MEDITIMI I DITËS – NËSE DO, MUND TË ME PASTROSH
Written by Radio Maria on February 10, 2018
E diela e gjashtë e kohës gjatë vitit B
Mk 1, 40-45 NËSE DO, MUND TË ME PASTROSH
Kërkoj hirin: që të besoj se jam krijesë e re.
I gërbuluri është para Jezusit: “Nëse do, mund të me pastrosh!”
“Dua, pastrohu!” Ji i pastër nga gërbula jote, nga sëmundja jote që ty të ndan prej njerëzve. Unë që nga sot të konsideroj të pastër.
Gërbula jote, janë dobësitë e tua të cilat ende nuk i pranon; janë të gjitha ato gjëra që dëshiron të fshehësh para të tjerëve e as vet ti nuk dëshiron t’i pranosh. Gërbula jote, janë të gjitha varësitë të cilat të mundojnë e të cilat në vazhdimësi të zvogëlojnë aq shumë sa që mendon se ti nuk je i denjë që të rrish në mesin e njerëzve të tjerë. Gërbula jote, janë mëkatet e tua të cilat shpesh herë më mundime të mëdha i rrëfen, ose nuk i rrëfen fare.
Dua, ji i pastër!
Ji i pastër dhe ke mundësi të rrish me të tjerët. Nuk ke nevojë të fshehësh asgjë. Ti je përngjasimi i atij që ty të deshi, i atij që të krijoi. Në vetvete mbartë vulën e dashurisë së Hyjit.
Ji i pastër! Që nga tani nuk je më i rrezikshëm për të tjerët, askujt më nuk do ia ngjisësh gërbulën tënde, të keqen tënde, dobësitë e tua. Ti je i lirë dhe mund të besh shoqëri me njerëz. Askush nuk ka nevojë të largohet prej teje e as ti nuk ke nevojë të rrish larg prej askujt. Tani je i pastër prej të keqes që të mundoi dhe ke mundësi ta sjellësh tek të tjerët Lajmin e gëzueshëm se je shëruar nga dashuria e cila të ngriti.
Njihe vetveten në pastërtinë që po ta jap. Beso se jam më i fortë se gërbula jote, se me pastërtinë time kam mundësi të pastroj çdo ndyrësi që ke ti. Beso se je krijesë e re. Mos dysho në veprimet hyjnore. Hyji mund të bëj gjithçka. Pa marrë para sysh sa poshtë ke rënë, kudo që të jesh, unë kam mundësi të të ngre dhe të bëj njeri të ri.
Unë dua që ti te bëhesh i pastër! Dua që të jetosh në gëzim dhe të shpallesh veprat e madhërueshme të Hyjit. Dashuria ime është më e mirë se jeta. Më shërimin tim, me pastërtinë time ji që tani dëshmitar i ndërhyrjeve të Hyjit dhe i mirësisë së tij. Afër teje le të pastrohen të gjithë.