MEDITIMI I DITËS – NËNA E HYJIT

Written by on December 31, 2016

Lk 2, 16-21 NËNA E HYJIT

 

Kërkoj hirin: që së bashku me Marinë Hyjlindëse ta drejtoj jetën time sipas vullnetit të Hyjit

 

16 Shkuan me nxitim dhe gjetën Marinë, Jozefin e Foshnjën të vënë në grazhd. 17 Kur e panë, u treguan ç’u tha engjëlli për Foshnjën. 18 Të gjithë ata që i dëgjuan, u mrekulluan nga ato që thanë barinjtë.

            Si ta fillojmë ditën e parë të vitit? Ja një propozim: ta fillojmë me lutje së bashku me Nënën tonë qiellore dhe me meditim për Marinë Hyjlindëse, ndërmjetësen tonë. Si ishte kjo natë secili e di për vete. Ku dhe si e kemi pritur Vitin e Ri? Më këngë dhe gëzim? Në heshtje dhe në lutje? Me tryezë plot ose në varfri? Në burg ose të lirë? Në ndonjë vend ekzotik ose në një lagje të qytetit? Sa urime kemi shprehur dhe i kemi dërguar, sa dëshira të mira ndër më të ndryshmet. Sa formalitet kishte tek kjo gjë, sa paraqitje të kota dhe gënjeshtër! Sa kishte sinqeritet, vërtetësi dhe dashamirësi! Pas të gjithave para nesh është dita e re dhe Viti i Ri. Ende jemi në atmosferë feste. Gjithashtu rreth nesh është gjithmonë atmosfera e Kërshëndellave.

            Ungjilli përsëri na kthen tek ajo që është thelbësore dhe na udhëheq në shpellë para paraqitjes, që këtyre ditëve duhet të na ushqejë shpirtin dhe duhet ta përmbushë jetën tonë si besimtarë. Këtu çdo gjë është e thjeshtë dhe e varfër. Të gjitha këtu kanë dallim të madh me natën e kaluar në të cilën festuam. Këtu është ndryshimi i plotë me sjelljen tonë të mbrëmshme. As në Betlehem nuk është më e njëjta situatë si ishte Kërshëndellave të para. Konstantini perandor mbi atë shpellë e ndërtoj Bazilikën e ndritshme, e veshi me gurë të latuar dhe në këtë mënyrë e fshehi realitetin e Kërshëndellave të para.

            O Zot, ja përsëri para shpellës së lindjes sate. Pas kësaj “nate të çmendur” po i kthehem realitetit që më flet ndryshe nga të gjitha ato që dëgjova në atë gosti të haresë dhe të zhurmës së çuditshme. E di, ti, o Zot nuk je kundër gëzimit as kundër haresë. Ti do që të jemi të gëzueshëm dhe të çiltër. Ndonjëherë i kalojmë kufijtë, e atëherë të dehur murmurojmë e murmurojmë. Askush nuk e dëgjon as nuk e kupton drejt tjetrin. Në fund jemi të lodhur, të shtypur dhe shumë shpesh edhe të dëshpëruar. Përballë misterit të shpellës sate gjej paqen dhe shëroj brendinë time. Këtu para teje ia lëshoj sytë vitit të kaluar që kaloi aq shpejt. Sa të mira dhe fisnikëri kishte në të? Po, o Zot, kishte suksese dhe mossuksese, ngritje dhe rënie, entuziazëm dhe dëshpërim, gëzime dhe hidhërime… Për disa gjëra sinqerisht më vjen keq dhe me duhet të pendohem. Për disa të falënderoj nga zemra dhe mburrem me to. Të gjitha i përkasin të kaluarës, historisë. Ia hedh sytë edhe vitit që po fillon, janë vetëm disa orë që bëra dhe ato që më presin. Jeta ime nuk do të duket ndryshe. Jam në të njëjtën familje, bashkësi, lagje, famulli, vend pune… Më të njëjtit njerëz dhe me të njëjtat detyra. Bëj që të mirat të rritën më shumë, të këqijat kurrë më mos të përsëriten. Para meje kam 365 ditë të reja. Këto janë ditët e mundësive të reja. Me ndihmo që t’i shfrytëzoj mirë.

19 Maria i mbante mend me kujdes të gjitha këto ngjarje dhe i shoshiste në zemrën e vet. 20 Barinjtë pastaj u kthyen duke lëvduar e madhëruar Hyjin për gjithçka kishin dëgjuar e parë, pikërisht ashtu siç u tha engjëlli. 21 Kur u mbushën tetë ditë për të rrethprerë Foshnjën, ia ngjitën emrin Jezus, siç e quajti engjëlli para se të zihej në kraharor.

            Në këtë ditë të parë të vitit do të kalojmë ndonjë çast me Marinë, Nënë tonë. Sikurse ajo është afër Jezusit, t’i afrohemi edhe ne asaj. Së bashku me të do të jemi më afër Jezusit. Para saj të sjellim vendimet dhe shpresat tona, planet dhe të ardhmen tonë. Ajo do na ndihmojë që t’i zbatojmë sipas planit që Ati ka për ne dhe sipas vullnetit të tij.

            Kjo ditë është dita e paqes. Sa e dobët dhe sa e paqëndrueshme është paqja, sidomos në kohën tonë. Zemrat tona nuk kanë paqe. Prej tyre dalin të këqijat ndaj të tjerëve. Prandaj nuk kemi paqe në familje dhe në bashkësitë tona. Nuk ka paqe në lagje as në vendin e punës. Paqe nuk ka mes popujve.

            Mari, nëna jonë qiellore, ti dite të ruash paqen edhe gjatë ngjarjeve të rënda dhe në kohë të vështira. Këtu afër grazhdit, djepit të thjeshtë të Birit tënd dhe Shëlbuesit tonë, rri dhe në qetësi sodit ata që erdhën për ta adhuruar. Të gjitha këto i ruan në zemrën tënde dhe për të gjitha mediton në qetësi. Po të lutem për paqe në zemrën time dhe për paqe në zemra të dashurve me të cilët jetoj. Po të lutem për paqe në zemrat e atyre më të cilët punoj dhe të atyre që mu besuan.

            Jezusi sot e mori emrin. Me veprën e rrethprerjes ai i përket bashkësisë së hebrenjve. Më vonë Shën Pali do të flasë për rrethprerjen e brendshme, për rrethprerjen e zemrës sipas shpirtit. Kjo është thirrje e fortë në fillim të vitit që më shumë të mendojmë në të brendshmen dhe shpirtëroren se sa në të jashtmen dhe materialen. Në këto të fundit edhe ashtu mendojmë shumë e edhe harxhojmë shumë për to.

            Mari, ti je Nënë e butë që kërrusesh mbi nevojat tona. Ti e di më mirë se çfarë na mundon dhe si ndjehemi. Në këtë ditë të parë të vitit po të dorëzoj krejt çfarë jam e çfarë kam. Më prano, o Nënë. Më ndihmo që ecja ime në këtë vit të jetë e drejtë, në nder e lavdi të Atit qiellor.

 


Current track

Title

Artist