MEDITIMI I DITËS – NDRYSHIMI I JETËS
Written by Radio Maria on March 3, 2017
Lk 5, 27-32 NDRYSHIMI I JETËS
Kërkoj hirin që të kthehem, që ta ndryshoj stilin e jetës dhe të shkoj pas Jezusit.
27 Pastaj Jezusi doli dhe në vendin e tatimit pa duke ndenjur një tagrambledhës, që quhej Levi. I tha: “Eja pas meje!” 28 Ai la gjithçka, u ngrit e shkoi pas tij.
Takim i pazakontë. Jezusi dhe tagrambledhësi. A e njihnin ata njëri-tjetrin? A e dinte Jezusi se kë po thërriste në atë çast dhe se kush ishte Levi. A e dinte Levi se kush ishte ai që po e thërriste? Secili në atë vend e dinte se Levi ishte njeri mashtrues, bashkëpunëtor me pushtuesin romak, për të cilin mblidhte tatimet. Po nuk mjaftonte kjo. Ai i mbushte edhe xhepat e vet me ndarje mashtruese të tatimeve që ia mundësonte pushteti romak. Populli i vet nuk e donte, sepse, me një stil të tillë jete, ai ishte vazhdimisht i papastër. As romakët nuk e vlerësonin, sepse e dinin se ishte pasuruar në mënyrë të padrejtë. Levi ishte mes popullit të tij dhe pushtuesit romak. Në të vërtetë, ai nuk ishte askund dhe për këtë gjë ishte krejtësisht i vetëdijshëm. Të gjitha këto gjëra e mundonin thellë dhe ishte i pakënaqur brenda vetes. Ai dëshironte të dilte nga kjo gjendje, por nuk dinte se si. Atëherë, një ditë, papritmas ndodhi takimi, të cilin Levi nuk do ta harronte kurrë. Një ditë, jeta e tij mori një rrjedhë krejtësisht ndryshe, në të vërtetë ashtu siç e dëshironte gjithmonë në thellësi të zemrës së vet. Por, kjo dëshirë ishte e mbuluar nga ambiciet vetjake, egoizmi dhe dëshira për t’u pasuruar.
Jezusi e njihte këtë dëshirë të fshehtë të Levit, sepse shihte nën sipërfaqe dhe nën të dukshmen. Prandaj, iu drejtua Levit drejtpërsëdrejti, nuk e kapërceu, as nuk e ktheu kokën drejt tij. Përkundrazi, ndaloi tek ai dhe e thirri. Kjo ishte e pakuptueshme për cilindo rabin hebre. Jezusi tregoi përsëri se ishte ndryshe dhe se dilte përtej ndarjeve të zakonshme, që i ndanin njerëzit në të ndyrë dhe në të pastër, në të drejtë dhe në të padrejtë. Të gjithë duheshin shpëtuar, sepse Ai erdhi për të gjithë.
«Eja pas meje!» Kjo për Levin do të thoshte: ngrihu nga kjo gjendje, në të cilën e ndjen se nuk mundesh më! Nuk është mirë që ta shpenzosh kështu jetën. Kjo gjë nuk është e denjë për jetën.
Ndoshta edhe në jetën time ka diçka që nuk është në rregull dhe nuk di se si do të dal nga kjo gjendje. Ndoshta e kam humbur besimin në ndryshim, në mundësinë e kthimit?
Levi i la të gjitha. La gjithçka për shkak të Jezusit! Për këtë gjë ishte i gëzuar, shumë më i gëzuar sesa kur kalonte nëpër qytet me xhepat plot dhe duke u mbështetur në forcën e pasurisë së vet.
O Zot, çfarë duhet të braktis që të jem krejtësisht i Yti, që të jem plotësisht i lumtur? Çfarë më pengon dhe nuk më lejon që të vij pas teje? Kreshmët janë kohë e përshtatshme që të meditoj për këtë gjë dhe ta gjej se çfarë nuk shkon mirë në jetën time.
29 Pastaj Levi i bëri gati në shtëpinë e vet një gosti të madhe. Bashkë me Jezusin rrinin në tryezë shumë tagrambledhës e njerëz të tjerë.
Levi zbuloi thesarin e vërtetë në jetën e tij. Duke braktisur atë çka kishte deri atëherë, ai nuk ishte aspak i mërzitur e as fatkeq. Përkundrazi, ndjeu se vetëm tani kishte filluar të jetonte jetën e vërtetë. U lirua nga kujdesi i madh, nga pesha e madhe, që nuk e lejonte të jetonte njerëzisht. Prandaj, ishte i gëzuar. Vetëm atëherë e mori pasurinë e vërtetë. Festa, që organizoi, ishte treguesi më i madh për gëzimin që kishte, sepse ishte me Jezusin. Ky është gëzimi i sinqertë pas kthimit të parë.
Kur njeriu kthehet me të vërtetë, atëherë nuk mjafton festa për ta treguar gëzimin. Mirëpo, nuk ka mënyrë tjetër më të mirë sesa hareja dhe festa për ta paraqitur gëzimin që vjen prej kthimit. Kështu, Levi kremtoi kthimin e vet dhe thirrjen.
Po të dinim të gëzoheshim më shumë pas rrëfimit për arsye të faljes së mëkateve, do ta çmonim më shumë atë sakrament dhe do t’i afroheshim më me gëzim.
30 Farisenjtë dhe skribët e sektit të tyre, murmurisnin dhe u thanë nxënësve të tij: “Pse hani e pini me tagrambledhës e mëkatarë?” 31 Jezusi u përgjigj: “Të shëndoshët nuk kanë nevojë për mjek, por të sëmurit. 32 Unë nuk erdha t’i thërras të kthehen të drejtët, por mëkatarët”.
Farisenjtë e kalonin kohën duke zbatuar gjërat e vogla të Ligjit. Prandaj, ishin të hidhëruar dhe të gatshëm për të kundërshtuar. Gjithmonë do të ketë ziliqarë dhe të pakënaqur, të cilët nuk e pranojnë se tjetri mund të përmirësohet dhe të kthehet.
Të falënderoj, o Zot, që ishe ndryshe, që nuk i shikove njerëzit përmes mbishkrimeve, as nuk iu vure mbishkrime. Ti iu afrove edhe atyre, që të tjerët i përjashtuan, i thirre të vinin pas Teje dhe të jenë nxënësit e Tu. Të falënderoj që ia jep mundësinë secilit njeri për të dalë nga rrethi i vet vicioz, që ia zë frymën dhe e mbyt. Më ndihmo që, gjatë këtyre Kreshmëve, ta pranoj mjekimin tënd. Më ndihmo që të kuptoj se Ti erdhe pikërisht për mua, sepse jam mëkatar. Mos lejo që të jem njeri gjoja i drejtë, që mendoj se nuk kam nevojë për kthim. E di se unë nuk mund të dal nga kjo gjendje. Më ndihmo që të mbështetem në Ty dhe të besoj fuqishëm në ndihmën Tënde! Vetëm së bashku me Ty, mund të filloj përsëri.