MEDITIMI I DITËS – PAQJA DHE HAREJA
Written by RadioMariaAlb on December 23, 2022
Is 52,7-10 PAQJA DHE HAREJA
Kërkoj hirin: që Shëlbuesi i lindur të më mbush me paqe dhe hare.
7 Sa të bukura janë mbi male këmbët e kasnecit që sjell sihariqin e paqes, që sjell lajm të mirë, që shpall shëlbimin, që i thotë Sionit: ‘Hyji yt mbretëron!’
Ky tekst i përket asaj pjese të Librit të Isaisë profetë që quhet Libri i ngushëllimit. Këtu kemi porosinë më ngushëlluese për zemrën njerëzore. Këtu kemi «Ungjillin», pra librin më ngushëllues për njeriun. Ky lajm është i mrekullueshëm, sepse ka mundësi ta frymëzojë dhe ta realizojë vetëm Hyji. Zëri që shpall paqen dhe sjellë gëzimin. Lajmëtari që hap rrugën e shëlbimit dhe shpall se Hyji mbretëron. Vërtetë janë të bukura këmbët e atij që sjell lajme të tilla.
Ky zë sot jehon fuqishëm në liturgjinë e kremtimit të Kërshëndellave. Zëri jehon dhe e shpall porosinë: Sot në Betlehem ju lindi Shëlbuesi. Ai e vendos paqen, e sjellë gëzimin. Këto janë kërkesat themelore të njeriut: të jetosh në paqe dhe të jesh i gëzuar.
O Zot, hyr në zemrën time të paqetë. Vendose në të paqen të cilën vetëm ti mund ta dhurosh. Asgjë tjetër nuk mund të me qetësojë as nuk mund të më përmbush. Në këtë paqe do ta përjetojë gëzimin të cilin aq shumë e kërkoj. Të falënderoj që me viziton. Të falënderoj për të gjithë lajmëtarët e paqes dhe të gëzimit.
8 Dëgjo! Rojet e tua me të madhe gërthasin, të gjithë së bashku lëshojnë zë hareje se me sytë e vet po shohin se po kthehet Zoti në Sion! 9 Gëzohuni e galdoni së bashku, rrënojat e Jerusalemit, sepse Zoti po e ngushëllon popullin e vet, po e shpërblen Jerusalemin!
Breznitë e ndryshme në popull dhe njerëzim janë veçanërisht të gëzuara sepse kanë përjetuar ato gjëra që të tjerat nuk i kanë përjetuar. Profeti shikon në shpirt brezninë e Hebrenjve që do të gëzohet për shkak të kthimit në Jerusalem. Do të gëzohet për shkak të ngushëllimit që do ta përjetojnë. Do të gëzohet për shkak të shpërblimit.
Fatkeqësisht, ka brezni të cilat nuk dinë t’i njohin vizitat e hirit të Hyjit. Përbuzën hirin. Kështu ndodhi në Betlehem Kërshëndellave të para. Këtë gjë Jezusi më vonë do tu kujtojë banorëve të Jerusalemit që vrasin profetët. Sa herë deshi t’i bashkoj banorët e këtij qyteti si klluka që bashkon zogjtë e vet, por ata nuk deshën. Ai qua mbi këtë qytet, sepse banoret e tij nuk dalluan Atë që u sjell paqen. Qau për njerëzit e qytetit të dashur sepse nuk e hetuan çastin e vizitës së tij.
O Zot, ti na viziton, dëshiron që të njohim që të gëzohemi së bashku. Na ngushëllon me praninë tënde. Përmbushe familjen time, popullin tim, mbarë botën me paqen dhe gëzimin tënd. Bëj që populli im t’i njoh çastet e vizitës sate që të gëzohemi së bashku.
10 Sepse Zoti e shpërvoli krahun e vet të shenjtë para syve të mbarë popujve, të gjitha viset e tokës do ta shohin shpëtimin e Hyjit tonë.
O Zot, me lindjen tënde e hape rrugën e shëlbimit për të gjithë popujt. Të gjithë janë të ftuar që të bashkohen me ty: bëj që të dëgjojnë të gjithë dhe të vijnë tek ti në Betlehem…
Shëlbimi iu dëftua të gjithëve. Të gjitha skajet e botës duhet ta shohin Hyjin Shëlbues. Kjo është detyra e vazhdueshme e njerëzve që shpallin Lajmin e gëzueshëm. Duhet sjell deri në skajin e tokës. Jemi të lumtur që e njohëm. Sot është dita e gëzimit. «O botë e tërë, përshëndete Shëlbuesin».