MEDITIMI I DITËS – NËSE NUK KTHEHENI…
Written by Radio Maria on March 23, 2019
Lk 13, 1-9 NËSE NUK KTHEHENI…
Kërkoj hirin: që këtë kohë të kreshmëve ta kuptoj si thirrje të Jezusit në kthim!
13 1 Pikërisht atëherë ia behën disa dhe i treguan çka u kishte ndodhur disa galileasve, gjakun e të cilëve Pilati e kishte përzier me gjakun e flive të tyre. 2 Jezusi iu përgjigj: “A mendoni se këta galileas, që sharruan kështu, qenë mëkatarë më të mëdhenj se të gjithë galileasit e tjerë? 3 Unë po ju them: jo! Por, nëse ju nuk ktheheni kah Hyji, të gjithë do të sharroni si ata! 4 A kujtoni se ata të tetëmbëdhjetët, mbi të cilët ra kulla e Siloesë dhe i mbyti, qenë më të mëdhenjtë mëkatarë ndër të gjithë banorët e Jerusalemit? 5 Unë po ju them: jo! Por, nëse ju nuk ktheheni kah Hyji, të gjithë do të sharroni si ata!”
Dikur lajmet në të shumtën e rasteve përhapeshin me gojë. Të mirat dhe të këqijat. Sot për disa sekonda lajmi e merr mbarë botën. Ja një lajm i tmerrshëm për krimin e Pilatit. Me të Jezusi e lidh edhe një lajm tjetër: tetëmbëdhjetë vetë të vdekur në kullë që u rrëzua. Gjithmonë pati lajme të këqija dhe të tmerrshme. Nuk është vetëm koha jonë e ngarkuar me to. Sa vetë pësojnë vetëm në demonstrata në të cilat i kërkojnë të drejtat e veta siç ishte edhe në kohën e Pilatit. Sa vetë vdesin kur një ndërtesë prishet për shkak të ndërtimit të pandërgjegjshëm të zotëruesit që nuk ndërton sipas rregullave të nevojshme, por duke “kursyer”, si ndodhi edhe me kullën në Siloam. Si reagon Jezusi në të gjitha këto?
Jezusi si të dëshironte të ndalonte përgjigjën shumë të shpejtë dhe të gabueshme të atyre që e rrethojnë. Njerëzit shumë shpesh dhe shumë lehtë mendojnë se ata që pësuan e kanë merituar këtë dënim. “Morën të drejtën”, komentojnë njerëzit. Më siguri në shumë vdekje ka përgjegjësi njerëzore: nëse vozit shumë shpejt, nëse vozit i droguar ose i dehur, nëse nuk u përmbahet rregullave… Kur ndodh diçka e tmerrshme, pyesim kush është përgjegjës ose kush është fajtor për këtë gjë; dhe themi se njeriu është përgjegjës. Pranë kësaj, shumë shpesh mendojmë duke kërkuar përgjegjësinë në anën e Hyjit: “Po të ekzistonte Hyji i mirë kjo nuk do të kishte mundësi të ndodh!” ndonjëherë disa fatkeqësi i shpjegojmë si ndëshkim të Hyjit dhe pyesim çfarë kemi bërë dhe ku kemi gabuar pasi që na ndodhi kjo.
Jezusi të gjitha këto i vendos në një plan tjetër. Çdo gjë në jetën tonë është thirrje në kthim, e kjo do të thotë në shikim serioz dhe real në jetën tonë dhe në marrëdhënien tonë ndaj Hyjit dhe të afërmit. Prandaj thotë se njerëzit e Galilesë që pësuan nuk ishin më mëkatarë se të tjerët, as ata që pësuan tek kulla nuk ishin më borxhli se të tjerët në Jerusalem. Thirrja është e barabartë para të gjithëve dhe na duhet ta pranojmë gjithsesi para se diçka e keqe të na ndodhë në jetë. Të gjithë duhet të kthehemi.
O Zot, thirrja jote dhe vërejtja jote janë të qarta. Na thërret që të kthehemi. Kjo fjalë shumë shpesh me duket vetëm teorike dhe nuk di çfarë më duhet të bëj. Nuk e kuptoj çfarë do të thotë të kthehem. Shumë herë mendoj se kjo thirrje nuk më përket mua sepse unë shkoj në kishë, jap lëmoshë, zbatoj urdhërimet…. Por prapëseprapë ndjej se shumë gjera në jetën time familjare, në meshtarinë time, në jetën time rregulltare nuk janë aspak në rregull. Edhe mua me duhet të përmirësoj diçka në sjelljen time. Nevrikosem dhe nuk jam i durueshëm. Kokëfortë jam dhe grindavec. Pres që të tjerët të veprojnë kurse vetë nuk lëviz aspak. Jam mendjemadh dhe shumë vetjak. Nuk kam masë kur ha e pi. Jam i varur nga lojërat e fatit, alkooli, duhani, pornografia… Ja, o Zot, vetëm sa e hedha një shikim sipërfaqësor nën mbulojën e sjelljes sime dhe të zakoneve të mia dhe kaq shumë zbulova. Ky është rasti më i mirë që të përgatitem për Rrëfimin e shenjtë. Ti me thua edhe mua: nëse nuk kthehesh… O Zot, më ndihmo që ta marr seriozisht vërejtjen tënde. Që mëkatin gjithmonë ta shikoj si tragjedi që më rrënon dhe më shkatërron. Vërtetë të gjitha mëkatet e mia janë më të rënda se shpata e Pilatit dhe pesha e gurëve të kullës në Siloam.
6 Atëherë u tregoi këtë shëmbëlltyrë: “Një njeri kishte një fik të mbjellë në vreshtin e vet. Shkoi, kërkoi fryte në të, por nuk gjeti. 7 Atëherë i tha vreshtarit: ‘Ja, tash tri vjet po vij e po kërkoj frytin e këtij fiku e nuk po e gjej. Preje! Pse ta shfrytëzojë kot tokën?’
Po të mos e kishte Jezusi zemrën e mëshirshme, me siguri nuk do ta kishte treguar këtë shëmbëlltyrë. Kjo shëmbëlltyrë është ngushëllim dhe ilaç për ata që janë seriozë, të rreptë dhe këto fjalë tërheqin vërejtjen në këto dy ngjarje. Këtu Jezusi tregon durimin e tij dhe mirësinë. Cili prej nesh tashmë nuk do ta kishte prerë një pemë të tillë që nuk jep fryt! Ne gjykojmë shpejt, sidomos kur është në pyetje tjetri. Me fjalët tona presim më pamëshirshëm dhe më shpejt se sa prerësi i druve me sopatë e Pilati me shpatë. Tjetrin e mbulojmë me gjykimet tona më fuqishëm dhe më shpejt se sa i mbuluan trupat e njerëzve gurët e kullës në Siloam.
O Zot, kur të has në “pafrytshmëri” të të afërmit dhe bashkëpunëtoret e mi, të bashkëpjesëtarët e famullisë ose te të nënshtruarit e mi, bëj që të mos jem i rreptë në gjykim dhe mos të pres rreth vetes. Me ndihmo që të jem i durueshëm me të gjithë ashtu si i lëshoj pe vetes sime.
8 Ai iu përgjigj: “‘Zotëri, lëre edhe këtë vit që ta mih përreth e t’i qes pleh. 9 Ndoshta në të ardhmen do të japë fryte… Po qe se jo, atëherë do ta presësh!’“
Vreshtari e ka zemrën e mirë. Ka dhimbje. Kur njëherë pritet mbaroj gjithçka. Ai dëshiron të provojë edhe një herë, dëshiron t’i japë edhe një rast. Ai është i jashtëzakonshëm. I tillë është Zotëria jonë. Të falënderoj, o Zot, për mirësinë dhe gjerësinë e zemrës sate. Të falënderoj që je i durueshëm, të falënderoj që mëshirën tënde e tregove aq shpesh ndaj meje. Edhe këto kreshme janë rast i ri të cilin ma jep që të kthehem. Me ndihmo ta shfrytëzoj mirë.