MEDITIMI I DITËS – PARA DYERVE TË MBRETËRISË!

Written by on August 24, 2019

Lk 13, 22-30 PARA DYERVE TË MBRETËRISË!

 

Kërkoj hirin: që ta kuptoj seriozisht këtë jetë dhe ta pranoj luftën jetësore që mëpërgatit për Mbretërinë qiellore!

 

22 Jezusi në udhëtim për Jerusalem kalonte duke mësuar nëpër qytete e fshatra. 23Një njeri e pyeti: “Zotëri, a janë pak ata që shëlbohen?” Ai u tha: 24 “Mundohuni të hyni nëpër derë të ngushtë, sepse, unë po ju them: shumë do të kërkojnë të hyjnë, por nuk do të munden.

            Jezusi shkon prej qytetit në qytet, nga fshati në fshat. I takon njerëzit në rrugët e tyre dhe i mëson. Njerëzit e pyesin dhe kërkojnë prej tij përgjigje që i përkasin jetës, jo vetëm kësaj të kalueshmes por edhe të pakalueshmes. Kush shëlbohet dhe si mund të shëlbohemi, janë pyetjet që asnjë njeri nuk e lënë të qetë. As besimtarët as ata që nuk besojnë. Jeta pas kësaj jete është pyetje që asnjë njeri nuk e lë në paqe. Kur në të mendojmë më së paku, ajo shpërthen. Kur nuk kemi asnjë kujdes në këtë jetë, prapë na shqetëson. Por edhe kur ndoshta nuk kemi ngushëllim, ajo na jep ngushëllim. Kur jemi plot kujdes dhe të shqetësuar, ajo na qetëson.

            Kush do të shëlbohet? A janë pak ose shumë? Kjo gjë e interesonte një bashkëkohës të Jezusit i cili e pyet pikërisht për këtë gjë. Jezusi nuk thotë as pak as shumë. Nga kjo pyetje e përgjithshme Jezusi njeriu e drejton tek vetvetja, por na drejton edhe ne, në të njëjtën kohë te feja jonë. Ai na thotë se jeta është luftë. Duhet luftuar. Jezusi dëshiron të na mbrojë nga ndonjë siguri e rremë dhe dëshiron të na drejtojë që të jemi të përgjegjshëm. Duhet ardhur te dera. Rruga është e ngushtë, por mjaft e gjerë që nëpër të të arrijmë deri në fund, deri te dera. Kushdo mëson një rrugë tjetër që çon përreth, që është e gjerë, e përshtatshme, nuk e predikon Ungjillin. Nuk ekziston libri “Rruga pa mundim drejt qiellit!” Kush ofron diçka të tillë, na i ofron gënjeshtrat e mëdha. Më duhet të bëj disa pyetje që i përkasin jetës sime: si më kalojnë ditët? A i lëshohem në dorë jetës pa vullnet dhe vaktësisë duke menduar se Hyji në fund “të gjitha do t’i drejtojë”? Çfarë duhet ndryshuar? Drejt kujt duhet drejtuar luftën sa i përket karakterit dhe situatës sime?

            O Zot, e di se vetëm një është e rëndësishme deri sa jam këtu poshtë në rrugë: të luftoj! Jo kundër të tjerëve as për ndonjë të drejtë timen e që nuk iu përket të tjerëve. Të luftoj do të  thotë të jetoj sipas Shpirtit tënd. Do të thotë të besoj në Fjalën tënde dhe t’i besoj atij që këtë Fjalë e shpjegon si e shpjegon Kisha. Nëse bota nuk e pranon mësimin tënd dhe na thërret që edhe ne të ecim në udhë të gjerë dhe të përshtatshme, kjo duhet të jetë nxitje edhe më e madhe për mua që të rri afër teje dhe t’i përmbahem rrugës sate. Ti je rruga e vetme që më drejton te dera për të cilën flet.

25 Kur i zoti i shtëpisë do të çohet e do ta mbyllë derën, ju, po mbetët përjashta, do të filloni të trokitni në derë e të thoni: ‘Zotëri, na e hap derën!’ e ai do t’ju përgjigjet: ‘S’di nga jeni!’ 26 Atëherë do të vijoni të thoni: ‘Po ne hëngrëm e pimë me ty e ti mësove ndër sheshet tona!’ 27 Por ai do të përgjigjet: ‘Unë nuk di nga jeni [ju]! M’u hiquni sysh të gjithë ju që bëni paudhësi!’

            Në përgjigjen e vet, Jezusi ofron një përngjasim konkret. Si njeri që di të flasë në mënyrë figurative dhe të kuptueshme, tregon çfarë do të ndodhë në fundin e jetës sonë. Në fund do të rrimë para derës së shtëpisë së Atit tonë. Nuk ka më mundësi për t’u kthye prapa, as rast për të ndërmarrë diçka tjetër të re, që “të luftojmë” siç e kishim detyrë të bënim deri atëherë. Mund të ndodhë që dera të jetë e mbyllur, dhe pa sukses të trokasim në të! Kjo është tragjedia më e madhe që mund të na ndodhë.

            Nëse kemi luftuar dhe jemi përpjekur të jetojmë njerëzisht, si të krishterë dhe si besimtarë, atëherë nuk do të trokasim në derë të dëshpëruar, por do ta gjejmë të hapur dhe do të hyjmë në gëzimin e Mbretërisë qiellore, në shtëpinë e Atit në të cilën e kemi vendin e përgatitur.

            O Zot, të falënderoj që të njoh që nga fillimi dhe që së bashku me ty kaloj rrugën time jetësore. Nuk di sa kohë me mbetet ende dhe sa e gjatë është rruga. Kjo gjë as nuk është e rëndësishme. Dua ta kaloj bashkë me ty. Kështu do jem i sigurtë se do të vij para derës së hapur plotësisht në të cilën me pret Ati me duar të hapura. Me ndihmo që mos ta lë pas dore qortimin tënd. Le të jetë vazhdimisht para syve të mi dhe le të me japë fuqi gjatë luftës jetësore.

28 Atje do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh, kur t’i shihni Abrahamin, Izakun, Jakobin dhe të gjithë profetët në Mbretërinë e Hyjit e veten të hedhur përjashta. 29E do të vijnë nga lindja e nga perëndimi, nga veriu e nga jugu dhe do të ulen në tryezë në Mbretërinë e Hyjit. 30 Po se, ka të fundit që do të jenë të parët e të parë që do të jenë të fundit!”

“Vaj e kërcëllim dhëmbësh” është përngjasim i fuqishëm i fatit njerëzor, gjykimit dhe përjashtimit. Shtëpia e Atit është shtëpi dashurie, por askush nuk është i detyruar të hyjë në këtë shtëpi. Kjo është zgjedhja jonë. Dëshira për të Keqin, jeta e shthurur, mbyllja në mendjemadhësi, shkelja e të tjerëve, mos pagesa e fitesës së merituar… janë rreziqe të vërteta që të mbetemi para dere. Në qoftë se këto ishin zgjedhja jonë gjatë jetës tokësore, atëherë trokitja në derë do të jetë e kotë. As thirrja jonë se jemi shoqëruar me Zotërinë që ishte sipërfaqësore dhe e rastësishme, plot turp dhe për interes, e pakujdesshme dhe pa ndërgjegje nuk do na ndihmojë. Befasia do të jetë e madhe jo vetëm për këtë gjë, por edhe pse do t’i shikojmë ata që kurrë nuk kemi menduar që këtë gjë e kanë merituar se si hyjnë nëpër dyert e Mbretërisë së qiellit.

O Zot, besoj se nuk do të lutem para derës sate as nuk do të dëgjoj fjalët: “Nuk e di nga jeni! Ikni…!” Jam krejtësisht i bindur dhe besoj me fe të gjallë se ai çast do të jetë çast gëzimi mes miqve që kanë kërkuar njëri-tjetrin. Besoj se do të hidhem në përqafimin e Atit pas ecjes së këtushme në tokë, në luftë e mundim, me kryq dhe me mbështetjen tënde.


Current track

Title

Artist

Send this to a friend