuar se edhe mua mund të më ndihmojë Zotëria. O Zot, nëse do, mund të më shërosh, ti mund ta pastrosh familjen time, bashkësinë, të afërmit, komshitë…
4 Jezusi i tha: »Ruaju se i tregon kujt! Por shko, paraqitu te prifti e kushtoje flinë që e ka urdhëruar Moisiu, t’u vlejë atyre për dëshmi.«
Edhe Jezusi dëshiron që çdo gjë të jetë e thjeshtë, pikërisht ashtu siç kërkoi i gërbuluri. Prandaj e nxit që të mbetet edhe më tutje i tillë. Le të paraqitet vetëm tek ata që sipas Ligji e vërtetojnë ligjshëm kur dikush është shëruar apo nuk është shëruar. Kjo është e gjitha. Nga kjo gjë nuk duhet bërë zhurmë as reklamë. Jezusi thekson se mrekullia nuk është spektakël dhe nuk është e rëndësishme për besimin tonë. Sa dallim të madh ka kjo prej të gjithë atyre që vrapojnë pas mrekullive dhe kërkojnë vetëm shenja të veçanta. A ka në mua besim ashtu siç e kërkon Jezusi? O Zot, më ndihmo që të jem i thjeshtë dhe i zakonshëm në besimin tim.