MEDITIMI I DITËS – PAGËZIMI, SAKRAMENTI I KËNAQËSISË SË HYJIT
Written by Radio Maria on March 11, 2017
Mt 17, 1 – 9 PAGËZIMI, SAKRAMENTI I KËNAQËSISË SË HYJIT
Kërkoj hirin: që të besoj se jam biri/bija i/e dashur i Hyjit.
O Zot na merr me vete në mal shumë të lartë; na merr me vete sa më lart dhe sa më larg prej kujdeseve dhe prirjeve të kësaj bote; na merr tek vetja dhe na largo prej atyre gjërave që aq shumë na shqetësojnë dhe na mundojnë. Na merr me vete, o Jezus, siç e more Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin!
Na dhuro hirin, o Zot, që ta shohim fytyrën tënde në shkëlqim të plotë dhe në dritë; na jep hirin që të shohim në bardhësi dhe bukuri që tërheq dhe entuziazmon, që na flet për pastërtinë dhe kuptimin e jetës. Po, o Jezus, na jep hirin që ta shohim fytyrën dhe petkat tua të shndritshme.
Një herë në pagëzim, o Zot, morëm dhuratë petkun e bardh të pafajësisë dhe të pastërtisë. Ti nuk e lave vetëm fytyrën tonë, por edhe krejt qenien tonë nga çdo njollë e mëkatit, sidomos nga mëkati i rrjedhshëm i njerëzimit. Të falënderoj për këtë hir. Më vjen keq, o Jezus, që në ne nuk është më ajo bardhësi dhe ai shkëlqim. Prandaj po të lutem: ripërtërije, o Zot, para nesh dhe për ne këtë hir të shndërrimit jo vetëm të qenies sate dhe të fytyrës sate, por edhe të qenies dhe të fytyrës sonë.
Na merr, o Zot me vete në një mal shumë të lartë. Në jetë ka shumë rrënje të ulëta, ka shumë dëshpërime. Kemi nevojë për ndihmën dhe drejtimin tënd. Na vendos, o Zot, në dritën e fytyrës sate sepse në ne dhe rreth nesh ka shumë errësirë dhe pak dritë, kemi nevojë për shndritje të re, për forcë të re dhe për bardhësi të hirit të pafajësisë që të kemi mundësi ta vazhdojmë jetën.
Dhe u dëgjua zëri: “Ky është Biri im i dashur, në të cilin kënaqet shpirti im! Dëgjojeni!”
Edhe kjo është thirrje. Të besoj, o Jezus! Ti je biri i Hyjit, biri i dashur. Dua të të dëgjoj. Ti meriton besimin e plotë. Ti për këtë edhe erdhe në mesin tonë, që t’i bashkosh të gjithë, që të na shpërblesh dhe të na shëlbosh. Ti erdhe në humnerën tonë që të na marrësh në malin e lartë prej të cilit shikohen përmasat e vërteta të jetës, kuptimi i vërtetë i jetës. Erdhe që t’i japësh kuptim çdo gjëje që na duket e rëndë, pakuptim dhe e errësuar.
Do të dëgjoj, o Zot, edhe atëherë kur do të zbres me ty nga mali i lartë në humnerë të jetës së përditshme, në të njëjtat kujdese dhe probleme, na ato gjëra prej të cilave aq vështirë shkëputemi. Do ta dëgjojmë zërin tënd në tundime dhe prova të cilat duan të na ndajnë prej teje. Do të dëgjojmë, o Jezus, edhe atëherë kur dëshirojmë të ikim nga çdo gjë që nuk e durojmë dhe që na helmon jetën. Duam bashkë me ty të zbresim prej malit në familjen tonë, studimet dhe punët tona, në vendin e punës, në autobus dhe në rrugë, në shitore ku presim shumë dhe në zyra në të cila shpesh njeriun nuk e nderojnë si njeri. Duam të shkojmë pas teje, o Jezus, në jetën e përditshme që të zbulojmë se me ty dhe nëpër ty çdo gjë bëhet e shndritshme dhe e shndërruar.