MEDITIMI I DITËS – PAQJA, DRITA DHE GËZIMI
Written by Radio Maria on May 26, 2017
Gjn 16, 23-28 PAQJA, DRITA DHE GËZIMI
Kërkoj hirin që të besoj në Jezusin Zot e njeri, që më shëlbon përmes shenjave që m’i dhuron.
«Jezusi u tha nxënësve të vet: Përnjëmend, përnjëmend po ju them: çdo gjë që t’i kërkoni Atit në emër tim, do t’jua japë. 24 Deri tani asgjë nuk kërkuat në emër tim. Kërkoni dhe do të merrni që gëzimi juaj të jetë i plotë.»
Jezusi, në mësimin e vet, iu kthye rëndësisë së lutjes në jetën e besimtarëve. Ai vetë ishte njeri që lutej shumë dhe e dinte më së miri vlerën e lutjes dhe rëndësinë e saj në jetën tonë. Krejt jeta e Tij ishte e drejtuar kah Ati, ndërsa në lutje e ndjente bashkimin e plotë me Atin dhe kishte mundësi të thoshte se është një me Atin. Që nga tani, nxënësit mund të luteshin në emër të Jezusit. Pasi të lavdërohej, do të ishte pranë Atit dhe nxënësit do të mund t’ia drejtonin Atij lutjen e vet. Prandaj, lutjet që ia drejtojmë Atit i përfundojmë me fjalët: «… këtë po ta kërkojmë nëpër Krishtin, Zotin tonë!»
Jezusi na premton qartë se do ta plotësojë lutjen tonë: «çdo gjë që t’i kërkoni Atit në emër tim, do t’jua japë» Mirëpo, ne, në jetën tonë, hasim shumë shpesh në mossuksesin e lutjes. Lutemi për nevoja të ndryshme dhe na duket se nuk ia dalim ta marrim plotësimin e saj, se pas lutjes nuk ndryshon asgjë në jetën tonë. Ne e kemi shndërruar lutjen në «tregti». Lutja jonë është e ngarkuar me mendësinë tonë të përfitimit material. Afrimi te lutja është shumë i materializuar, në të ka shumë pak shpirt feje. Në lutjet tona, nuk kemi mjaft besim. Prandaj, nuk dimë se si të lutemi.
Pas pak çasteve, Jezusi do të ishte në kopshtin e Gjetsemanit në lutje. Në vetvete e ndjente dyzimin mes asaj që ia ofronte natyra njerëzore dhe asaj që Ati e kërkonte prej Tij. Në lutjen e vet, Ai ishte i sinqertë dhe i paraqiti ndjenjat e brendshme. Iu lut Atit që ta largonte kelkun, që të mos pësonte. Këtë gjë e përjetoi shumë fuqishëm në vetvete. Në Të, frika ishte aq e fortë dhe lufta aq e madhe, saqë u djersit në gjak. Ndjehej plotësisht i vetmuar në mundimin dhe në lutjen e vet. Nuk e kishte pranë asnjërin prej nxënësve. Mirëpo, pikërisht në këtë lutje, Jezusi e gjeti paqen dhe u lut për atë gjë që kishte nevojë. Në lutje e gjeti zgjidhjen e problemit që kishte për shkak të natyrës njerëzore dhe të asaj që e kërkonte Ati.
Duhet ta kujtojmë shpesh lutjen e Salomonit (1 Mbr 3,1-15). Ai lutet që ta ketë zemrën e ditur dhe Hyji i përgjigjet e ia dëgjon lutjen shumë më me zemërgjerësi, sesa i lutet Salomoni. Pasi që në lutjen e vet u ngrit sipër kuptimit material dhe nuk kërkoi as jetë të gjatë, as pasuri, Hyji ia dha zemrën e urtë dhe të kuptueshme, por i dha edhe ato gjëra që nuk i kërkoi: pasurinë dhe lavdinë!
Në këtë mënyrë, gëzimi arrihet me anë të lutjes. Kështu, lutja bëhet burimi i paqes, i dritës dhe i gëzimit. Kështu, lutja bëhet fuqi jete. Prandaj, së pari duhet të kërkojmë zemrën e urtë dhe mendjen e ndritur. Në lutjen tonë, ne kemi nevojë të jemi të matur. Na duhet të lutemi që të shohim për ta zgjedhur rrugën tonë. Na duhet të lutemi për gëzim dhe kthjelltësi në zemër dhe në fytyrë. Me lutje, hyjmë në botën e Hyjit. Këtë përvojë nuk mund ta bëjë askush për mua, as unë nuk mund t’ia dhuroj askujt këtë përvojë. Më duhet që vetë të hyj në të. Në këtë gjë, plotësohet gëzimi im.
Ti, o Zot, në çastet e fundit të jetës Tënde tokësore iu fole nxënësve për rëndësinë e lutjes që e sjell gëzimin e jetës. E ndjej se si bezdia e vazhdueshme dhe shkapërderdhja e mundojnë lutjen time. E kam shumë të vështirë të lutem. Nuk kam besim, ndërsa Ti më thua hapur: kërko e do të gjesh! Nuk jam i qëndrueshëm, i përvuajtur, as guximtar. Më duhet që në çastet e rëndësishme të jetës time, në çastet e tundimit dhe të dobësisë, ta dyfishoj lutjen time. Ma dhuro Shpirtin Tënd. Ai le të lutet në mua, pasi unë nuk di se si të lutem. Më ndihmo që ta kuptoj se vetëm në lutje do ta gjej paqen, dritën dhe gëzimin.
«25 Këto jua thashë në shëmbëlltyra. Po vjen koha, kur nuk do t’ju flas më në shëmbëlltyra, por haptazi do t’ju shpall për Atin. 26 Atë ditë keni për të lypur në emër tim, e nuk po them se unë do t’i lutem Atit për ju.»
Vetëm pas ngjalljes së Jezusit dhe zbritjes së Shpirtit Shenjt, do të vinte mënyra e re e drejtimit dhe e kuptimit të atyre gjërave që i përjetuan nxënësit me Jezusin. Kjo është drita e re, shikimi i ri që do të plotësohet në mënyrë përfundimtare kur do ta shohim Hyjin ashtu siç është. Jezusi mbetet edhe më tutje i vetmi ndërmjetës. Çdo nxënës është i bashkuar me Jezusin dhe dashuria e Atit është kështu e pranishme në secilin prej tyre.
«27 Sepse vetë Ati ju do, pasi ju më deshët mua e besuat se dola prej Hyjit. 28 Dola prej Atit dhe erdha në botë, prapë po e lë botën e po kthehem tek Ati.»
Jezusi e paraqiti njësinë mes vetes, Atit dhe nxënësit. Kjo është njësia mes dy botëve, që nuk janë të mbyllura në njëra-tjetrën. Jezusi erdhi nga bota hyjnore dhe e tregoi dashurinë e Atit ndaj nesh. Kthehet përsëri në qiell, ku do të shkojmë edhe ne dhe ku do të realizohemi plotësisht së bashku me Të dhe të tjerët, të kënaqur dhe të lumtur plotësisht.