MEDITIMI I DITËS – NJOHJA E JEZUSIT
Written by Radio Maria on January 31, 2017
Mk 6, 1-6 NJOHJA E JEZUSIT
Kërkoj hirin: që ta njoh Jezusin në brendinë time, ta dua dhe të shkoj pas tij.
1Jezusi u nis prej andej e shkoi në vendin ku u rrit. E përcollën edhe nxënësit e tij. 2 Kur erdhi e shtuna, filloi të mësojë në sinagogë.
Jezusi kthehet në vendin e vet. Më çfarë ndjenjash kthehej pasi që nuk lejoj që të afërmit e tij ta detyronin që të kthehej në shtëpi. Ndoshta Jezusi pikërisht për këtë gjë erdhi, për tu treguar se është i lirë dhe ka mundësi të vijë kur të dojë dhe të shkoj nga Nazareti sa herë të dojë. Ai nuk dëshiron që njerëzit të detyrohen për asgjë gjatë dërgimit të cilin Ati ia dha. Priti që të vinte e shtuna që përsëri të jetë së bashku më të gjithë në sinagogë. Ia dhanë mundësinë që ai ta lexojë dhe ta shpjegojë Shkrimin. Duket së kësaj here po e dëgjonin më shumë pyetje të grumbulluara në brendinë e tyre. Kanë dëgjuar për veprat që bëri. A ishin të gatshëm që të gjejnë vërtetë atë që Jezusi dëshironte ta thoshte?
Shumica e dëgjuesve çuditeshin e thoshin: “Nga i vijnë këtij këto? Ç’është kjo dije që iu dhurua? Po këto mrekulli të mëdha që bëhen nga duart e tij? 3 Po a nuk është ky zdrukthëtar, i biri i Marisë, vëllai i Jakobit, i Jozefit, i Judës, i Simonit? Po a nuk janë këtu ndër ne motrat e tij?” Kështu u bë për ta arsye e mosbesimit në të.
Në Nazaret të gjithë janë të mbartur nga qëndrimi i të afërmve të Jezusit. Shën Marku disa prej tyre i përmend me emër. Ata nuk thonë as nuk mendojnë asgjë të mirë për Jezusin. Më siguri kanë ndikuar shumë në bashkëvendësit e vet. Jezusin duhet ndalur. Në këtë gjë janë njëmendimi të gjithë.
Çfarë dallimi mes njerëzve të vendeve tjera të cilët e takuan Jezusin, dhe bashkëvendësve të tij nga Nazareti! Të tjerët e kërkojnë Jezusin, shkojnë pas tij, i kërkojnë ndihmë, ndërsa këtu ata pyesin vetveten për të gjitha këto dhe çuditën. Nuk kanë mundësi të pranojnë se ky djalë i ri i thjeshtë që mes tyre kaloj aq shumë vite përnjëherë të paraqitet kaq i ndryshëm.
Si të donin të thoshin: po ky është njëri prej nesh. Me cilën të drejtë i bënë të gjitha këto? Çka mendon ai për vete, kush është? Ai është zdrukthëtar dhe zdrukthëtar duhet të mbetet.
Janë të befasuar me paraqitjen e Jezusit. Kanë hetuar se fjala e Jezusit është e urtë. Mirëpo, këtë gjë ata nuk dëshirojnë ta pranojnë haptas. Prapëseprapë nga pyetjet e tyre kjo gjë nënkuptohet lehtë. Jezusi është bërë për ta gurë në të cilin merret në thua. Fatkeqësisht Jezusi pikërisht në këtë pjesë të vendit has në mosbesim të madh.
4 Jezusi u tha: “Profeti ndahet pa nder vetëm në vendin e vet, në farefisin e vet dhe në shtëpinë e vet.”
Jezusi ua hap sytë. Ju përgjigjet qartë dhe pa shkuar rreth e rrotull. Pranon refuzimin e tyre. Jezusit në shpirt e ndjente dhimbjen, por duhet shkuar përpara. O Zot, ndjenja që kishe ishte e rëndë, për shkak të refuzimit të më të afërmve, të atyre prej të cilëve prite mbështetjen dhe kuptimin. Ti e krijove familjen e re në të cilën i thërret të gjithë. Për të qenë pjesëtar i saj nuk është kusht ta kemi lidhjen e gjakut, as lidhjet e afërsisë, por dëgjimi i Fjalës së Hyjit dhe kryerja e vullnetit të tij.
O Zot, po të lutem për të gjithë nxënësit e tu të cilët i refuzojnë më të afërmit e tyre. Ndihmoju që kjo gjë mos t’i shkurajojë. Ndihmoju të afërmve të tyre që të jenë të gatshëm të pranojnë vendimet e tyre të lira me të cilat të dorëzohen ty plotësisht.
5 Dhe nuk mundi të bëjë aty asnjë mrekulli, përveç se shëroi disa të sëmurë duke vënë mbi ta duart. 6 E çuditej për mosbesimin e tyre. Kështu doli e mësonte nëpër fshatra përreth.
Pamundësia e kryerjes së mrekullive nuk ishte pse Jezusi nuk kishte fuqi t’i bënte, por ai e kishte të pamundur t’i bënte sepse ata nuk besonin. Njerëzit në Nazaret nuk i besuan. Mrekullia kërkon dhe e nënkupton fenë. Ajo është argument se feja është këtu dhe asgjë tjetër. Mrekullia është fryt i fesë, jo feja fryt i mrekullisë.
Që në fillimin e veprimtarisë së vet Jezusi u takua me mosbesimin. Ky është problem i vazhdueshëm, e jo vetëm i kohë sonë. Mosbesimi e përcjell besimin e besimi e përcjell mosbesimin. Pranë të gjitha atyre veprave që kreu, këtu në vendin e vet Jezusi ishte para murit të mosbesimit dhe të mospranimit. Dhe i çuditej kësaj. E kemi të vështirë të kuptojmë se pse njerëzit edhe pranë të gjithave që përjetojnë dhe shohin mbetën të mbyllur dhe nuk e pranojnë mundësinë. Këtu jemi para misterit të lirisë dhe para misterit të bashkëpunimit.
O Zot, ndoshta edhe sot iu çuditësh shumë nxënësve të tu dhe besimtarëve që nuk kanë fe të mjaftueshme në zemrat e veta. Më duhet të ndalem personalisht dhe të thellohem në lutje duke medituar fjalën: «E çuditej për mosbesimin e tyre». A vlen kjo edhe për mua?