MEDITIMI I DITËS – NGASHËNJYESI
Written by Radio Maria on January 3, 2017
1 Gjn 3, 7-10 NGASHËNJYESI
Kërkoj hirin: që Zotëria të më ruajë nga Ngashënjyesi dhe i Keqi!
7 Fëmijëzit e mi, të mos ju gënjejë askush! Kush ushtron drejtësinë, është i drejtë, sikurse edhe Ai është i drejtë.
Gjoni i qorton në mënyrë shumë serioze të gjithë ata të cilëve iu shkruan. Ai është i vetëdijshëm për pasojat e ngashënjimit. Që nga fillimi u paraqitën ngashënjyesit të cilët ofronin mësimin e tyre dhe ftonin në udhët e tyre. Që në vet fillimet e krishterimit u paraqitën mësimet e gabueshme, herezitë, mësuesit e këqij, drejtuesit e këqij dhe profetët e rrejshëm. Kështu është edhe sot. Bota sa në nivel më të lartë të zhvillimit të jetë, në të mundësitë e ngashënjimit janë më të mëdha. Në një botë të tillë kurthet dhe ngashënjimet e ngashënjyesve dallohen shumë vështirë. Sot, bota e kulturuar perëndimore është botë e konsumizimit, botë që nuk ngopet dot me kënaqësi. Në të janë të pranishme vlerat e paqëndrueshme në të cilat është ndërtuar kultura dhe qytetërimi. Në të shpallet në të katër anët sjellja sipas zgjedhjes personale të njeriut. Secili njeri është masa e vetvetes, ai e drejton vetveten. Njeriu i sotëm nuk pranon këshill dhe çdo formë e korrigjimit të sjelljes vetjake deklarohet sulm në lirinë personale. Njeriu i sotëm as që e kupton fare, se nga rruga e gjerë e lirisë ka rënë në rrugën e ngushtë të robërisë së plotë. Kundërshton çdo gjë që më vullnet të mirë i propozohet dhe i jepet në emër të fesë, Hyjit dhe të Kishës, ndërsa pranon çdo gjë tjetër që më dhunë i imponohet përmes botës së reklamës, filmit, televizionit, teatrit, internetit, gazetave dhe muzikës.
Gazetarja amerikane Mills thekson qartë se cilat janë kujdeset e vajzave të breznisë së saj. Ajo i përmbledh në dy: dukje dhe të holla. Ajo gjithashtu na i sjell fjalët e një vajzë të kohës së saj, drejtoreshës së një reklame e cila thotë: «Po ta kisha një fëmijë, nuk do të kisha mundësi të punojë as gjysmën e asaj pune që tashmë mu bë zakon që ta kryej». Ajo çdo të shtunë së bashku me bashkëshortin e saj që në shtrat ia drejton këtë lutje të falënderimit Hyjit: «Falënderoj Hyjin që nuk me duhet të ngrihem në orën pesë dhe të kujdesëm për njëfarë carroku. Ndjehemi mirë në mënyrë të përsosur kështu të vetmuar; kush e di a do të funksiononte jeta jonë e përbashkët në këtë mënyrë po të futej mes nesh ndonjë person i tretë». Se di, kjo lutje a i drejtohet Hyjit apo ndonjë idhulli të rrejshëm që ajo e imagjinon? Gratë e tilla bërtasin më sa zë kanë: «Nuk ke mundësi të kesh në të njëjtën kohë një kope të fëmijëve dhe të jesh në hap me konkurrencën që ke në vendin e punës». A nuk janë të ngashënjyera qiftet bashkëshortore dhe gratë që kanë frikë nga fëmijët dhe trishtohen nga mendimi për të lindur? Qytetërimi që nuk ka marrëdhënie të drejtë ndaj fëmijëve, që ka frikë prej tyre është qytetërim i ngashënjyer dhe i sëmurë. Njeriu ka mundësi të ngashënjehet në mënyrat më të ndryshme. Fatkeqësisht, njeriu e ka shumë më të thjeshtë që të lëshohet në krahët e valës dhe të përfundojë atje ku nuk dëshiron të arrijë.
O Zot, ndjej se shumë gjëra ngashënjyese depërtuan në zemrën time. Cilat gjëra u bënë aq të rëndësishme për mua! Cilat vlera më tërheqin! Në zemrën time takohen bota ngashënjyese dhe bota jote. Më ndihmo që të mbetëm në botën tënde, faleminderit për sa herë ai dal në këtë gjë. Mos lejo që të përfundoj në botën e Ngashënjyesit dhe më falë për sa herë lejova që të më ngashënjej.
8 Kush bën mëkat, është prej djallit, sepse djalli mëkaton që prej fillimit. Prandaj edhe u shfaq Biri i Hyjit që t’i zhdukë veprat e djallit.
Të mëkatosh do të thotë të jesh me të Keqin. Shën Gjoni është edhe më i shkëlqyeshëm: të mëkatosh do të thotë të jesh nga djalli. Ai është vrastarë që nga fillimi. Për këtë gjë dëshmojnë faqet e para të Biblës. Më fal, o Atë qiellor, përsëri po të lutem, që në disa raste lejova të jem fëmijë i satanit. Të falënderoj që e dërgove Birin tënd që na tërhoqi vërejtjen për veprat e djallit. Të falënderoj që na çliroj prej kundërshtarit tonë që na shkatërron që nga fillimi. Të falënderoj që së bashku me ty kam mundësi ta kundërshtoj të keqin.
9 Kushdo është i lindur prej Hyjit, nuk bën mëkat, sepse fara e Atij mbetet në të dhe nuk mund të mëkatojë sepse është i lindur prej Hyjit. 10 Prej kësaj dallohen bijtë e Hyjit prej bijve të djallit: kush nuk ushtron drejtësinë dhe kush nuk e do vëllain, nuk është prej Hyjit.
Të jesh me Hyjin do të thotë të jesh bir ose bijë e tij. Shën Gjoni e ka aq për zemër që ta dallojmë rëndësinë dhe vlerën e gjendjes sonë kur jemi në anën e Hyjit. Prandaj e thekson aq shumë lidhjen tonë me Hyjin dhe lindjen tonë prej Hyjit. Ai e di mirë se njeriu është edhe mëkatar. Ai dëshiron të na mësojë se për jetën tonë shpirtërore ka rëndësi vendimtare që të jemi në anën e Hyjit. Të jemi me Hyjin, kjo do të thotë në mënyrë përcaktuese të jemi të vendosur në vend në të cilin nuk është e keqja. Këtu bëhet fjalë për përcaktimin tonë themelor, për vendimin tonë rrënjësor, që të jemi me Hyjin dhe në anën e tij. Kjo do të thotë se fara e tij është në mua dhe rritet.
Sikurse kemi mundësi të jetojmë në bashkësi me Hyjin dhe të jemi fëmijët e tij, në të njëjtën mënyrë kemi mundësi të jetojmë edhe me Satanin dhe të jemi fëmijët e tij. Fëmijët e Hyjit janë ata që kryejnë drejtësinë dhe ata që i duan vëllezërit e vet. Ata që nuk janë të tillë janë fëmijët e djallit. Ky është në të njëjtën kohë edhe kushti i dytë që të bëhemi të ngjashëm me Hyjin, ta shohim ashtu siç është që të kemi mundësi të jetojmë në dritë: duhet ta ruajmë urdhrin e dashurisë. Edhe këtu, kufiri i ndarjes mes njërës dhe tjetrës bijësi kalon nëpër zemrën time. O Atë, qiellor, po të falënderoj që jam fëmija yt. Edhe pse gjithmonë nuk veproj drejtësisht, edhe pse vëllezërit e mi nuk i dua në mënyrë të mjaftueshme, unë jam fëmija yt. Edhe pranë pengesave dhe rënieve, unë të përkas ty dhe jam fëmijë i yti, të falënderoj, o Zot!