MEDITIMI I DITËS – NJERIU APO E SHTUNA
Written by Radio Maria on January 17, 2017
Mk 3, 1-6 NJERIU APO E SHTUNA
Kërkoj hirin: që mos të më ngurtësohet zemra dhe t’i konsideroj më me rëndësi ligjet se njeriun në nevojë.
1 Jezusi hyri përsëri në sinagogë. Aty ndodhej një njeri me dorë të thatë. 2 Ata e ruanin pale a do ta shërojë të shtunën, që të mund ta paditnin. 3Ai i tha njeriut me dorë të thatë: “Çohu e dil para të gjithëve!”
Përsëri është e shtunë. Ne mund të themi sot, e diel, që të kemi mundësi ta përjetojmë më mirë krejt ngjarjen. Jezusi është në sinagogë. Njerëzit janë bashkuar për ta dëgjuar fjalën e Shkrimit dhe shpjegimin e saj. Këtu janë edhe kundërshtarët e Jezusit të cilët ia përcjellin secilin hap që bënë, dhe e dëgjojnë secilën fjalë që thotë. Nuk kanë aspak simpati për rabinin e ri të Nazaretit. Ai nuk hyn në kuptimin e tyre të rabinit. Është i rrezikshëm dhe duhet përcjellë më vëmendje. Jezusi nga ana e vet nuk shqetësohet shumë për ato gjëra që ata ia thonë dhe për të cilat e kundërshtojnë. Ai është i gatshëm të veproj ndryshe e jo si veprojnë të gjithë zakonisht dhe sa i përket të shtunës pa marrë parasysh a iu pëlqen farisenjve, pleqve të popullit dhe skribëve. Ai ka një interes të vetëm: të ndihmojë, të shërojë dhe në këtë mënyrë ta shpall shëlbimin. Kjo gjë është më e rëndësishme se sa zakonet e kota.
Shën Marku përsëri përshkruan një ngjarje reale. Në sinagogën përplot me njerëz është i pranishëm një tension e padukshëm. Kjo gjë ndjehet në ajër. Njeriu me dorë të tharë rri përball Jezusit dhe sikur se pritej reagimi i Jezusit. Dhe ja, ai e thërret të sëmurin që të dal përpara, të rri midis tyre që të kenë mundësi ta shikojnë të gjithë. Pastaj fillon për të pyetur ata që e shikojnë me dyshim dhe presin çfarë do të bëj:
4 “Çka lejon Ligji? Të bësh të shtunën mirë apo keq? T’ia shpëtosh njeriut jetën apo t’ia marrësh?” Por ata heshtnin.
Është në pyetje e shtuna dhe kuptimi i saj. Jezusi shkon menjëherë në thelbin e çështjes. Kush është këtu për kë: e shtuna për njeriun ose njeriu për të shtunën. Jezusi në këtë rast paraqitet si njeri që diskuton në mënyrë të mrekullueshme. Nuk lejoj që ta pështjellojnë shikimet e tyre të ashpra as pritja që kishin se çfarë do të bëjë. Ju kthen më armët e tyre. Këtu është në pyetje njeriu, njeriu i cili ka nevojë për ta ndihmuar. Gjithashtu, këtu është fjala për të mirën që duhet bërë, për jetën që duhet shpëtuar. Duket se të gjithë i befasoj një qëndrim i tillë që kishte Jezusi dhe nuk dinin si t’i përgjigjen. Heshtnin. Nuk duan të bisedojnë më. Ose ndoshta ishin të sigurt në qëndrimet e veta, nuk dëshironin të përgjigjen, ose ishin në dyshim dhe nuk dinin si t’i përgjigjen.
5 Atëherë Jezusi, i pikëlluar për shkak të ngurtësisë së zemrës së tyre, i shikoi rreth e rrotull me hidhërim e i tha njeriut: “Shtrije dorën!” Ai e shtriu dorën dhe ajo iu shërua.
Më këtë shërim, Jezusi përgjigjet në ato pyetje që vet i bëri. E shtuna është për të bërë mirë. E shtuna është për ta shpëtuar jetën. Kjo gjë të shtunën duhet dhe guxohet të bëhet. Kjo gjë është më e fortë se vet e shtuna. Edhe e shtuna edhe ligjet janë për të mirën e njeriut. Për këtë gjë Jezusi dëshiron t’i ndërgjegjësojë të gjithë.
Do të përpiqem që tani ta sodisë Jezusin e pikëlluar por në të njëjtën kohë edhe të hidhëruar. Nuk janë në pyetje ndjenjat sipërfaqësore. Nxënësit më siguri e hetuan dhe e mbajtën mend mirë shikimin e Jezusit më të cilin i shikoj rreth e rrotull me hidhërim kundërshtarët e vet.
Sigurisht, problemi gjithmonë është në zemrën e njeriut, në ngurtësinë e saj. Kur njeriu nuk është i gatshëm të ndryshojë qëndrimet e veta në mënyrë të mirë dhe pozitive, kjo është gjëja më e keqe që ka mundësi t’i ndodh atij. Kjo do të thotë se ky njeri nuk rritet më. Kemi mundësi këtu të flasim për «sklerozën e zemrës», për inatin që është i pranishëm në qëndrime. Të gjitha këto janë kundër njeriut. Kjo gjë e bënë njeriun që të veproj në kundërshtim edhe me ato gjëra që i ndjen dhe për të cilat arsyeja e shëndosh i thotë se duhet t’i bëj duke mos pranuar hapin e vet të gabuar. Në këtë rast kundërshtarët e Jezusit nuk ishin të aftë të thoshin se janë për jetën dhe për të mirën, vetëm për të mos kaluar në anën e Jezusit. Zemra e ngurtësuar nuk ka mëshirë.
O Zot, më ndihmo që të dijë të dal nga rrethi i ngushtë i kuptimit të realiteteve të veçanta. Që të jem i gatshëm ta korrigjoi mendimin dhe qëndrimet edhe atëherë kur kjo me dhemb dhe ma lëndon krenarinë time. Me ndihmo që të jem i tillë që ti të mos kesh nevojë të hidhërohesh në mua për shkak të zemrës sime të ngurtësuar.
6 Farisenjtë dolën jashtë dhe menjëherë u tubuan në këshillim me herodianët kundër tij si ta gjejnë mënyrën për ta vrarë.
A nuk e dëshmuan ata vetë se duke bërë kështu ishin në anën e vdekjes, e jo të jetës? Se janë për të keqen, e jo për të mirën? Që në fillimin e Ungjillit të Shën Markut është e pranishme drama. Që në fillimin e këtij Ungjilli përftohet kryqi. Lufta e pamëshirshme mes Jezusit dhe kundërshtarëve të tij tashmë ka filluar dhe nuk ndalet dot.