MEDITIMI I DITËS – O ZOT, ME NDIHMO!
Written by Radio Maria on August 25, 2017
E diela e XX gjatë vitit A
Mt 15, 21-28 O ZOT, ME NDIHMO!
Kërkoj hirin: që të besoj se shëlbimi është për të gjithë.
Jezus, ti u tërhoqe në vende në të cilat nuk ishte i pranishëm pështjellimi dhe zhurma e njerëzve. Aty nuk ishin Judenjtë, sepse ai vend ishte i paganëve. Ke të drejtë, o Jezus, që edhe Ti të pushosh pak. Pas shumë ditëve dhe jave që punove me përkushtim për të mirën e njerëzve, pas shumë takimeve dhe bisedave, pasi që shërove dhe u ndihmove shumë njerëzve, vjen, o Jezus, me nxënësit e tu në një vend të pabanuar që të pushosh. Mirëpo, edhe këtu njerëzit të njohin dhe të presin. Gruaja bërtet pas teje. Ajo është shumë e tmerruar, sepse shikon fëmijën e saj se si mundohet, e nuk ka mundësi t’i ndihmojë. Ti ishe i mirëseardhur pikërisht për të. Duket se Ti nuk ke të drejtë në pushimin tënd, nuk ke të drejtë që të rrish në vetmi. Nuk ke mundësi të mbetesh në fshehtësi as në një anë. U largove prej Judenjve, sepse mendove se paganët ende nuk kanë dëgjuar për ty dhe atje do të jesh në paqe. Mirëpo edhe këtu një grua bërtet pas Teje.
“Ki mëshirë për mua, o Zot, biri i Davidit! Vajzën po ma mundon djalli! Shpirti Shenjt të dërgoi, o Zot. Pikërisht për Ty kam nevojë. Vetëm Ti mund të më ndihmosh!”
Mirëpo, Ti hesht dhe nuk ia kthen asnjë fjalë. Përse, o Jezus! A e di sa e madhe është dhimbja e kësaj gruaje, askush nuk mund t’i ndihmojë. Jezus, kij mëshirë për të!
Në këtë grua, o Jezus, e njoh veten time. Situata të ngjashme janë të pranishme në jetën e secilit prej nesh. Ka vështirësi, ka probleme të rënda prej të cilëve njeriu nuk sheh derëdalje. Atëherë, ti, o Jezus, je këtu që të dëgjosh dhe të na vish në ndihmë. Ti, o Jezus, the që të vijmë të tij kur të jemi të mbingarkuar. Vetë na ftove tek vetja kur jemi te etur e të uritur për Bukën e vërtetë të jetës. Vet na u ofrove. O Jezus, që të jesh Shpëtimtari ynë në të gjitha vështirësitë tona.
Feja e qëndrueshme e kësaj gruaje të ngushtoj shumë. Feja e saj e shpëtoi. Me besim mori atë gjë që kërkoi. Vajza e saj është e lirë nga shpirti i keq. Ndjej, o Jezus, se pikërisht kjo fe është problem në thellësinë e shpirtrave tanë. Nuk e kemi gjithmonë atë fe e cila na nxit që të drejtohemi vazhdimisht Ty, që me qëndrueshmëri të kërkojmë prej Teje me lutjet tona. Shpejt ndalemi duke menduar se Ti nuk kujdesesh për ne. Biem gjatë rrugës. Shumë shpesh nuk e dallojmë se Ti je krejt afër nesh. Në atë kohë nuk pate mundësi të kalosh nëpër botë pa të njohur, ndërsa sot ne të kemi lënë në një anë, nuk të shohim e pra as që mund ta mendojmë se sa afër je!
Jezus, na mëso që të marrim prej teje edhe bukën nga tryeza edhe dromcat nën tryezë. Na mëso, o Jezus, që prej Teje të presim njërën dhe tjetrën, sepse një grimcë e vogël nga tryeza Jote është e mjaftueshme të ushqej të uriturit e mbarë botës. Krejt dashurinë tënde e vendose në bukën të cilën e ndave që të jetë e mjaftueshme për të gjithë. Tashmë askush nuk është larg nga tryeza jote, secili ka të drejtë në dashurinë tënde, secili ka të drejt të vijë tek Ti që të ushqehet me bukën e jetës. Ki mëshirë, o Zot, sidomos atëherë kur na dobësohet feja dhe forcoje besimin tonë!