MEDITIMI I DITËS – PARALIZA E SHPIRTIT

Written by on July 4, 2017

Mt 9, 1-8 PARALIZA E SHPIRTIT

 

Kërkoj hirin: që Zotëria ta shërojë paralizën time shpirtërore.

 

Në atë kohë, 1 Jezusi hipi në barkë, kaloi matanë dhe shkoi në qytetin e vet. 2 Kur qe, ia sollën para një të pikuar, të shtrirë në vig. Jezusi, kur e pa fenë e tyre, i tha të paralizuarit: »Zemër, biro! Të janë falur mëkatet!«

Jezusi e lë krahinën e Gerazenëve. Ai kthehet në Kafarnaum në qytetin e vet. Njerëzit mëzi e presin, pyesin për Jezusin dhe interesohen për ato gjëra që bënë. Shumë shpejt marrin vesh kur vjen në një vend. Thjeshtë, Jezusi i tërheq njerëzit dhe ata bashkohen rreth tij. Vijnë tek ai sepse kanë nevojë për ndihmën e tij.

Dukët se njeriu sipas natyrës është njeri që kërkon lëmoshë. Shumë shpejt e shtrinë dorën dhe kërkon ndihmë. Disa njerëz krejt jetën e tyre e kalojnë duke kërkuar lëmoshë. Kjo gjë është më e lehtë se sa t’i shpërvjelin duart dhe të punojnë. Thjeshtë  ata janë mësuar me këtë stil jete. Këta në të vërtetë janë parazitët e shoqërisë të cilët të gjitha i presin prej të tjerëve derisa ata vet nuk janë të gatshëm as t’i kryejnë detyrat e veta elementare ndaj shoqërisë.

Është e sigurt se njeriu ka mundësi të gjendet në rrethana të tilla në të cilat i duhet ta kërkojë ndihmën e të tjerëve dhe këtë ndihmë duhet dhënë. I tillë ishte i pikuari të cilin e sollën në vig. Prandaj me këtë rast zhvillohet një takim dhe bisedë e veçantë.

Patëm mundësi të kuptojmë se Jezusi e tregoj pushtetin e vet duke shëruar sëmurët, mbi fuqitë natyrore dhe mbi djajtë. Në këtë takim për të parën herë paraqitet si ai që ka pushtet për të falur mëkatet. Feja me të cilën erdhi i sëmuri dhe ata që e sollën ishte e mjaftueshme që Jezusi të bënte mrekulli. Kjo është ajo fe që kërkohet gjithmonë tek shërimet e mrekullueshme. Këtë fe e ndjen Jezusi në zemrat e njerëzve, e sidomos në zemrën e të pikuarit, në përpjekjet që bënë duke e pru para tij përgjigjet me gatishmëri dhe menjëherë. Zotëria lavdëron fenë që e tregon i pikuari dhe miqtë e tij që e sollën. Kjo fe është e madhe. Prandaj Jezusi ka mundësi jo vetëm ta shërojë por edhe t’ia falë mëkatet. Jezusi nuk ndalet vetëm tek shërimi i trupit, ai shkon më thellë deri tek ajo që nuk shihet. Jezusi dëshiron që i pikuari të shërohet plotësisht. Nuk bëhet fjalë vetëm për paralizën e trupit. Ekziston paraliza më e rrezikshme, paraliza e brendshme. Fatkeqësisht, këtë njeriu përgjithësisht nuk e sheh më sy siç e sheh paralizën e trupit prandaj edhe nuk ka kujdes për të. Mëkati e paralizon njeriun në shpirt dhe për këtë arsye njeriu nuk e ka kontaktin e vërtetë me Hyjin, me të tjerët dhe me vetveten.

O Zot, ma shëro paralizën e brendshme, shpirtin dhe zemrën. Aq shpesh të lutem për nevojat e trupit, e aq rrallë të lutëm për shërimin e brendshëm. Më ndihmo që të mendoj më shumë në zemrën time dhe për nevojat e shpirtit i cili shumë shpesh paralizohet dhe është i palëvizshëm në brendinë time.

3 Dhe ja, disa prej skribëve menduan në vete: »Ky po blasfemon!«

Fjalët e Jezusi hasin në reagim të ashpër dhe të rreptë. Edhe pse nuk patën guxim t’i thonë drejtpërsëdrejti Jezusit se po blasfemon, për këtë gjë gjykimi i tyre nuk ishte aspak më i vogël. Jezusi për të parën herë para të gjithëve i fal mëkatet e njeriut që përpara tij rri i shtrirë. Kjo ndikoj në skribët si djegia e kashtës. Prandaj e kundërshtojnë menjëherë, qoftë edhe vetëm në vetvete. Mëkati së pari i përket Hyjit dhe njeriu me mëkat e fyen atë. Prandaj vetëm Hyji ka mundësi të fal mëkatet. Në qoftë se njeriu merr guxim të bëj një gjë të tillë, atëherë e përvetëson pushtetin e Hyjit, atëherë blasfemon. Hebrenjtë besonin kështu. Këtë gjë na mëson edhe feja jonë. Në sakramentin e Rrëfimit të shenjtë Hyji përmes meshtarit i fal mëkatet. Edhe këtu është Zotëria ai që i falë mëkatet dhe e ndanë sakramentin.

4 Jezusi, duke e ditur mendimet e tyre, tha: »Pse mendoni keq në zemrat tuaja? 5 Çka është më lehtë të thuhet: ‘Të janë falur mëkatet’ apo të thuhet: ‘Ngrihu e ec!?’ ‘Por që ta dini se Biri i njeriut ka pushtet të falë mëkatet mbi tokë – i tha atëherë të paralizuarit – Çohu në këmbë, merre vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde!«

Jezusi të gjitha i nxjerr në pah dhe flet haptas për ato gjëra të cilat ata i fshihnin në mendime. Jezusi nuk dëshiron të ndaj shërimin e jashtëm nga i brendshmi, shërimin e trupit nga shërimi i shpirtit.

7 I paralizuari u ngrit e shkoi në shtëpi të vet. 8 Kur pa turma, e kapi frika e i dha lavd Hyjit që u dha njerëzve pushtet kaq të madh.

Njerëzit në Jezusin e shohin veprimin e Hyjit dhe pushtetin e tij. Prandaj mrekullinë dhe faljen e mëkateve i përjetojnë aq thellë dhe e falënderojnë Hyjin. A di që në sakramentet e shenjta ta dallojë pushtetin e Hyjit, hirin dhe ndihmën e tij? A e falënderoj për këtë gjë?

 


Current track

Title

Artist